Vendi i katërt në botë për nga numri i popullsisë pritet ta zhvendosë kryeqytetin e vet. Indonezia do ta zhvendosë kryeqytetin diku tjetër në arqipelagun aziatik, pasi Xhakarta bëhet shpesh subjekt përmbytjesh dhe është e mbipopulluar.
“Presidenti ka vendosur që kryeqyteti i vendit të jetë jashtë ishullit Java”, njoftoi ministri i Planifikimit, Bambang Brodjonegoro.
Për të argumentuar vendimin, ministri solli shembujt e Brazilit, Australisë dhe Kazakistanit, të cilët në një moment të historisë së tyre i kanë zhvendosuar kryeqytetet. Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale pritet të dalin më 22 maj dhe rivali i presidentit Joko Widiodo, Prabowo Subianto, pretendon edhe ai fitoren.
Xhakarta ka një popullsi zyrtare prej mbi 10 milionë banorësh, ndërsa rreth 60 për qind e 260 milionë banorëve të Indonezisë jetojnë në ishullin Java.
Gjysma e sipërfaqes që përmbytet është nën nivelin e detit dhe vazhdon të zhytet me një ritëm alarmant. Sipas një raporti të Bankës Botërore, Xhakarta mund të arrij një nivel 40 deri në 60 cm më të ulët në vitin 2025, sesa ishte në vitin 2008. Një “zhytje” e tillë do të thotë praktikisht që deti do të hyjë në Pallatin Presidencial, i cili ndodhet rreth pesë kilometra në brendësi të kryeqytetit. Megjithatë, lëvizja e kryeqytetit mund të zgjasë deri në një dekade dhe kërkon përgatitje të jashtëzakonshme.
Vendi ku do të jetë kryeqyteti i ri nuk është përcaktuar ende. Një opsion i mundshëm është Palangkaraya në ishullin indonezian Borneo, ku rreth 300 000 hektarë tokë tashmë janë përgatitur për banim në rast se vendoset që aty të jetë kryeqyteti i ri.
Problemi i zhvendosjes së kryeqytetit është ngritur shumë herë më parë, që kur Indonezia fitoi pavarësinë nga holandezët në vitin 1945, por asnjë prej gjashtë presidentëve të vendit nuk ka arritur ta ndërmarrë këtë lëvizje të guximshme. (TemA TV)