Prokuroria suedeze ka kërkuar arrestimin e Julian Assange me akuzën për dhunë seksuale, hapi i parë në kërkesën për ekstradim nga Mbretëria e Bashkuar.
Më 13 maj, hetuesit suedezë rihapën rastin për akuzat për përdhunim kundër themeluesit të WikiLeaks, i cili është nën arrest në Britani, pasi u dëbua nga Ambasada e Ekuadorit në Londër, që i kishte dhënë atij azil.
Prokurorja suedez, Eva-Marie Persson, njoftoi sot se, nëse gjykata do të lëshojë një urdhër arresti për Assange, “për një rast të dyshuar për përdhunim, unë do të kërkoj një urdhër arresti evropian”.
Ndaj Assange, i cili është në burg në Britaninë e Madhe për shkeljen e lirimit me kusht, është në fuqi edhe një kërkesë për ekstradimin e tij në SHBA, e cila e akuzon atë për publikimin e disa dokumenteve konfidenciale.
Organi i akuzës në Suedi pret që autoritetet britanike të vendosin nëse ka konflikte midis urdhër-arrestit evropian dhe kërkesës amerikane për ekstradim. (TemA TV)