Kryetari i LDE Arian Galdini ka zhvilluar një takim në Romë me Zv/ Presidentin e Parlamentit Europian Fabio Massimo Castaldo.
Politikani i Opozitës shqiptare Galdini i ka shprehur Zv/ Presidentit të Parlamentit Europian, pikëpamjen e tij dhe të LDE mbi zhvillimet politike aktuale në Shqipëri.
Galdini i tha europarlamentarit Castaldo se: “Vendimi që ka marre LDE për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale nuk është aspak as braktisje e Opozitarizmit dhe as e Koalicionit Opozitar.
Ne si LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë ndajmë opinione dhe qëndrime të ndryshme me aleatët tanë mbi strategjitë dhe veprimet e ndërmarra prej tyre pas 16 shkurtit 2019 e këndej, por ama jemi të qartë e të vendosur në kërkesën se KM Edi Rama përbën tashmë një rrezik publik për demokracinë, lirinë, udhëtimin europian dhe financat e shqiptarëve.
Ne si LDE nuk e mbështesim aspak, madje e quajmë krejtësisht të gabuar “djegien e mandateve”, sikurse nuk e ndajmë aspak gjuhën ultimative, konfliktuale e madje shpesh herë edhe luftënxitëse.
Ne besojmë se Opozita duhet të bashkojë më të mirët dhe të merituarit e Shqipërisë dhe të rikthehet në institucionalizëm dhe properëndimorizëm.
Ne si LDE jemi partia e vetme e djathtë opozitare që derisot kemi vendosur të marrim pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, por nuk ngurrojmë tu bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë të Koalicionit Opozitar që edhe ata të regjistrohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Së bashku në zgjedhje ne fitojmë. Ne jemi të bindur se Opozita fiton e bashkuar.
Nga ana tjetër ne kemi dyshimet tona serioze se “lufta” e dakordësuar mes palëve është pjesë e një plani të dakordësuar gjithashtu, për të mbërritur në një “paqe konveniente” për udhëheqësitë politike të korruptuara.
Ndaj u bëjmë thirrje të gjithë miqve ndërkombëtarë perëndimorë të Shqipërisë që të ushtrojnë trysni madhore mbi palët e mëdha politike në Shqipëri që ti ndalin ujditë me konsensus negativ. Ka ardhur koha që në Shqipëri të mos komandojnë më 4 apo 5 njerëz, 4 apo 5 familje. Ka ardhur koha që liria të funksionojë në Shqipëri.
Duhet ndryshuar Kodi Elektoral. Duhet ndryshuar radikalisht. I plotë. Duhet ndryshuar sistemi. Çështja nuk qëndron tek legjitimiteti i këtij Kodi, por tek fryma e tij kriminale, antiliri dhe antigarë.
Ky Kod i miratuar nga PD – PS në 2008 është si një kontratë paramartesore e këtyre 2 partive të cilën e mbështet edhe LSI, e treta që ka kuptuar se Kodi ia jep mundësinë të endet sa në krahët e PS aq edhe në krahët e PD.
Duhet ndryshuar sistemi zgjedhor dhe përmbajtja e fryma e Kodit. Po nuk ia rikthyem shpirtin e lirisë dhe barazisë e drejtësisë së garës Kodit Elektoral, nuk e prishim dot martesën e PD me PS.”