Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, nuk ka kohë të qetësohet, sepse pas fitores në Durrës i duhet të përballet me Kukësin, para se të ndeshet dy herë rresht me Luftëtarin mes Kupës e kampionatit. Një udhëkryq i rrezikshëm, por Tirana ka pasur shumë të tillë këtë sezon dhe Mema kërkon vetëm që të luhet futbol i pastër dhe ekipi i tij të vijojë me paraqitjet e ndeshjeve të fundit.
Kukësi përpara dhe 3 ndeshje në një javë – “Përqendrim maksimal nga të gjithë, asnjë dallim mes kompeticioneve. Kemi qenë goxha mirë në Durrës, duhet të vijojmë prej aty.
“Tifozët? Keqardhje që nuk do jenë, janë pjesë shumë e rëndësishme e jona dhe e pamë edhe në Durrës. Ngo? Kthim goxha pozitiv, sepse me të ekipi ka më shumë besim te vetja. Megjithatë, edhe lojtarët që kanë qenë të gatshëm në ndeshjet e fundit më kanë pëlqyer shumë, kanë qenë të rëndësishëm. Ngo ka pak ditë që stërvitet, në mënyrë individuale më herët, ndaj është rikuperuar, por në një fazë kaq delikate dhe pas një pushimi disi të gjatë, Michael duhet administruar mirë.
“Kukësi dhe motivimi i tyre? Ne duhet të përqendrohemi në maksimum në çdo ndeshje. Nuk e them dot që jemi të avantazhuar, do ta shohim nesër, aq më shumë shumë do jemi pa tifozë, pa ta do jetë si ndeshje e vdekur. Na duhen pikët, duhet t’i marrim.
“Muçi titullar në Durrës? Luan kush më bind në stërvitje, ai më ka bindur prej kohësh. Nuk ka rëndësi mosha, nuk fitohet me deklarata.
“Formacioni? Turtulli ka pasur probleme fizike, edhe Kërçiku po ashtu ka pasur dëmtim në gju dhe presim përgjigjen e rezonancës magnetike.
“Kastrioti ndaj Partizanit, sa rëndësi ka ajo sfidë? Së pari, duhet të bëjmë llogaritë tona. Kemi lënë pikë shpesh duke i falur ndeshjet, ndaj këtu duhet të bëjmë shumë kujdes, pa bërë asnjë llogari për momentin. Tifo për Partizanin? Kur mundëm Kukësin në fazën e tretë thashë që nuk do doja kurrë ta nxirrja Partizanin kampion, por në kemi luftuar dhe luftojmë për vete, ashtu si çdo ekip bën llogaritë e veta. Partizani është në krye me meritë, edhe Kukësi i meriton pikët që ka dhe ka lënë shpesh pikë për gabime të vogla.
“Futbolli i tavolinave? Dua Fair Play në çdo ndeshje, vetëm kaq, nuk dua të merrem me akuza e polemika. Di vetëm që Tirana luan në fushë dhe pranon çdo rezultat që prodhon fusha.
“Gentian Muça? Është afër formës së plotë, në të ardhmen do të ketë më shumë minuta, sepse ka cilësi dhe eksperiencë”.