Opozita që SHBA-ja kërkonte prej kohësh

25 Prill 2019, 09:20Politika TEMA

Nga Ardian Ndreca

Ka pak shekuj që bota e qytetnueme e ka zhvendosë luftën politike në nji vend që quhet parlament, por ka shumë ma tepër kohë që instinktet e ulëta shkatrrimtare tentojnë me zhvendosë çdo lloj përballjet me natyrë politike nga agoraja në rrugë, në mal, në skuta, tue i mohue individit të drejtën e të qenit përballë me tjetrin e të dialogut me nji mjet të brishtë dhe bashkimtar njiherit siç asht arsyeja.

Arsyeja asht fuqija e vetme, privimi prej saj asht impotenca ma e madhe e jetës civile dhe mohimi i lirisë të të qenit njeri.

Tradita e kuvendit demokratik tek ne asht po aq e vjetër sa asht festa e halloween, me të cilën ka të përbashkët fantazmat që ndjellin zi si dhe krenat e kungujve bosh.

Këta të fundit tue ndjekë symbyllë fantazmat e tyne braktisën parlamentin. Tue dalë prej atij logu opozita shqiptare kreu sakrificën madhore, atë që s’e ndeshim as në shoqnitë primitive nën vijën e ekuatorit ku guximi asht i vetmi etalon i ekzistencës: ajo tredhi vetveten dhe humbi çdo lloj kuptimi politik që mund të kishte.

Kjo tregon se tek ne zgjedhjet janë nji proces qesharak pse ligji që i rregullon në kushtet tona konkrete i kthen në nji farsë ku votuesi e humbë kuptimin e vet në momentin që shtin fletën e palosun në kutinë e votimit.

Opozita e vetëtredhun shtyu javë dhe muej si nji sharabajkë e çmendun në teposhte e të gjithë e panë qartësisht se ata që dolën prej kuvendit treguen se nuk meritojnë ma kurrë me u kthye aty, pse arsyeja e qenjes së tyne në politikë nuk ka asnji lidhje me zgjedhësit por me disa familje kriminale që rrezikojnë seriozisht burgun dhe konfiskimin e pasunive të vjedhunave.

Protestat e këtyne muejve e deklasuen gradualisht uraganin që premtonte Nastradini i opozitës në nji shi pranveror që as lagë dhe as nxjerrë motin e mirë.

Torollakët dhe pitigonat që bahen zana të tretë në korin e çjerrun të hajdutëve dhe vrasësve s’kanë asnji të ardhme tashma. Politika nuk asht kurrë nji fenomen privat ku mund të jesh vetvetja tue nda llogoren me maskarenjtë. Në këtë sens Basha ka mbërrijtë me e shkatrrue opozitën shqiptare. LSI-ja nuk mund të konsiderohet parti e mirëfilltë dhe si e tillë i ban opozitë reformës në drejtësi ashtu siç i bajnë keqbasit ordinerë, në nji mënyrë jo politike.

Dinamikat e muejve të fundit njohtën nji faktor të ri e të panjohun ma parë, e kam fjalën për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj i cili shmangu me vendosmëni viktimat që kërkonte minotauri Berisha. Ministri Lleshaj për integritetin moral që ka asht shumë ma nalt se të gjithë kritikët e tij, sidomos ata që ulen krah për krah me vrasës e hajduta dhe grazhdohen prej tyne.

Ata që janë përgjegjes për plumbat vrastarë në mes të Tiranës u ankuen për gazin lotsjellës. Le ta provojë ndonjeni prej tyne me sulmue me shishe molotov pallatin e qeverisë në Romë, Dublin apo në Madrid dhe do ta shohë se çka do t’i ndodhin! E kemi të qartë që s’u hiqet mendsh kujtimi i 1997-tës por ajo histori nuk ka shanse me u përsëritë për me i shpëtue prapanicën kurrkujt. Gazi lotsjellës asht minimumi që mund të përdoret ndaj çdo individi që cënon rendin kushtetues dhe bashkon forcat me ata që e cënojnë atë.

Këtu hyjnë edhe të gjithë të mjerët në sensin hygoian të cilët marrisht besojnë ende se Berisha, Basha apo çifti presidencial nuk flejnë natën për me i nxjerrë nga mjerimi i skajshëm. Të “mjerët” e mirëfilltë, jo ata që kanë vila në Lalëz, nuk i paraqesin asnji zgjidhje vetvetes kur mtojnë me sulmue parlamentin me dhunë. Mos të harrojmë se të mjerët shumë lehtë mund të bahen edhe të poshtër, ne këtë gja na e ka tregue ma së mirit historia gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluem.

Ministri Sandër Lleshaj vendosi tarifa të reja për ata që emulojnë kriminelat dhe banditët që krijuen vitin e mbrapsht 1997, çdo akt kriminal lahet me lot aty për aty, por jo me gjak siç bante Berisha me Bashën për me mbrojtë Ilir Metën.

Nji opozitë e kalbun u vetëpërjashtue nga parlamenti e nji fat i tillë ndodh shumë rrallë. Nji opozitë e re po ia merr vendin dhe çkado që të bajnë do të jetë ma shumë sesa ajo që mbërrinte me ba ajo masa e pangjyrë dhe pa identitet që doli në mes të rrugës.

