Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka falënderuar ushtrinë e vendit për mposhtjen e atij që e ka quajtur komplot për grusht shteti, i drejtuar nga SHBA-të dhe lideri i opozitës, Juan Guaido.
Presidenti në detyrë Nicolas Maduro ka pasur mbështetjen e ushtarakëve dhe aleatve të ngushtë, përfshirë Rusinë dhe Kinën që nga momenti ku udhëheqësi i opozitës Juan Guaidó u vetëshpall president i përkohshëm më 23 janar.
Në një fjalim jashtë pallatit presidencial të Miraflores, Maduro iu referua udhëheqësit të opozitës Guaido si ” një kukull” që përdoret nga Shtetet e Bashkuara. “Ata i ftuan forcat tona të armatosura të ndërmerrnin një grusht shteti, por përgjigjja ishte e qartë: ata e hodhën poshtë dhe e mundën këtë komplot”, tha Maduro.
Ndërkohë, kreu i opozitës, Guaidó, në një protestë të radhës njoftoi se do të fillojë një turne në mbarë vendin për t’i ftuar mbështetësit e tij të bëhen pjesë e një proteste masive në Karakas në ditët e ardhshme. Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të kontrolluar nga opozita, është njohur si president i përkohshëm nga më shumë se 50 vende.
Akuzat e Maduros se Guaido po përpiqet të kryejë një grusht shteti kundër tij me ndihmën e “imperialistëve amerikanë kanë qenë të përsëritura. Ndërsa në përpjekje për të justifikuar ndërprejet e energjisë elektrike që paralizuar pjesën më të madhe të vendit, Maduro tha se nënstacionet elektrike kanë qenë në shënjestrën e sulmeve kibernetike me “mbështetjen dhe ndihmën e SHBA-ve”.
Ndërprerjet e përhapura të energjisë elektrike që nga e enjtja thuhet se kanë ndodhur për shkak të problemeve në uzinën hidroelektrike Guri, një nga objektet më të mëdha në Amerikën Latine. Venezuela varet nga infrastruktura e saj hidroelektrike më shumë se nga rezervat e saj të naftës. Por dekada të tëra pa investime në këtë sektor kanë sjellë dëmtimin e digave të mëdha dhe për pasojë ndërprerjet e energjisë janë bërë të zakonshme.
Maduro e mori pushtetin në vitin 2013. Vitet e fundit, Venezuela ka përjetuar një nga krizat më të mëdha ekonomike, me mungesa të mëdha ushqimore dhe një shkallë të frikshme inflacioni, që arriti të paktën 800 000 për qind vitin e kaluar. Ndërkohë gjithnjë e më shumë vende fajësojnë qeverinë Maduro për krizën ekonomike, e cila ka bërë që më shumë se tre milionë njerëz të largohen nga Venezuela. (TemA TV)