Ligji i ri për Avokaturën e Shtetit i cili u miratua nga kuvendi në 22 Nëntor 2018, ka parashikuar ndër të tjera ndërmarrjen e një roli më aktiv të këtij institucioni në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj zyrtare, Avokatura e Shtetit bën më dije se në zbatim të këtij ligji është krijuar “Këshilli Konsultativ për Çështjet e GJEDNJ-së”, një organ kolegjial i cili në fokus të punës së tij do të ketë këshillimin dhe dhënien e rekomandimit për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të komunikuara nga GJEDNJ, përfshirë këtu edhe arritjen e një zgjidhjeje miqësore mes palëve.
Këshilli Konsultativ për çështjet e GJEDNJ përbëhet nga Arta Vorpsi, Artan Hoxha, Kristaq Traja, Petrit Plloçi dhe Sokol Sadushi.