Gjithe dyshimet per Vetingun e Drejtesise dhe politikes

29 Mars 2019, 20:04Blog TEMA
Gjithe dyshimet per Vetingun e Drejtesise dhe politikes

 

Kristo  MËRTIRI

Sa t’u vijë qejfi pasanikëve politikanë, fakirfukarenjve u ka dalë shpirti ! Është fjala për hajdutët me spaleta zyrtare, me cizme e pa cizme, me kollare e pa kollare, me kolltuqe të falura e të rrëmbyera. Majtas e Djathtas ! Këta po e thajnë e përthajnë besimin e publikut të gjerë te Shteti i së Drejtës, te qeveritë që vinë e shkojnë duke tundur flamurë e banderola hipokrizie, moralshitëse e fasadashitëse të pacipa. I njëjti avaz vazhdon edhe kur kalojnë në opozitë, por me ngjyrime e thekse të tjerë gati-gati si në pozicione persektimi e skllavërimi.

Të gjithë betohen për të vërtetën dhe të nesërmen përqafohen e puthen me gënjeshtrën. Rrëmbejnë rroga, favore të pamerituara e rryshfete të majme. Me firma e pa firma. Me vula e pa vula. Me borde e pa borde. Madje mbushin xhepat,portofolet, kartat e kontot bankare me soj e sorollop, duke mashtruar në mes të ditës e pa pikë përgjegjësie qytetare e juridike. Të varfërit i përcjellin si turmë të verbër a shurdhmemecë ! Dhe mburrusen me fjalime e premtime lumë në qytete e fshatra dhe gjer në tribuna europiane e perëndimore.

Ndersa përballë fitimeve të pista nuk mendojnë hic për Drejtësinë e vërtetë, të cilën e karfosin nën thundrat e parasë vrastare e kallpazane. Përshembull, nuk ka si shpiegohet ndryshe heshtja ogurzezë përgjatë 3 dekadave ndaj zyrtarëve të lartë në pushtetin ekzekutiv e legjislativ, të cilët rrojnë, notojnë e mbretërojnë në luksin e tyre të shfrenuar. Pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë ! Dhe nuk pushojnë së ligjëruari nga maja e kalit si mëmëdhetarë të kulluar dhe pastaj bëjnë gjumë të trazuar gjoja për fatet e ekonomisë, shëndetësisë, arsim-kulturës etj. Atje, nëpër vila e apartamente të shumtë të siguruara me “rroga shteti”! Por c’po na shikojnë sytë e c’po na dëgjojnë veshët kohët e fundit ?

Konkretisht, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po mësojmë mjaft shifra e fakte të reja tronditëse rreth pasurive të pista që zotërojnë jo pak gjyqtarë e prokurorë zuzarë. Dhe u bëhen ende temenara e tralalara me shkresa e parashtresa pa fund, me pyetje e përgjigje ceremoniale, me avokatë e pa avokatë privatë, me ekspertë e pa ekspertë ekonomiko-financiarë, me kallauzë e pa kallauzë dëshmitarë, me kontrollorë vendas e ndërkombëtarë. E, këto odisera juridike duken thjesht sikur duan të shuajnë urinë e medias përtace të mbërthyer nëpër sallat e metropolit. Pra, ujkun e kanë para syve dhe kërkojnë me zell gjurmët !

Askush nuk pyet drejtpërdrejt : Si dhe përse u pasurove pasi u ule në karrigen e prokurorit a të gjyqtarit?  Po “dhuratat” e “trashëgimitë”, “borxhet” a “kreditë”, përse vërshuan vetëm kur kryeje këto detyra në piramidën e Drejtësisë ?

“-Nuk e harroj atë dialogun me thumba therës, para dy muajsh te Ura e Tabakëve në Tiranë. Sapo ishe takuar me një gjyqtar të njohur dhe po e dëgjoje se si u kishte falur fëmijëve nga një apartament me garazh për veturat fringo…Ti, miku im, 20 minuta më parë kishe dalë nga Banka ku shlyen këstin mujor të catisë që fut kokën për strehim.

Befas, e pyete si me shaka : -A të kujtohet kur punova pak kohë në ministri ? Mua më paguante shteti sa dyfishin e rrogës tënde. Aman, më qafsh, si ke kursyer kaq shumë që arrite të blesh disa apartamente të reja ?! Apo, atje ku ka rrjedhur edhe do pikojë…

Vecse ti buzëqeshe paksa hidhur, ndërsa ai palo gjyqtar pa orën si vetëtimthi dhe u largua shpejt se do i fillonte seanca e radhës për një “cështje me spec”. Por pyetjen tënde e la varur e të pakallur, pa përgjigje…”.

Ne mesditë televizionet dhanë lajmin e zakonshëm për ecurinë e Vettingut në Drejtësi, e konkretisht për një prokuror që nuk i justifikoi dot pasuritë përballë Komisionit(KPK). Mirëpo, asnjë gazetar nuk u ndal sadopak te një dukuri irrituese që meriton vëmendje e fshikullim publik : Të shkruarat zyrtare nga Inspektoriati i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive, në rastin konkret e nxirrnin të larë e qelibar !? Pra, gjetkë dasma e gjetkë daullja korruptive. Inspektoriati përkatës, të duket se luan vetëm rolin e magazinës me inventar deklaratash dhe herë-herë bën tellallin e rëndomtë të një kohe të shkuar, sidomos në fshatra.

Pa i hyrë verifikimit e analizës së plotë, ligjshmërisë e paligjshmërisë pasurore të individëve me poste shtetërore. Duke u tjetërsuar edhe në noterë symbyllur të deklaratave personale. Por rrënjët e kësaj dukurie, me siguri janë më të thella e erërënda. Fjala vjen, për 6 vitet e fundit, opinioni i ndershëm publik do të dijë nga ky Inspektoriat se sa e cilët zyrtarë janë paditur në Prokurori (me emra e mbiemra) për shumat marramendëse të rrëmbyera dhe c’përgjigje ka marrë. Apo rrofshin raportet paradë me përrenj parafabrikatesh e përqindjesh gjumëndjellëse një herë në hënë, në Parlament (Një herë në mot, dil e kullot !). Dhe shushatin njerëzinë, vetëm duke i rënë kambanës pa thumb të Transparencës sa për “aperitiv” orekspashuar. Ose sa për të na kujtuar se “jemi gjallë”…

 

Populli nuk ha bar, e as është shurdhmemec. Kriza e besimit dhe pakënaqësia po arrin kulme të reja, të frikshme. Vetë faktet dhe shifrat ulërake po nxjerrin lakuriq rrumpallën e kupolës politike në Shqipërizën tonë, kupolë që zbraz trasta e thasë me gënjeshtra përballë njerëzve të thjeshtë e të ndershëm që shtyjnë muajin si me shpirt në dhëmbë. Majtas e Djathtas ! Disa kokorocë të regjur e ftujakë, të përdorur vazhdimisht nga Polit(h)ika pa moral nëpër vite(edhe pasardhës të tyre), po hyjnë serbes-serbes edhe nëpër Këlëpëra e Këlëgjëra, gjithnjë sipas fasadës në emër të “pavarësisë”, “profesionalizmit” apo në emër të “meritokracisë”(kupto: militantizmi e nepotizmi sa një mal). Prandaj edhe Vettingu zhurmëmadh në media, shpesh nuk dallon shumë nga mitingu. Shkurt, Inspektoriati i Pasurive i bie gozhdës, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i bie patkoit ! Dhe njerëzinë e pushton dëshpërimi e zhgënjimi real, përballë pyetjes taze e pa naze : Kush ia fut si kau pelës në këto dy institucione hijerënda ?! Apo le të shpresojmë ende te Parlamenti reumatik e astmatik që s’po mban do poturet e veta këllirë…

 

 

5 komente në “Gjithe dyshimet per Vetingun e Drejtesise dhe politikes”

  1. Zamiri says:

    Me pelqen shkrimi per realitetin qe sjell, duke prure shqetsimin real te njerzve. Njerzit e perkrahin me force ate dhe presin e shpresojne ne ngritjen e SPAK dhe Byrose Kombetare te Hetimit. Por tani, qe nga une me lodhin dyshimet kur shoh e lexoj per guret qe duken gjate vetingut. Nje palo Komision i Deklarimit dhe Kontrollit te pasurive me mire te quhej Komisioni i Fshehjes se pasurive te prokurorve, gjykatsve, politikanve sepse hajdutet te virgjer i nxjerr. Por dhe Komisioni i Kualifikimit konfirmimin ne detyre te disave me ne krye Zaganjorin duket i ka marre ne mbrojtje, prandaj dhe njerzit dyshojne perseri.

  2. Mentori says:

    I sakte dhe i drejte z. Mertiri si gjithnje dhe ne kete shkrim. Populli sic e thua nuk eshte i verbet apo shurdhmemec. Ato qe po shohim jane uleritse. Zuzaret ne gjykata ne prokurori, ne administraten shtetrore nuk i numurojne dot ato qe kane vjedhur. Nuk mjafton ti flakshe ata e ti rrasesh ne burg, por pasunite e vjedhura ti kthehen popullit.

  3. Kaninjoti says:

    E ka thene bukur i paharruari Ali Asllani:
    Hani pini dhe rrembeni mbushni xhepa, mbushni arka,
    Te pabreke ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka.
    Hani, pini dhe rrembeni, eshte koha e cakenjve,
    Hani, pini e rrembeni, eshte bot e maskarenjve.
    Vendi qenka sofra e qorrit, vlen per goje e lefyte,
    Beni sikur vini vetull, shoku shokut krreni syte.

  4. Llaman says:

    Puna eshte se edhe ky artikull eshte ne serialin “qe te gjithe jane te molepsur, pra nuk behet ky vend”. Autori ben konstatime ne nivelin e perceptimit te tij, duke ju bashkuar ankeses se pergjitheshme. Sikur artikulli te ishte investigativ autori do te ishte me bindes. Por ai ka zgjedhur rrugen e zakoneshme te kazanit, duke lerosur te gjithe. Sigurisht autori e ka aq experience ta beje kete gje (investigimin), por ajo eshte e rrezikeshme. Fol pa emra, fole pa fakte apo me fakte evazive dhe shaj majtas e djathtas, lart edhe poshte dhe je ne rregull.
    Opinionin publik ne nje shkalle te larte e perfaqeson gazetari. Dhe ai ka mundesi te skanoje fakte konkrete ne vend qe cdo here te jape nje radiografi te pergjitheshme. Por ai nuk desheron te hyje kaq thelle! Brenda ketij hartimi ka njeqind tema per artikuj te nivelit Pulixher. Na rrofshin hartimet !

  5. Cane Vermiku says:

    E di si e shoh une kete bajge Llamani?
    Si kallaises tiganesh, kazani.
    Si dje dhe sot vetem kallais,
    Me buze te qeshur, dorefshehur te ben pis.
    Hiqet si mik, madje kaluar mikut
    Gjarper kallai, strukur furrikut.
    Une qe e njoh kete rrace Llaman,
    Ruhuni prej tij, se te vret e te qan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje