Përkujtohet në ditën e lindjes simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi

26 Shkurt 2019, 09:20Rajoni TEMA

I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi sot do të mbushte 83 vjet. Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik të vitit të kaluar mbylli sytë përgjithmonë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta.

Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore si dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë./KosovaPress

3 komente në “Përkujtohet në ditën e lindjes simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi”

  1. albaniafirst says:

    I paharruar qofte kujtimi i martirit te Kosoves

  2. N.K. says:

    TË NDRISTË SHPIRTI, SHQIPTARI ARBNOR – DEMACI.
    Më pëlqente pa masë kthjelltësia mendore e A. Demacit lidhur me verbërinë opionale shqiptare – me kultivimin e ANTIHEROIZMIT SI HEROIZËM, QUAJTUR NDRYSHE MITOMANI

  3. Ilir says:

    Tema, të falemnderit që e përkujton në 83 vjetorin e lindjes njeriun e madh të letrave shqipe dhe të kauzës kombëtare, Nderin e Kombit Adem Demaçin!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje