Xhanluixhi Bufon është nga ata lojtarë që përfaqësojnë më së miri besnikërinë në futboll, edhe pse këtë sezon zgjodhi të transferohej te PSG, pas 17 viteve te Juventusi.
Sakaq, Bufon e ka provuar besnikërinë e tij ndaj bardhezinjve edhe kur këta të fundit kaluan periudhën më të errët të historisë së tyre kur zbritën një kategori më poshtë.
Ndërkohë, ka qënë vetë portieri 41-vjeçar që në një intervistë për “BT Sports”, ka rrëfyer se shpeshherë gjatë karrierës së tij klube të shumta janë munduar ta joshin, teksa Bufon ka zbuluar edhe interesimin e Mançester Junajtid apo Mançester Sitit.
“Kur isha ende i ri te Parma, Ferguson më ka ndjekur për 2-3 vite, ku ka dërguar edhe skaut për të më ndjekur nga afër, por në atë kohë Parma ishte e gjithë bota ime. Më pas ishte Mançester Siti, mora një ofertë të madhe. Ishte në momentin kur filluan të ndërtonin një skuadër për të fituar edhe në Europë, sepse donin të isha goditja e parë e madhe, por dëshira ime e vetme ishte të mbetesha te Juventusi”, tha Bufon.