Nga Enkel Xhangoli
Në një vend si Shqipëria, ku synohet përqafimi i parimeve demokratike dhe europiane, protestat janë normale dhe ndihmojnë në strukturimin e shoqërisë. Por, këto protesta janë të shëndetshme për demokracinë deri në kuadrin ku përfaqësohen këto parime, dhe jo kur tejkalohen për interesa të ngushta personale apo partiake.
Në optikën time, protestat këmbëngulëse të opozitës, jo vetëm që po tregojnë qartë interesat e tyre selektive dhe për pushtet, por çdo ditë e më tepër po lodhin shoqërinë dhe mbi të gjitha elektoratin e tyre.
Thënë këtë, jo për të treguar që protestat e opozitë nuk janë të nevojshme, pasi në një qeveri e cila rrit tasat, rrit papunësinë dhe që ka probleme në çdo sistem, natyrisht që mënyra e duhur dhe demokratike është largimi i saj me protesta.
Por, nga një protestë që udhëhiqet nga parimet dhe jo nga interesat për pasuri dhe pushtet. Protesta e të mërkurës ishte një nga protestat ku u bë zhurmë, por nuk prodhoi asgjë, madje as presion ndaj qeverisë.
Personalisht mendoj se, është e shëmtuar të dëgjosh në protestë nga drejtues partish teksa urdhërojnë të rinjtë e forumeve të partive të tentojnë të çajnë kordonin e policisë. Është e shëmtuar teksa shikon që të rinj e të vjetër përplasen fizikisht me punonjësit e policisë për lavdi të krerëve të partisë.
Dhe është akoma më e shëmtuar kur po këta krerë partish që kanë mbledhur militantë nga e gjithë Shqipëria për të rrëzuar qeverinë “Rama” buzëqeshin dhe thonë “sa qejf kanë njerëzit të shtyhen”. Këtë fjali e kam dëgjuar vetë teksa isha mes turmës së protestuesve si gazetar dhe pranë meje kisha kryetarë dhe ish-deputet të opozitës.
Ndërsa, krerët e forumeve rinore, sikur të ishin komandat të batalionit të tyre, japin urdhra kur duhet të shtyjë policinë PD dhe kur duhet të shtyjë LSI. Këto janë gjeste të cilat bëjnë që protestat të humbasin kuptimin, shpresën dhe rëndësinë e saj.
Pyetja që pothuajse të gjithëve u shkon në mend është nëse a janë këto protesta për popullin. Për mendimin tim jo! Pasi po protestohet çdo javë për të sjellë në pushtet politikanë të cilët janë provuar dhe janë akuzuar për miliona euro korrupsion.
Nuk mendoj se vitet e të qenit në opozitë i kanë bërë njerëz më të mirë, ndoshta i kanë bërë më të uritur.
Në vendin tonë protestojnë hienat për t’u marrë pushtetin ujqërve, ndërsa populli është si kamxhik që përdoret nga krerë partish dhe qeverisë sa herë ata kanë nevojë. Nuk dua të zhvelërsoj aspak protestën e opozitës, apo t’i jap të drejtë qeverisë së PS, pasi nëse do flisnim për qeverinë ka mjaftë skandale dhe akuza që të zhduket një ditë e më parë.
Prej 6 vitesh kjo qeveri duket se jeton në një botë tjetër paralele, ndërsa mendon dhe thotë se mirëqenia e qytetarëve është rritur, po ashtu të ardhurat dhe punësimi. Por në fakt e vërteta është zi e më zi, jetesa është shumë herë më e shtrenjtë tani se në vitin 2013, ne u mashtruam nga qeveria e “Rilindjes” për rritjen e punësimit, për shëndetësinë flas dhe për uljen e taksave (në fakt i rriti).
Pa përmendur këtu mashtrimet e bëra gati në përgjërim gjatë protestës së studentëve, ndërsa sot pas 4 muajsh nuk shikojmë ndonjë ndryshim konkret në universitete.
Këto protesta e kanë humbur busullën për të gjetur interesin e popullit, ndërsa nocioni demokraci në vendin tonë ka ngelur si një anije në mes të detit që shpesh herë tundet nga ndonjë dallgë e fuqishme dhe kjo ndodh rrallë, por shumë rrallë.
Unë besoj se protestat e vazhdueshme të cilësuara si të jashtëzakonshme për vendin tonë, shumë shpejtë do të bëhen të zakonshme, do të pranohen dhe do të shfryhen me kalimin e kohë, por ato nuk po ndikojnë dhe me këto ritme as nuk kanë për të ndikuar në dobësimin autokracisë së Ramës dhe aq më pak të sjellë në pushtet opozitën.
Nuk është e vështirë të kuptosh se protesta po zhvillohen dhe po mbahet ende gjallë nga Partia Demokratike, ndërsa LSI vijon me zakonin e vjetër duke ngrënë në kurriz të partive të mëdha.
Pas mbarimit të protestave, mendoj se do të kemi shumë shpejt dhe një krisje të PD me LSI, dhe kjo do të ndodh kur selia blu nuk do të mund ose nuk do të dojë të ushqejë më aleatë që bëjnë sikur e forcojnë, por në fakt e dobësojnë.
Protesta e të mërkurës, parë nga këndvështrimi im ishte një dështim, ku përveç se bllokuan rrugën, nuk ndodhi asgjë që të mund të shkundte themelet e qeverisë dhe tregonte prezencën e opozitës.
Ajo që ra më shumë në sy se vet protesta ishin dy rastet e dhunës mes vetë protestuesve, të cilët etiketonin njëri-tjetrin si spiunë dhe të infiltruar të policisë dhe qeverisë “Rama”.
Në fakt, këto ngjarje dhe situata politike në vend më kujtojnë fjalët e At Zef Pllumbit se e keqja jonë vjen “prej vetvetit, prej njëri-tjetrit, prej shqiptarëve”.
Mjaftojnë këto fjalë që të kuptojmë dhe reflektojmë se si ne shqiptarët jemi ndarë në grupime partish dhe kemi harruar të bashkohemi për të luftuar për të drejtat tona pa asnjë dallim partiak.
Në gati tre dekada demokraci, ne kemi parë se si pasurohen politikanë dhe njerëz të lidhur me ta, por kurrë nuk kemi parë një popull të pasur. Në këto kushte lind pyetja; nuk di populli të pasurohet, apo është vjedhur nga këta politikanë që janë në qeveri dhe nga ata që kërkojnë të vinë në pushtet?!
Kjo është një pyetje të cilës përgjigjen ia dinë fortë mirë qytetarët shqiptarë.
Fatkeqësisht në Shqipërinë tonë, ende luftohet për të dobësuar qeverinë dhe jo për të forcuar opozitën.