Kryeministri Edi Rama ka folur sot para qindra studentëve që do të jenë pjesë e Policisë së Shtetit në Akademinë e Sigurisë.
Në ceremoninë e hapjes së kursit të oficerit të policisë kriminale, Rama tha se këta studentë të fakulteteve të ndryshme, u përzgjodhën mes më të mirëve në një proces seleksionimi të 589 aplikantëve pa parë mbiemrin, pa parë tarafin, xhepin apo partinë.
Gjithashtu kryeministri vlerësoi edhe vendosjen e kriterit për njohjen e gjyhës angleze.
“Është një ditë e bukur për Policinë e Shtetit sepse hyn për herë të parë në fuqi një praktikë e re, hapja e dyerve të Akademisë së Sigurisë për studentë të ekselencës. Studentë të fakulteteve të ndryshme, të cilët i bashkohen trupës së Policisë së Shtetit duke sjellë dije të reja, energji të reja dhe mbi të gjitha një kulturë të re.
Në fund të një shkollimi 6-mujor dhe 3 muaj praktikë, këta studentë do të jenë oficerë policie me gradën e komisarit. U përzgjodhën mes më të mirëve në një proces seleksionimi të 589 aplikantëve dhe mbi të gjitha u rikonfirmua edhe njëherë vullneti ynë për të garantuar meritën pa parë mbiemrin, pa parë tarafin, xhepin apo partinë. Është një proces që do të rihapet për studentët me rezultate të larta në shtator të këtij viti dhe për të vijuar me rifreskimin e trupës policore.
Më vjen shumë mirë që në këtë proces është vendosur dhe një standard tjetër, standard i ri, ai i njohurive mbi gjuhën angleze. Besoj se nuk mund të ketë një polici kriminale të standardeve bashkëkohore nëse nuk ekzistojnë edhe instrumentet për të jetuar në të përditshmen e zhvillimeve rreth e rrotull nesh dhe me informacionin e standardeve më të mira.
Duke parë dallëndyshet e para, të tjerë dhe të tjera do të bashkohen në këtë proces. për ne është fare e qartë që ripërtëritja e policisë së shtetit është një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet kur kjo akademi u braktis dhe faktikisht u mbyll për vite të tëra dhe tani ka filluar të japë kontributet e para duke nxjerrë edhe kuadrot e para pas rivënies në punë. Këtu janë edhe 213 studentë të cilët kanë nisur shkollën bazë të Policisë Së shtetit dhe do t’i përkasin patrullës së përgjithshme pas përzgjedhjes së tyre në një konkurs transparent e të pakontestuar”, u shpreh Rama. (TemA)
Per hir te vertetes, ka akoma police qe abuzojne me detyren. Shpresoj te marre fund kjo gje.