Ballirët, Bylykët e Bashës, Salianjët e Bardhët, patroklët shakllabana të demokracisë, do të vijojnë me e ngushëllue në minderet e Shqupit Akilin zaçjerrun që s’njeh as dy strofa të himnit kombtar, derisa të kumbojë edhe për ta ora e fundit në politikë.

Nji opozitë e re, shumë e dëshirueme prej miqve të huej po merr jetë dhe si Astrit Patozi si ata që e mbështesin do të kenë përkrahjen maksimale të aleatëve strategjikë të vendit tonë, pse nji opozitë si ajo e Bashës vetëm nji gja kishte sigurue deri më sot: karrigen e patundun të Edi Ramës.

Gjithçka do të kthehet në normalitet, kush mton me veprue ndryshe tue cënue rendin kushtetues me mjete joparlamentare dhe tue luejt në favor të atyne që kërkojnë me destabilizue Ballkanin do ta pësojë keq.

Çka përfaqsojnë për Shtetet e Bashkueme Berisha, Luli apo Monika në krahasim me Sadamit apo Gedafit? Ata s’vlejnë ma shumë se dy-tre kryepleq të lodhun katundit që s’çojnë kandarë për asgja! Rrjedhën e gjanave nuk do të mund ta ndryshojnë as lolot e oborrit, as kumarxhijtë dhe pijanecat profesionista, madje as pehlivanët e prostituimit mediatik që parja e Gërdecit ka ndërsye në këto orë me shantazhe kundër disa prej atyne që duen me u impenjue në opozitën e re.

Ka disa gjana në histori që mund të superohen por nuk mund të zhbahen. Ashtu si Haxhi Qamili dikur, sot Sali Berisha me zhganin e tij nuk do të mund ta kthejë mbrapa orën e Shqipnisë.

Tashma Edi Rama duhet të ndihet ma pak i sigurtë sesa ishte me Lulin, pse nji opozitë e mirëfilltë demokratike mund t’ia tundë themelet e tija prej kashtet edhe në fund të kësaj legjislature.

T’i braktisim njiherë e mirë regjistrat e zbrazun prej çdo kuptimësie: e majtë e djathtë, shpresojmë në nji opozitë të fortë që s’ka nevojë me mbrojtë as hajdutat e Rrugës së Kombit, as vrasësit e Gërdecit dhe as ata të 21 janarit, por t’ia mbledhin kompromisaxhisë së dashunuem me vetveten dhe veleitarit të vetëkënaqun që asht në atë vend vetëm prej iluzionit të nji “horror vacui” të pandehun. Zbraztia nuk ekziston as në natyrë e aq ma pak atë mund ta mbushin në politikë dioskurët qesharakë si Rama e Basha.

Rrugëtim të mbarë Astrit Patozi dhe opozita e re!

(TemA)

14 komente në “Opozita që SHBA-ja kërkonte prej kohësh”

  1. Emily says:

    asnje skonto dmth, ha ha ha.. dioskuret?? sa kam qeshur, po marrin vesh salianuset se cfare jane dioskuret? kujtojne se mos jane parazite zorresh

  2. Flutura says:

    Udhe te mbare pra!

  3. a.f. says:

    Te urosh Astrit Patozin per “rruge te mbare” eshte si te thuash qe Berisha ka lene nga pas “ushtare te mbare”..

    1. f.a. says:

      Ehte veshtire te gjesh njerez ideale, por ne nje parti te perlyer nga te gjitha anet, njeriu me pak i perfolur ka qene Astrit Patozi, dhe te mos harrojme qe ka qene edhe nenkryetar i PD. Une per vete nuk kam degjuar ne media ndonje pisllek te Z. Patozi, megjithate nuk e ve doren ne zjarr per te. Por, se ka qene ne nje parti me Berishen, kjo nuk na jep te drejte te flasim keq per te.

  4. Kolona says:

    Shkruar shumë mirë po një gjë duhet ta dimë të gjithë se Patozi është i Saliut një nga veglat me të përdorura të tij. Ai është një frikacak i mjere dhe kur KERRMA ti nxjerrë dosjet apo materjalet e arshivuara patozi i heq brekët dhe del lakuriq me duar në xhep

  5. John says:

    Usa nuk eshte kurre per partiza e particka. Eshte per sistem dypartiak ndaj eshte abuzim kur flitet keshtu per shijet e kulturen politike amerikane.

  6. kodra pas bregut says:

    Perpos perpjekjes infatile per ti bere karshillek Kollosit thatanik , MIGJENIT , duke zgjedhur dialektin ndoshta me te Mire te gjuhes Kombetare Shqipe , ate Shkodran , Ndreca gabon rende derisa i thur hosanara “ Yllit me te Ri ne Ngjitje “ , qafeleshit Astrit Patrosit , Dardajanit te Opozites se Re .
    Patosi eshte thjesht nje reminishence , nje ordiner i radhes infinitive te Opozites .
    Derisa Patosi nuk artikulon asnje Germ kunder se keqes qe ka kapluar PD-ne per thuajse 30 vite , do te shkrihet si vesa e mengjesit ne nje dite Korriku .
    The te besosh pastaj se USA zyrtare e ka gjetur Barken e Noes qe do ta nxirrte ne Breg PD edhe ashtu te mbytur .

