Mesdheu, një det mbeturinash. Raporti i frikshëm i WWF për ndotjen

7 Qershor 2019, 11:20Bota TEMA

Çdo minutë në Mesdhe hidhen 33 800 shishe plastike. Ky është përfundimi që del nga një raport i Fondit Botëror për Jetën e Egër (WWF), i publikuar dje me rastin e Ditës Botërore të Oqeaneve.

Raporti nxjerr në pah paaftësinë e 22 vendeve që kanë dalje në detin Mesdhe për të menaxhuar në mënyrën e duhur mbetjet dhe në mënyrë specifike ato plastike.

Dëmi ekonomik

Çdo vit janë 570 mijë tonë materiale plastike që përfundojnë në det. Sipas parashikimeve të ambientalistëve, një tendencë e tillë do të jetë katërfishuar deri në vitin 2050. Pasoja kryesore do të jetë ajo mbi faunën detare dhe në mënyrë indirekte me njeriun, si konsumatori i parë i prodhimeve të detit.

Po ashtu, ndotja ka ndikim edhe në ekonomi. Blue economy ose ndryshe ekonomia që bazohet mbi zhvillimin e qëndrueshëm, në nivel europian humbet çdo vit 67 milionë euro për shkak të ndotjes, gjysma e kësaj shume i përket sektorit të turizmit.

Vendet që ndotin më shumë

Si ka mundësi që një sasi e tillë mbetjesh përfundon në det? Rreth 1/3 e mbetjeve ose 28% u shpëtojnë tërësisht masave që qeveritë marrin për shmangien e ndotjes. Vendet që kontribuojnë më shumë në ndotjen e Mesdheut sipas raportit janë Egjipti, Maroku dhe Turqia.

Kjo e fundit, edhe pse nuk arrin t’i menaxhojë me efikasitet mbetjet e veta, ka pranuar të bëhet importuese edhe e mbetjeve nga vende të tjera, në mënyrë të veçantë nga Turqia, Belgjika e Gjermania, pas vitit 2018, kur Kina hoqi dorë nga disa marrëveshje të tilla.

Dështimet e sistemit

Reduktimi i përdorimit të plastikës dhe ndërtimi i një ekonomie me bazë riciklimin mbetet strategjia më efektive për të parandaluar ndotjen. Por jot ë gjitha vendet që lagen nga Mesdheu e kanë implementuar një të tillë. Mes tyre, Italia është prodhuesi më i madh i produkteve plastike në rajon dhe prodhuesi i dytë më i madh i mbeturinave plastike.

Por vende si Greqia, Turqia dhe Tunizia kanë të meta të dukshme në sistemin e grumbullimit dhe seleksionimit të mbetjeve dhe vlerësohet se gjysma e mbeturinave të tyre është e ndotur dhe e pariciklueshme. Nga ana tjetër, vendet e brigjeve jugore nuk arrijnë të riciklojnë as 10% të mbetjeve.

Në Evropë, sipas pëllogaritjeve të WWF, shpenzimet operative për riciklimin e plastikës vlerësohen në 924 euro për ton, ndërsa çmimi mesatar i shitjes së materialit që del prej tyre është 540 euro për ton. Në këto kushte, zgjidhja ideale është ajo etike dhe politike.

Për këtë arsye bëhet i domosdoshëm apeli fillon apeli për një angazhim të përbashkët dhe të detyrueshëm për të gjitha qeveritë e Mesdheut dhe të BE-së (si anëtarë të Konventës së Barcelonës) për të shpëtuar Mesdheun. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje