Zhgënjimi i shtetbërjes!

7 Prill 2019, 19:36Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Mënyra sesi po degradon shteti ynë në kohët tona dhe kakofonia e zërave për modelet më të mira të zhvillimit e të përparimit, po i vë shqiptarët përpara një dileme të madhe shqetësuese: A po e ndërtojmë si duhet shtetin tonë apo jo në periudhën e Demokracisë?! Paçka mërzitisë, trishtimit të rrugës sonë dhe anarkisë së ideve, ne shqiptarët i bashkon ideja e madhe e origjinës së përbashkët humbur thellë në histori prej vjetërsisë, të një populli vërtetë me shumë halle dhe probleme mbijetese, vetëdija e qenësisë sonë dhe përfshirja në kohë të ndryshme në problemet e saj.

Ka një sens që e kap publikun vazhdimisht, sipas të cilit shqiptari i demokracisë e mendon shtetin ose si pjesë e shpurave të Partisë Socialiste o asaj Demokratike. Që do të thotë: vendi pret zgjidhjet nga konjukturat e administratave që dalin prej taborëve të njërës apo tjetrës parti. Pikërisht kjo zgjidhje bën që të mos i kemi si duhet funksionet e një shteti modern, ashtu siç në të vërtetë duhet ta ketë një shtet që mëton të bëjë vend në familjen e madhe evropiane.

Mbase në kushtet tona, operacioni duhet të fillojë qysh në momentin kur prezantohen programet e partive politike, ku atributet qeverisëse shtetërore relatohen por kurrë nuk zbatohen pasi këto parti sapo ngjiten në pushtet- dora vendoset pafre tek kontrolli ekonomik i aseteve kombëtare dhe ai i Drejtësisë dhe përfundon deri në fushat e tjera.

Sfida është një dhe vetëm një: paçka frymës ideologjike, presioneve të grupimeve të ndryshme, individëve, shteti duhet të ndajë dhe të përcaktojë administratën, e cila u shërben të gjithëve prej militantëve të cilët mbushin mitingjet e Opozitës dhe të detyruarit e administratës, nga ana tjetër, të cilët plotësojnë kundër-mitingjet e Pozitës.

Shteti duhet t’u ofrojë qytetarëve të vet jo thjesht shërbimet që ka detyrë t’i realizojë dhe ua ka premtuar, por edhe t’u tregojë më të afërtën e asaj të cilën ka marrë përsipër të realizojë.

A ndodh kjo në vendin tonë? Për fat të keq jo. Ata që mbushin protestat dhe që me ditë po fashiten prej mungesës së paraqitjes së alternativave ashtu si pjesa tjetër e popullsisë që punon apo që ata që ikin, kanë kuptuar se ndërrimi i pushteti do të thotë arnim i sistemit me të njëjtat andrra. Ndaj opozita e ka vështirë të mbledhë më shumë njerëz, kurse Pozitës i duhet të përdorë “kërcënimin pozitiv” për mbushjen e sallave dhe mjediseve.

Shteti duhet të jetë një arbitër që i kalon palët dhe i cili zbaton parimin e drejtësisë te qytetarët e vet. Ai duhet të respektojë në themel marrëdhëniet e pronës, prodhimit, shërbimit e të gjitha këto të dijë t’i harmonizojë me ligj. Sa më të rregullta dhe të drejta të jenë ligjet aq më e ndershme është veprimtaria e gjithanshme e jetës politike-ekonomiko-sociale.

Nëse Drejtësia po besohet se do të bëhet me kalimin e kohës, paçka se pengesat janë bash të mëdha; shteti ynë i deritanishëm mbështetur mbi këtë lloj ekonomie të munguar të tregut mund të konsiderohet si i dështuar. Prona jo vetëm nuk ka shkuar te i Zoti por është transformuar frikshëm, ashtu si kontrata sociale nuk funksion fare. Shteti ynë mbron “të fortin” kundrejt “të dobëtit”, i cili mundohet të zgjidhë shumë problematika dhe të inkurajohet pabarazia.

Gati të 110 vjetët e pavarësisë, po na mësojnë se shqiptari e ka të vështirë të bëj shtet funksional.

Shteti shqiptar i Demokracisë është njësoj i padrejtë si ai i Socializmit me qytetarët e vet, sepse i mungojnë rregullat e lojës për hir të mbajtjes të një statusquo-je, si kjo e tashmja, e cila dërrmon vetë shtetin. Ky është trishtimi më i madh, humbja e shpresës ose zhgënjimi i asaj që ne të gjithë e njohim si zhgënjimi i shtetbërjes.

3 komente në “Zhgënjimi i shtetbërjes!”

  1. @autori says:

    Qe shqiptaret nuk jane pjekur akoma per te bere shtet, kjo duket qartazi ne te dyja anet e kufirit qe ndan shqiptaret me njeri tjetrin. Te gjithe te huajt e kane kuptuar, pervec shqiptareve vete. Artikulimi i kesaj te vertete te hidhur, per te ndergjegjesuar veten, perben vetem startin e nje maratone te gjate dhe te lodhshme qe ne si popull nuk jemi te pregatitur per ta perballuar. Prandaj alternativat qe na paraqiten nga elitat tona duhet te jene me pragmatike dhe te pershtatura me rrethanat aktuale te realitetit europian ku aspirojme te integrohemi. Njerezit kerkojne zgjidhje dhe jo vetem konstatime. Zgjidhjet do te vijne vetem duke u shkeputur nga sistemi yne i brendshem e referimit.

  2. Pellazgos says:

    Kur ka patur shtet Al-bani qe nga koha e majmunit qe u “be e pamvarur” para 110 vjeteve zoti Andoni?
    Nuk ndertohet Identitet mbi Identitetet e tjera.
    Shqiperia myslimane sipas Bushit dhe jo vetem e tij,po nuk u Katolicizua nuk do shikoj nje dite te bardhe,te pakten ekonomikisht dhe pa ndergjegje kombetare.

  3. gazmendi says:

    ceshtja duket e pazgjidhshme sepse ne thelb nuk eshte politike por kulturore dhe mendesie…pamundesia per te ndertuar gjeometri te raporteve personale, ekonomike dhe publike eshte tipike e te gjithe mesdheut dhe ballkanit…pavdekshmeria e Unit eshte perkthyer ne nje pakufizueshmeri te Unit, e cdo nderveprim nuk shkon dot pertej ketij cakut..e Tjetri eshte gjithnje nje objekt, nje send I disponueshem me qellim te realizimit te pakufizueshmerise se Unit..dmth plako, popull tebdil e turkoshak…kshuqe ske zgjidhje as ti e skam zgjidhje as une

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje