Napoli e ka jashtë planeve të sezonit të ri mbrojtësin kuqezi, Elseid Hysaj. Kjo është një gjë që dihet dhe është vërtetuar edhe me blerjen e Xhovani Di Lorencos nga Empoli, që do të jetë në konkurrencë me francezin Kevin Malkuit për krahun e djathtë.
Dilema është se ku do të kalojë Hysaj. Futbollisti shqiptar pëlqehet nga Atletiko Madrid dhe, siç bën me dije “As”, ky klub ka ofruar 15 milionë euro për shkodranin.
Por kjo shifër nuk e kënaq presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentis, i cili kërkon të paktën 25 milionë euro, kështu që diferenca për momentin është e madhe.
Edhe Juventusi është në gjurmët e Hysajt, veçanërisht nëse në stolin e tij zyrtarizohet trajneri Mauricio Sarri.
Për Atletiko Madridin, mbrojtësi shqiptar nuk është prioritet, por një alternativë, ndaj dhe shifra që afron nuk është shumë e lartë.