Në një rrëfim për “Mein Werder”, Milota Rashica ka folur për hapat e tij të parë në karrierë, nga fillimi te Vushtria e më pas kalimi në një skuadër si Viteshe, në kampionatin holandez.
Gjithashtu, Rashica nuk harron përfaqësuesen e Kosovës për të cilën shprehet se ka avancuar shumë dhe se gjithçka dëshiron është që nëpërmjet futbollit t’i bëjë njerëzit e lumtur, ndërsa nuk mungon dhe një falënderim për Altin Lalën i cili e ka ndihmuar shumë të arrijë aty ku është sot.
Fillimet te Vushtria:
“Në moshën 6 apo 7 vjeçare, unë nisa të luaja futboll në shkollën e futbollit të quajtur ‘Vushtrria 04’, Më pas, shkova në një shkollë tjetër të quajtur ‘Forca’ në qytetin tim, Vushtrria. Më mbrapa luajta në Kosovën e Vushtrrisë, në klubin më të madh të qytetit. Ekipet e të rinjve atje nuk luanin në ndonjë ligë në atë kohë, për këtë unë u zhvendosa në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë për t’iu bashkuar shkollës private të futbollit ‘Kurda’. Pas 5 vjetësh u ktheva në Vushtrri në ekipin e parë. Në moshën 16 vjeçare unë debutova në ekipin e parë. Në sezonin e parë timin i shpëtuam rënies nga liga, ndërsa sezonin pasues fituam kampionatin dhe Superkupën. Ishte diçka madhështore për mua dhe për tërë qytetin. Më pas u transferova te Vitesse”.
Rreth luftës në Kosovë:
“Kam qenë shumë i ri në atë kohë dhe nuk mund të kujtoj shumë gjëra. Natyrisht, me kalimin e viteve kam dëgjuar nga njerëzit të flisnin për luftën dhe kam parë fotografi dhe ngjarje në televizion. Ishte një situatë e keqe për njerëzit në Kosovë. Shumë prej tyre iu është dashur të linin vendin. Kam shokë të cilët kanë humbur të afërmit në luftë, por tani kanë kaluar 20 vjet nga lufta dhe jemi një vend i lirë. Kosova është në rrugën e duhur”.
Entuziazmi i tifozëve për përfaqësuesen:
“Shumë njerëz kanë luftuar për ta pasur këtë ekip kombëtar. Ne duam t’i bëjmë të gjithë krenarë. Entuziazmi është i madh, biletat për ndeshjet e ardhshme me Danimarkën dhe Bullgarinë janë shitur për një kohë të shkurtër. Njerëzit në Kosovë janë tifozë të mëdhenj të futbollit. Tashmë të gjithë na njohin, njerëzit na ndalojnë për të bërë fotografi së bashku, mbi të gjitha pasi fituam grupin në Ligën e Kombeve. Kjo ishte diçka mjaft speciale. Në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje kemi tifozë. Futbolli në Kosovë ka bërë një progres të madh”.
Mbi Altin Lalën:
Ai është shumë i rëndësishëm për mua dhe karrierën time, flasim gati çdo ditë me njëri-tjetrin. Ai gjithashtu jeton në Hanover shumë pranë meje. Kur filluam këtë rrugëtim sëbashku ai thjesht donte të më ndihmonte. Fillimisht më ka parë nga televizioni kur isha pjesë e Shqipërisë U21, pas kësaj kërkoi të më takonte, mendoj se ai është i kënaqur me zhvillimin tim.
Këtë sezon Rashica po shkëlqen me Verder Bremin në Bundesligë, duke u kthyer shpeshherë në vendimtar për të tijtë me golat apo asistet.