Kryeministri i vendit, Edi Rama ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e lamtumirës së ushtarakes Zarife Hasanaj.
Në fjalën e tij, Rama tha se në sytë e prindërve të saj që në vend të ishte me fustanin e nusërisë në pragun e derës në krahë të dhëndrit po e përcjellim me flamurin kombëtar, krah Forcave të Armatosura.
Më tej Rama tha se duhet ta çojmë deri në fund amanetin e Forcave të Armatosura që luftojnë çdo ditë për të mbrojtu atdheun
“Vështirë sa s’thuhet të gjenden fjalët e lamtumirës për ushtaraken jetëndërruar, të ndjerën Zarife Hasanaj, këtu, në sytë e prindërve të saj, që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës, në krah të dhëndrit, po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krahët e shokëve të saj të Forcës së Armatosur të Republikës së Shqipërisë; në praninë e dy motrave e vëllait të saj, që pranë prindërve e rrethit familjar ndjejnë boshllëkun e pangushëllueshëm të një humbjeje pa kthim mes tyre; në praninë e shokëve e të shoqeve të saj, lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar, për të cilin Forca e Armatosur e Republikës është betuar të sakrifikojë edhe jetën në mbrojtje të atdheut e të amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuqezi, ku është mbështjellë trupi i Dëshmores më të re të Republikës.
Megjithatë, detyra e kërkon që, sidoqoftë, fjalët të gjenden dhe të thuhen dhe përulësisht u shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera si Kryeministër i Shqipërisë, si qytetar i kësaj republike dhe si prind e vëlla, prindërve, motrave, vëllait e të gjithë të afërmve të vajzës, e cila tanimë iu përket të gjithë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe me emrin shqiptar.
Vajza, e mbështjellë me flamurin e atdheut, është sot mishërimi tronditës i së vërtetës së përditshme të besnikërisë ndaj atdheut, të përkushtimit dhe të sakrificës për atdheun, që e kanë krijuar dhe e rikrijojnë përditë në kryerjen e misionit të saj, qenien e patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme të Forcës së Armatosur të Republikës, një bashkësi burrash e grash, vajzash e djemsh që jetojnë çdo ditë, çdo orë të ditës dhe të natës, me misionin që të na mbrojnë të gjithëve ne nga çdo kërcënim i jashtëm dhe të sigurojnë vendin dhe dinjitetin e merituar për Shqipërinë në bashkësinë e madhe të familjes së popujve të rreshtuar në anën e duhur të historisë, krah për krah në çdo sfidë dhe mision të NATO-s.
I shohim pak mes nesh, por edhe familjet e tyre pak i shohin. Dëgjojmë për ta shumë pak në të përditshmen tonë. I admirojmë kur në ditët e vështira shfaqen pranë njerëzve në nevojë për ndihmë dhe luftojnë me tërbimin e motit për të shpëtuar jetë njerëzish në operacione heroike shpëtimi I falënderojmë në ditë të shënuara, kur janë të rreshtuar përballë tribunash ceremoniale, por jo gjithmonë e mendojmë se, teksa e përditshmja jonë vazhdon me punët, hallet, mërzitë dhe gëzimet e veta, ata vazhdojnë larg syve tanë të bëjnë çdo sekondë të njëjtën gjë. Të njëjtën sakrificë, të njëjtën përpjekje të mundimshme, të përditshme, për të na mbrojtur dhe për të siguruar vendin e dinjitetshëm të Shqipërisë në rreshtat e NATO-s.
Janë vajza dhe djem, burra e gra, që sot, në këtë moment të dhimbshëm, ta kujtojnë më shumë se asnjëherë fjalën që thotë se heroi është një njeri i zakonshëm, që ka fuqinë të durojë dhe të këmbëngulë përballë pengesave që të marrin frymën.
Zarife Hasanaj është mobilizuar në forcat e armatosura 11 vjet më parë dhe në 2013-n është titulluar oficer me gradën nëntetar. Me gjithçka dëgjova për të, më bëri përshtypje se kushdo më tregoi, përdori fjalën përpikmëri. Ishte e përpiktë në detyrë, përgjigjej me përpikmëri, vepronte me përpikmëri, kërkonte gjithmonë përpikmërinë.
Sot, flamuri kombëtar rri në gjysmë shtizë për të vajtuar në heshtjen e tij të përjetshme, të parën vajzë në historinë e Forcave tona të Armatosura që ndahet nga jeta për shkak të detyrës dhe nën flamurin kuqezi do ta bëjë rrugëtimin e fundit, për t’u ndalur përjetë në varrezën e Dëshmorëve të Kombit. Mbi kryet e saj, ditë e natë, për të gjitha motet mbi këtë dhe, do të jetë Nëna Shqipëri.
Ndërsa, ne të tjerëve nuk na mbetet asgjë tjetër, veçse t’i japim lamtumirën e ta kujtojmë sa të rrojmë, bashkë me të gjithë ata që u ndanë nga kjo jetë, për t’u kthyer në pjesë e altarit të lartë të atdheut. Ta kujtojmë jo vetëm falë përpikmërisë së datave të shënuara, kushtuar dëshmorëve, por edhe duke u përpjekur çdo ditë që të mos e harrojmë në të përditshmen tonë, përpikmërinë e amanetit të tyre për Shqipërinë dhe për gjeneratat e tjera.
U prehtë në paqe mes më të mirëve të këtij dheu e na ndriçoftë bashkë me ata, më të mirët, në çdo hap të rrugës sonë drejt të nesërmes! “, deklaroi kryeministri Rama. (TemA)
Rrenqethese, mu mbushen syte me lote, vajze Patriote qe ra, u vra per mbrojtjen e Lirise kundra regjimeve totalitare, ngushellime familjes, prinderit dhe njerezit e saj duhet te jene krenare per ate vajze
…tokmak…
Si mundet te postohet fjala e Kryeministrit me kaq gabime. A ka redactor apo korektor kjo gazete.
Ngushëllime familjes por do t’a ftoja kryeministrin e para të mos ishte kaq patetik, teatral, pompoz dhe ordiner. Duket sikur po lexon çfarë i ka shkruajtur Grida Duma. Dhe e dyta, nëse me të vërtetë pretendon se është artist dhe si vrasin sytë rojat e nderit të veshur si eunukë turq që gatuajnë hallvë me tas në kokë apo si kllownë cirku që zbusin arinjtë, atëherë le të shkojë edhe t’ja këpusë vetes se ka degraduar si Sali bagla.
Një fjalim i thjeshtë, i sinqertë dhe realist do të ishte shumë më i ndershëm dhe i dobishëm. E ndjera nuk u vra për të mbrojtur atdheun apo broçkulla të tjera si këto. Ajo u vra në stërvitje të Natos në një nga vendet balltike. Kjo do të thotë se profesioni i ushtarakut ngelet tejet i rrezikshëm, kudo ku i caktohen detyrat e tij. Sakrifica e saj është pjesë e atij kontributi që japim në kontekstin e ri të aleancës ku është mobilizuar ushtria jonë, shpesh herë edhe duke paguar me gjak. Për këtë i jemi mirënjohës.
Sa për teatrin melodramatik;
Shumë pompozitet, shumë lëtyrë, shumë teatralitet, shumë vulgarizëm, shumë trashësi, shumë katunarllëk edhe për të shprehur dhimbjen dhe mirënjohjen.