7 prilli dhe metamorfozat e Tiranës

9 Prill 2019, 11:11Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Përsiatje pas 7 prillit

7 prilli 1939, dita kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, ndërpreu zhvillimin normal të shtetit të ri shqiptar, dhe sidomos të kryeqytetit të tij të ri, Tiranës.

Tirana është ndër të rrallët kryeqytete në Europë, për të mos thënë në botë, që u caktua si i tillë jo se ishte qendra e elitës politiko-administrative-kulturore të vendit, por thjesht për të ruajtur ekuilibrat krahinorë të një shteti të sapoformuar. Në fazën e parë të saj si kryeqytet (1920-1938), Tirana u trefishua si popullsi, por kjo rritje nuk qe pasojë e ndonjë dyndje masive demografike (dyndja e dibranëve kishte mbaruar para se Tirana të funksiononte si kryeqytet).

Rritja e popullsisë së Tiranës u bë në mënyrë graduale dhe të balancuar – si krahinarisht, ashtu edhe kulturalisht e religjiozisht. Ahmet Zogu, njeriu që kryesisht mbikëqyri procesin e rritjes së Tiranës, ishte më se i kujdesshëm për t’i ruajtur këto balanca. Ndërkohë, të rinjtë e krahinave të ndryshme, që studiuan në Europë me bursa shtetërore, u kthyen në Tiranë. Si rezultat, elita politiko-administrative-kulturore që u krijua eventualisht në Tiranë ishte përfaqësuese e të gjithë krahinave dhe feve në Shqipëri. Kështu, edhe tensionet në shtresat e tjera të popullsisë së kryeqytetit ishin relativisht të pakta, pavarësisht trefishimit të popullsisë në 18 vjet.

Me ardhjen e komunistëve në fuqi, pati një dyndje të popullsisë jugore në Tiranë, ndërkohë që një pjesë e mirë e elitës kryeqytetase u arratis, u burgos apo u internua. Të ardhurit rishtas vinin me arrogancën e fituesit të luftës, por edhe me një nivel relativisht të ulët arsimor. Si rrjedhojë, u desh kohë që të krijohej një elitë e re politiko-administrative-kulturore, e cila, edhe kur u krijua, ishte kryesisht me origjinë toske. Dhe ndoshta nuk ishte rastësi që në vitin 1972, kjo elitë vendosi të vinte dialektin toskë në themel të gjuhës zyrtare shqipe.

Ky realitet i ri u shoqërua vetiu edhe me tension në shtresat e tjera të popullsisë së kryeqytetit, pavarësisht se diktatura komuniste e mbante tensionin nën kontroll të fortë. Një shfaqje latente e atij tensioni ishte, për shembull, hasmëria mes tifozëve të “Tironës” dhe të Partizanit. Kështu, në vitin 1968, tifozët tiranas arritën deri aty, sa të bënin një demonstratë para Shtëpisë së Oficerave, pas një ndeshje futbolli.

Një shembull tjetër ishte një anektodë që qarkullonte rreth tensionit mes kryeqytetasve me origjinë nga krahinat mbi Shkumbin dhe atyre nën Shkumbin (tiranasit autoktonë i etiketonin këta të fundit të gjithë me epitetin përçmues “lapt”, një formë dialektore e fjalës lebërit). Sipas anektodës, një tiranas i vjetër thoshte se, po të kishte pushtet të plotë, do të dilte te Stacioni i Trenit me një pako gjalpë, e do t’i pyeste të sapoardhurit se çfarë ishte gjëja që mbante në dorë. Ata që nuk do të përgjigjeshin “t’lyn”, ai nuk do t’i lejonte të zbrisnin…

Zhbalancimi krahinor i krijuar në Tiranë gjatë 30 vjetëve të para të diktaturës komuniste, u korrigjua paksa në kohën kur Enver Hoxha spastroi një pjesë të elitës së krijuar prej vetë atij, të cilën e zëvendësoi me njerëz të rinj nga klasa punëtore-kooperativiste. Por sidoqoftë, Tirana e Dytë e mbylli jetën e saj me një trefishim të popullsisë (në periudhën 1938-89), si dhe me një balancë demografike që anonte nga qytetarët me origjinë jugore.

Tirana e Tretë (ajo e pas vitit 1990) ndoqi rrugën e Tiranës së Dytë. Në fazën e parë, pati një dyndje të pakontrolluar të popullsisë veriore (kryesisht përkrahëse e PD-së) dhe në fazën e dytë, një dyndje të pakontrolluar të popullsisë jugore (kryesisht përkrahëse e PS-së). Ndërkohë, një pjesë e mirë e ish-elitës kryeqytetase emigroi.

Në këta 30 vite, si rezultat e luftës së egër politike mes PD-së dhe PS-së , nuk u krijuan kushtet për koagulimin e një elite politiko-admministrative-kulturore të unifikuar – të paktën në disa pika themelore përcaktuese për përparimin e kryeqytetit dhe më tej, të të gjithë vendit. Në fakt, divergjencat brenda elitave janë të forta në çdo kryeqytet europian, por ka disa pika themelore, ku ato bashkohen…

Si rezultat i ndarjes së elitës politiko-administrative-kulturore në kampe pothuaj armike me njëra-tjetrën, tensioni karhinor/politik në shtresat e tjera të popullsisë së kryeqytetit ka qenë vazhdimisht i lartë dhe, së fundi, duket se i është afruar pikës së vlimit, sidomos pas protestave të fundit.

Por kështu nuk mund të vazhdohet! Ka ardhur koha, për të mos thënë se po kalon, që udhëheqësit kryesorë politikë të bëjnë një Pakt të Madh Paqeje, i cili do të hapte rrugën për një Tiranë të Katërt. Në këtë Tiranë, stabiliteti që do të sillte pakti, mund të krijonte kushtet për koagulimin e një elite politiko-administrative-kulturore të ngjashme me simotrat europiane, të paktën në lidhje me disa pika themelore përcaktuese për përparimin e kryeqytetit dhe më tej, të të gjithë vendit. (Përsa i përket karakteristikave të tjera, elitës tiranase ndoshta do t’i duhet SHUMË kohë për t’i arritur simotrat e saj europiane).

Një Pakt i Madh Paqeje do të ishte gjithashtu edhe pikënisja për uljen e tensioneve mes banorëve gegë e toskë të kryeqytetit, dhe më tej, të të gjithë Shqipërisë. Le të mos harrojmë ç’ka thënë Abraham Linkolni para Luftës Civile mes Veriut dhe Jugut të SHBA-së: Një shtëpi e ndarë më dysh nuk mund të qëndrojë gjatë në këmbë…(AFP.al)

7 komente në “7 prilli dhe metamorfozat e Tiranës”

  1. Shqiptari Ilirise says:

    Çfarë i ke këto gomarllëqe dhe idiotllëqe që zhgrap mor i shkundur?!!
    Nga nisesh ti që bën këto analiza idiote dhe na del në përfundime po aq idiotë që të regëtijnë ty në atë kokën tënde të mbushur me tallesh.
    Po është në natyrën e shoqërisë njerzore krijimi i grupimeve sipas interesave.Prishen disa grupime,krijohen disa të tjetra.
    Ajde idiot noterik,ajde!

  2. Haaa says:

    Si rrall intelektual ben nje analiz te sakte zhvillimit te shtetit shqiptar dhe ky shkrim ne vija te pergjigthme i bie ne koke problemit dhe kjo nuk duhet te fshehet dhe nga elita politike qe ne te vertet nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar asnjeher pamvarsishte qe mundohem ta paqesim eliten e kohes se zogut dhe kjo nuk eshte e vertete pasi nuk ka patur dhe nuk ka elita politike ne shqiperi por disa njerze matarpaz dhe pa dinjitet qe kan drejtuar shetin shqiptar qe nga temelimi i shtetit

  3. Ano Nimi says:

    Nje shkrim teresisht idiot.
    As edhe nje gjimnazist torrollak nuk do kishte guxuar te shkruante kete nonsens.

  4. olimpia says:

    Si mund te botohet nje pacavure e tille ,komplet mashtrim….Per cfare elite flet ky idiot ne vitet 30 ,per pese llafazane qe pinin kafe ne Kursal,,,,,,
    Nderkohe qe ndarjet veri– jug qe thekson ky idiot, ne pikpamjen shoqerore jo vetem qe ne Tirane u ngushtuan ,por realisht nepermjet planifikimit shteteror gati u zhduken .Nderkohe injoranti Zaloshnja akoma nuk njeh principin e gjuhes …Ajo letrare, ne te gjithe gjuhet e botes ,konfirmohet per shkaqe qe nuk varen as nga politika ,as nga sistemi por nga evoluimi i brendeshem i shoqerise dhe komunikimit .Gazeta Tema me keta artikuj perfundon ne nje fletushke rrugicash .

  5. PIRDHSESHFRYHESH says:

    po hajt bej edhe nje analize te ndryshimeve demografike ne Rome-Paris-Londer qe mos largohemi shume … pordhe me rigon ke shkruar

  6. Ivan i madh says:

    Trapi intelektual Zaloshnja, ty neoballistit Rama e mbetjeve të bashkepuntoreve te fashizmit ju urojme diten tuaj te gezuar te 7 prillit dhe te zeze te popullit shqipetar. Me sa duket kjo shkerdhate demokraci ju ka trimeruar ju krimbat e gjirizit me halet e politikes Rama, Berisha, Meta e Lulushi te trumbetoni te mirat e fashizmit. Kur para ardhesit tane i dine me mire dhe i kane hequr mbi kuris te tyre e jo ju krimbat e gjirizit te koheve moderne.

  7. Mare Nostrum says:

    Analize interesante, lexohet me kenaqesi, por per mendimin tim autori e tepron kur flet per “tensione mes banoreve gege e toske”. Te ardhurit nga ane te ndryshme te Shqiperise kane krijuar nje sens solidariteti midis tyre, gje qe mund te vihet re te Protesta e Astirit per shembull, apo te Protestat e opozites PD – LSI. Autori thekson me shume sec eshte nje diference dhe le krejtesisht ne heshtje nje diference tjeter; ate midis te ardhurve dhe vendasve. Me vendas kam parasysh pasardhesit e valeve migratore te te Kohes se Zogut dhe te Kohes se Diktatures dhe jo vetem tiranasit qindravjecare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje