Brenda kampit të përqendrimit në Austri, ku vdiqën 450 shqiptarë

6 Maj 2019, 22:20Sociale TEMA

Nga Fjorda Llukmani

5 Maji i këtij viti ka qenë më i veçanti për mua. Te varrezat e Dëshmorëve në Tiranë kam shkuar me gjyshen kur isha e vogël, por s’e kuptoja fare çfarë do të thoshte. E mendoja thjeshtë që disa heronj kanë vdekur në luftë për vendin edhe nderohen pas vdekjes.

Në Austri, 5 Maji është dita e çlirimit të një prej kampeve më famëkeqe të përqendrimit, Mauthausen. Bashkimi Evropian dërgon delegacione çdo vit, e kësaj here ndodhi të isha një prej tyre. Para se të niseshim lexova pak për kampin në Google, por kurrë s’ma priste mendja që aty do të ishin vrarë dhe shqiptarë.

Zgjohem në mëngjes me përtesë sepse po binte shi. Aq ftohtë pata sa po përtoja të shkoja. I thirra mendjes e i thashë: ‘Pale kur të bie rasti herë tjetër të vizitosh një kamp përqendrimi. Mblidh kockat e çohu shko në destinacion. Gocë e re s’paske takat ti!’ Takohem me disa nga kolegët e punës e të tjerë që punojnë për BE-në në Vjenë dhe nisemi me autobus për në Linz, ku gjendej dhe kampi.

Nuk e dija rëndësinë e eventit derisa pashë mijëra persona me flamurë të ndryshëm. Delegacione të panumërta që vinin për të nderuar viktimat e Holokaustit. Të burgosurit e parë, të cilët kanë ndërtuar dhe një pjesë të kampit, kanë ardhur në vitin 1938.

Më pas në 5 maj të 1945 kampi u çlirua nga ushtria amerikane. Mendohet në total të jenë burgosur 190 mijë persona ku 90 mijë kanë vdekur. Nuk dihet fiks nëse këto shifra janë të sakta, pasi disa thonë që janë vrarë akoma më shumë se kaq.

Shikoj mure të larta me gjemba dhe disa kulla vrojtimi. Në dukje është tipik burg normal i ditëve të sotme, por kur futesh brenda e sheh me detaje e kupton diferencën.

Siç ju thashë ishte plot e përplot njerëz me uniforma e flamuj të ndryshëm, sepse dhe viktimat ishin nga vende të ndryshme të Evropës, jo vetëm hebrenj. Sapo hyra më zuri syri një grup njerëzish shumë të organizuar të mbledhur së bashku me trekëndësha lejla në dorë dhe fytyrat e disa prej të vdekurve në kamp.

Lexoj që ishin ‘Dëshmitarët e Jehovait’, të cilët janë persekutuar për shkak të besimit të tyre gjatë luftërave. Kjo sepse nuk nderonin flamurin, nuk pranonin të shkonin në ushtri apo nuk gënjenin dot autoritetet. Këto detaje m’i ka mësuar mami, e cila është edhe vetë pjesë  e tyre. Pastaj i rashë në të që, trekëndëshi lejla ishte si shenjë brenda në kamp për ta ditur se për çfarë arsye të kanë futur aty. Shumë e trishtë që të persekutohesh për shkak të besimit.

Tek shoh lloj-lloj flamujsh mendoja: ‘Nëse ka nga e gjithë Evropa, me siguri do të ketë dhe shqiptarë diku.’ Vetëm kur shoh flamurin tonë dhe atë të Kosovës.

M’u bë zemra mal! Shkoj të përshëndes delegacionin e për të marrë vesh arsyen pse ishin këtu. Takoj zotin Roland, ambasadorin e Shqipërisë në Austri dhe kolegët e tjerë. Po ashtu edhe Isën, konsullin e Kosovës në Austri.

‘Në kampin Mauthausen kanë vdekur rreth 450 shqiptarë, nuk e dije?!’-më thotë njëri prej tyre. Mbeta e shokuar! ‘Po si, qysh, tek.’,-fillova duke pyetur, ndërkohë që më mbyti mërzia dhe nervat që s’dija asgjë për një histori të tillë. Në fund të fundit askush s’na e ka përmendur as në libra shkollorë, as nëpër media. Pse nuk flet njeri për dëshmorët, të internuarit apo njerëz që kanë përjetuar vuajtje në ato kohëra?

‘Kemi ardhur nga Vlora kastile për këtë ceremoni. Jemi disa persona, të cilët gjyshërit apo baballarët tanë kanë vdekur në kampin Mauthausen. Kur kemi mundësi vijmë i vizitojmë në përkujtim të tyre, se tani s’ka mbetur asgjë pasi dhe trupat e tyre janë djegur. Mbaj mend që morën shumë njerëz në atë kohë, kryesisht nga Vlora. I pikasnin mu te piaca përballë bashkisë. Na bën përshtypje sepse nuk morën vetëm njerëz që flisnin kundra sistemit, por edhe arsimtarë, mjekë e mësues. D.m.th pa pikë arsye. Sigurisht që të burgosurit ishin të gjithë burra.’- më tregonte një nga zonjat.

Ndërkohë mendoja me vete: “Hë mi budallaqe, ti që përtoje të zgjoheshe në mëngjes e po vije në dyshim ardhjen tënde këtu.”

Më pas një tjetër zotëri më tregonte historinë e tij personale.

“Tim atë ma morën kur isha 7 vjeç. Nuk e pamë më që atëherë. As nuk e dinim ku do ta çonin një herë.”,- ndërkohë më tregonte emrat e shqiptarëve që kishte në një listë.”

“Erdhëm para disa vitesh për të vendosur një foto të babait brenda. U treguan shumë të gatshëm të na ndihmonin. Po të futesh në muze do ta shohësh aty.”-ma kthen vlonjat patriot. I bashkohem përsëri grupit të kolegëve pasi po vinte ora e kalimit të paradës. Vetëm kur shoh kryeministrin austriak, Sebastian Kurz. Simpatik, por pak veshllapush.

Njihet edhe si kryeministri më i ri në botë, 32 vjeç. Është bërë ministër i Jashtëm në moshën 28-vjeçare. M’u kujtua historia e Gent Cakajt. Madje Sebastiani s’ka përfunduar as universitetin. E çuditshme si nuk merret njeri me diplomën e tij?

Kryeministri me ministrat e disa të tjerë bënë nderimet e para.

Pastaj parakaloi Amerika me ambasadorin dhe disa ushtarë të veshur më bukur nga të gjithë. Kjo sepse Amerika çliroi kampin e për nder janë të parët në kalim.  

Pas amerikanëve kaluam ne të delegacionit të Bashkimit Evropian. Ceremonia zgjati rreth 2 orë e ca.

Shkoj të vizitoj kampin nga brenda. Në fillim një ekspozitë fotografish e pastaj dhomat ku bënin torturat.

Kampi Mauthausen është i famshëm për ‘Shkallët e Vdekjes’.

Të burgosurit ngjisnin shkallët me pasha të rënda guri në trup dhe vendoseshin njëri pas tjetrit.

Nëse binte dikush, binin edhe të tjerët pas tij prej efektit domino që krijohet. Më të fortët kishin mundësi të zgjidhnin për t’u pushkatuar (që quhet vdekje e kollajtë e gjoja të bëjnë nder) ose të shtynin një të burgosur tjetër nga pas që të vdiste, e ai të vazhdonte jetën. Shumë zgjidhnin pushkatimin.

Mënyra të tjera janë si p.sh; vdekja në një dhomë me gaz.

Apo disa prej tyre i përdornin dhe për eksperimente shkencore.

Ushqimet ishin të pakta, të burgosurit vdisnin nga uria. Çfarë dhimbjeje që përjetova, sidomos kur mendoja që edhe njerëz të gjakut tim kanë kaluar këto sprova.

Te dhoma ku digjeshin trupat, në mure janë pllaka apo foto me emrat e personave që kanë humbur jetën aty.

Diku pashë një flamur shqiptar e një pllakë mermeri ku shkruheshin emrat e tyre me mbishkrimin: “Bijve tanë trima që ranë me idealin e lirisë në zemër.”

Në dhomën ngjitur pashë edhe disa emra të tjerë shqiptarë me gjithë fotografi.

Ndër të tjera përveç gjurmëve shqiptare, në një pjesë të kampit gjendej dhe kjo skulpturë e Odhise Paskalit e bërë më 1968. Aty tregohet një ushtar shqiptar, që vë poshtë ushtarin gjerman. Kjo vepër është bërë nga Shqipëria kastile për kampin Mauthausen.

Kthehem përsëri te parakalimet, pasi ishte radha e Shqipërisë për të nderuar. S’mund ta humbisja atë moment pa e filmuar.

Moderatorja filloi duke folur në shqip gjatë kohës që bënin nderimet shqiptarët.

Sa gjë e bukur të dëgjosh gjuhën tënde mes 9000 personash. Në fund të ditës mendova sesa shumë duhet ta vlerësojmë lirinë e demokracinë ku jetojmë. Sidomos moshatarëve të mi, ose atyre që kanë lindur pas viteve 90 që s’ia kanë haberin ç’janë këto vuajtje. Por çfarë më dhemb më shumë është që persona të tillë nuk kujtohen siç duhet. Shpresoj që ky artikull t’ju shërbejë për të nderuar e kujtuar njerëz që kanë vuajtur dikur, sepse sot s’ka më heronj përderisa i kemi humbur idealizmat./dritare.net

10 komente në “Brenda kampit të përqendrimit në Austri, ku vdiqën 450 shqiptarë”

  1. ¬ says:

    Mundësit për një jetë pa probleme zvoglohen dita ditës. Tensionet shtet me shtet, parti me parti, brënda në familje., janë prova bindëse që po i drejtohemi krizës pa fund.

    1. VFLP says:

      O zot cfare trishtimi ndjeva kur lexova kete shkrim amatoresk! Cfare niveli i ulet intelektual dhe shpirteror …
      Trishtim ?

      1. Linda says:

        Edhe une ate ndjeva. Shume amatoresk.

  2. Baliu says:

    Nje artikull i shkelqyeshem qe ka munguar plotesisht ne mediat dhe librat shqipe qe nga L2B. E falenderoj autoren per guximin intelektual qe ta preke ket teme “tabu”, dhe me ne fund ti rreshtoj edhe shqipart me popujt tjere qe i perkujtojne viktimat e veta nga nazizmi mu aty ne vendin e ngjarjes. Edhe njehere, i lumte autores se ketij shkrimi.

  3. mik says:

    Bravo per informacionin dhe fotot. Mesova disa gjera prej ketij artikulli.
    Fotoja e burgusorve te qethur me kemisha te grisura, qe duket se asht ba diten e clirimit te tyre nga ushtria Amerikane, me kujton shume foto te viteve 91 ne Shqiperi qe shohim here mbas here neper gazetat tona online.
    Jo per paralelizem, se gjendja ne Shqiperine e komunizmit nuk ka qene e njellojte si ne kampet e perqendrimit, por fotot bardh e zi dhe te ushqyerit keq, kane nje ngjashmeri jo te vogel me ato vite, qe mos ardhshin ma !!

  4. Flm says:

    Flm për informacionet. Vetëm se, për të tilla tema, nuk shkruhet me fraza të tilla si “hë mi budallaqe”, apo “nuk paske takat ti”, edhe pse ky shkrim mund të ketë qenë një status feisbukor. Nivel shumë i ulët komunikimi me lexuesin, aspak stil për të treguar emocionet.

  5. Merita says:

    Cdo gje dhe cdo informacion i duhur. Bravo autores. E vetmja gje e tmerrshme ishin parakalimi i shqiptarve ne fund me duar ne xhepa..

  6. Moni says:

    Stili i te shkruarit le per te deshiruar packa de qellimi i shkrimit eshte i mire. Eshte nje roman i Diana Çulit ( Rrethi i kujteses) i cili eshte bere dhe film qe flet per nje shqiptare qe eshte kthyer nga kampi i perqendrimit ku i jane bere prova nga mjeket naziste. Keshtuqe nuk mund te thuash qe askush nuk ka folur me pare per kete teme.

  7. student i vjeter says:

    edhe nje nxenese e klases se dyte fillore do ta kishte pershkruar me mire.
    nqs Tema ka dashur te pershkruaj nje ngjarje te tille ose te sillte nje shkrim per se mbari, ose te mos botonte gje fare. ky shkrim eshte nje Turp.

  8. Flutura says:

    Paksa injorante, edhe isha caktuar per te vajtir, edhe pertoja se ishte ftohte. Pastaj, do te shkoja ne nje si “shetitje” te detyruar se nuk e dija rendesine e eventit.
    Nuk te lexova me tutje se me terbuan ato qe citiva me lart. Si ka mundesi, qe me kete nivel, punon ne nje zyre te BE?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje