Është thënë gjithnjë se vlen sa një kampionat i fituar, ose për të tjerë është një kampionat më vete. Derbi i madh i kryeqytetit Tirana-Partizani fillon të ngjallë emocione edhe disa ditë përpara se skuadra të zbresë në fushë.
Është një ndeshje ku askush nuk kërkon të gabojë, nuk kërkon të mbahet mënd si njeriu që djallosi derbin dhe për këtë arsye tensioni dhe adrenalina kap qiellin.
Tirana dhe Partizani janë përballur dy herë në këtë sezon por duke se sfida e së premtes do të jetë më e zjarrta. Si do të zhvillohet kjo ndeshje unike e futbollit shqiptar? Pse është kaq e veçantë?
Nevil Dede i cili është ndër lojtarët më të titullar me fanellën bardheblu dhe Luan Pinari që me krenari mbajti shiritin e kapitenit tek Partizani edhe në çastet më të vështirë të historisë së klubit, edhe me syrin e specialistit, profesion që e kryejnë prej vitesh në Supersport, parashikojnë këtë derbi epik për futbollin tone.
Dede: Mendoj që do të prodhojë mbi të gjitha emocione. Derbi të jep një kënaqësi të veçante dhe edhe ata që nuk janë tifozë me këto dy ekipe, mezi e presin. Bën lajm dhe mbi të gjitha është vitrine e futbollit shqiptar.
Pinari: Janë dy ekipe që po kalojnë një formë mjaft të mirë sportive dhe shpresojmë që kjo të pasqyrohet edhe në fushë. Mendoj që do jetë një ndeshje ndryshe, ku skuadrat nuk luajnë me frikën për të mos humbur. Tirana vjen e qetë, pasi ka konsoliduar disi pozitat, ndërsa Partizani është ndjeshëm i shkëputur në krye dhe kjo i jep qetësi.
Në një kampionat që zgjat shumë muaj, një skuadër ka një grafik që nuk është gjithnjë në rritje, megjithatë Tirana e ka një pikë të fortë, që Dede e evidenton me një ndjenjë pozitive. “MVP” i bardhebluve është Ardian Mema, ndërkohë që tek “demat” mesi i fushës është arma plus. Por cilët lojtarë meritojnë dekoratat?! Ketë e zbulon Luan Pinari.
Dede: Unë mendoj që Mema ka krijuar harmoni dhe grupi po funksionon. Pikërisht trajneri është arma më e fortë e kësaj Tirane.
Pinari: Pika më e fortë është grupi i kësaj skuadre, por Partizani ka një repart të fortë, që është mesfusha, me Telushin dhe Malën, Asanin e Bardhin, që i japin tjetër ritëm kësaj skuadre.
Ka pasur momente gjatë sezonit ku 24 herë kampionët janë përfshirë nga një frymë gri, gati në të errët, diçka që ka dëshmuar luhatjet e shumta. Tirana e ka një “thembër Akili” dhe një ish mbrojtës i cilësisë së lartë si Dede, nuk mund të mos e evidentojë. Luan Pinari ka qenë gjithashtu një ndër mbrojtësit që më e mirë e ka interpretuar këtë rol në Shqipëri dhe “armatura” e Partizanit duket se ka një krisje.
Dede: Unë dua të jem i sinqertë dhe Tirana ka pak probleme në mbrojtje. Nëse nuk merr gol, atëherë do të jetë e thjeshtë për Tiranën.
Pinari: Këtë ndeshje Partizani do të çalojë në dy krahët e mbrojtjes, pasi Trashi nuk do të luajë, ndërsa Ibrahimi nuk është në nivelin më të mirë të tij.
Atëherë kush e fiton derbin dhe pse? Dede e Pinari e kanë zgjedhur krahun, duke argumentuar edhe aryset që i bëjnë të mendojnë kështu.
Dede: Tirana luan edhe pa ndonjë trysni të madhe, pasi është larg zonës së rënies. Për më tepër është pritëse dhe do të ketë më shumë tifozë, ndaj mendoj se Tirana do të fitojë derbin.
Pinari: Partizani do ta fitojë sepse i duhet më tepër dhe sepse ka një qëllim më të madh se Tirana. Partizani pret prej vitesh titullin dhe ky duket sezoni i duhur, por për t’u shpallur kampion, duhet të fitosh edhe këtë derbi.
Në këtë edicion të Superiores, për herë të parë nuk ka pasur forca rendi brenda stadiumeve dhe në disa raste janë evidentuar episode të pakëndshme. Tifozeritë në derbi janë “maja e diamantit” dhe dy ish kapitenët e Tiranës e Partizanit, kanë një mesazh të qartë për mbështetësit bardheblu e të kuq.
Dede: Kjo është një ndeshje për të gjithë, ku të gjithë duhet të festojnë dhe të gëzojnë. Me këtë derbi ndjehemi të gjithë të kënaqur dhe nuk mendoj se do të ketë histori të tilla. Pavarësisht rezultatit, të gjithë do ta shijojnë këtë sfidë.
Pinari: Në derbi shumë rrallë ka pasur probleme mes tifozërive. Të dy klubet duhet të japin mesazhe që loja do të jetë e gjitha në fushë dhe jo jashtë saj. (SS)