    1. Syri magjik says:

      Kolosi thatanik ??? ti me siguri do jesh nga ata te dhjamurit derra te kenaqur te ndonje oligarku katundar lokal

  7. klumshi says:

    Artikulli eshte me vend dhe i goditur. Vetem mu duk se kishte nje kontradiksjon – Astrit Patozi eshte nje nga ata qe ka vile ne Lalez nese nuk gaboj dhe dihet se nuk eshte se e ka vene me djerse. Tjetra pastaj, u dogj Shqiperia qe te riciklohet nje person qe ka qene pjese e oborrit te Sali serbit per vite me rradhe. Ka shqiptare adademik e shume me teper te bukur neper bote qe mund t’i sjellin vendit freski dhe nje kulture te mirefillte perendimore qe ndryshon diametralisht me keta qe po ofrohen gjoja si opsion i ri. Hajdari mund te jete vajze shume e mire por fakti eshte se perpos mos-fluencis ne te folur, i jati ka shume njolla dhe pjese te errate ne CV e vet. E ema gjithashtu nuk eshte se e beri gjithe ate pasuri duke lare e shplare rrugeve te europes si emigrante. Sillu nga sillu dhe hec e me i kunj e lidhu nuk behet kjo pune. Shqiperia ka nevoje per nje shkeputje totale nga e kaluara liberalo-komuniste e cila i uron tipave si Paotozi nje rrugetim te mbare per te mos ja u pare me bojen kurre.

  8. 19 says:

    Ku eshte dallimi i ktij spinxhuksi nga derrat e tjere te Pd.kta jane te gjithe pa by…….. para Sales kot bejne gam gam .

  9. S’,po bezan Gjelina Marki?!??

  10. Fadili, Malesi e Madhe says:

    Kur e lexova, mendova se mos ia ka shkruar Taku, (ai i Ngjeles e jo Taku i Tufes). Sa per Patozin, te kane shkruar komentuesit e tjere. A nuk eshte “personazh” i gjithe krimeve te kryera nga Berisha ne gati tri dekada, e ka perkrahur, ose heshtur (chi tace, acconsente) ?! Edhe diçka tjeter: Norma standarde eshte vendosur qe ne vitin e larget 1972, e detyruar…Shkrimet nuk i ben vetem per ne, verioret, por per gjithe shqiptaret.

  11. Niko Shpiragu says:

    Adrian! Shkrimi juaj eshte shume i bukur nga ana letrare dhe te kujton me te madhin shkrimtar, Migjenin dhe per kete arsye une e pelqeva ate ndoshta si asnje tjeter. Por te analizojme me thelle permbajtjen e tij: une jam dakort plotesisht me ato qe thoni ju per ate pjese te opozites qe la vendin e perballjes me fjale, parlamentin, dhe kaloi ne rruge. Ne te njejten kohe nuk mendoj se Partia e Patozit eshte e tija se ne te vertete ajo eshte varianti numer dy i PD e krijuar realisht me urdher te Sali Berishes qe ne se digjet Luli, ai te zevendesohet me Astritin. Mbase Astriti nuk eshte aq shume i pergojuar sa Basha, por prap cdo njeri i arsyeshem e di, ashtu sic e dini ju 100%, ai eshte besniku i Berishes dhe nuk ka folur asnjehere as me ze e as me figure kunder te atit shpirteror, bile kurre nuk ka bere ndonje insinuate minimale. Ai ka qene nenkryetar i PD dhe mban pergjegjesi te plote per humbjet e zgjedhjeve te 2013 e 2017 dhe asnjehere nuk e kemi pare te flasin per ndonje pergjegjesi te tij ose te grupit qe nuk u perfshi ne listat e Bashes ne 2017. Ai eshte vetem i pakenaqur per kete. Ironia me e madhe eshte se ai e di shume mire se lista nuk eshte e Bashes, por e Saliut dhe megjithate ai vetem akuzon Bashen dhe asnje fjale per Salen dhe PD. Dy gjera mendoj une dalin nga kjo: Ose ai ka frike nga Sala sic kane te gjithe ne PD, bile edhe ne media te flasin per ate se e dine cfare mund t’u ndodh me pas ose ai dhe garda tjetes si Topalli e tjere jane lene ne rezerve per nje dite tjeter me plan te Sales qe te ndryshoje kahu duke ndryshuar vetem emrat drejtues ne aparence ne PD mbasi mbreti i saj do te jete parap ai qe ka qene deri me sot, “hyjnori”. Une do te uroja, ashtu si, ju Partine e re te PD me emrin gjysem qesharak “Bindja Demokratike” per suksese ne se do te ishte me te vertete e re, por fatkeqesisht mendoj se ajo eshte varianti rezerve i PD se vjeter e cila do te kete prap udheheqesin e “lavdishem” te derisotem te saj ne krye. Me respekt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje