Nga Ruben Avxhiu
Jeta e gjatë nganjëherë sjell harrimin. Ka kaluar pothuajse pa shumë bujë lajmi i vdekjes në moshën 96-vjeçare të një prej kongresistëve që shqiptarët nuk duhet ta harrojnë kurrë, William Broomfield nga Michigan.
Dikur ishte ishte anëtari më i lartë republikan, në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve që sot kryesohet nga Eliot Engel. Ai përfaqësoi zonën e tij zgjedhore, për 36 vjet në Kongresin Amerikan, por ka dalë në pension që në vitin e largët 1993, më shumë se çerekshekulli më parë. Kjo shpjegon pjesërisht harresën tonë si dhe mungesën e komenteve më të gjata në vetë median amerikane.
Po për shqiptarët, kongresisti Broomfield (lexohet “Bruumfild”) zë një vend të veçantë në historinë e lobimit shqiptaro-amerikan.
Në vitin 1986, pak kohë përpara se shqiptarët të përqafonin metodat moderne të lobimit në Washington, ndodhi një incident, përvoja lidhur me të cilin do të ishte një nga faktorët që rigjallëroi veprimtarinë politike të komunitetit tonë.
Një mërgimtar me banim në Michigan, Peter Ivezaj udhëtoi për të vizituar vendlindjen e tij në Malësi dhe u arrestua nga autoritetet jugosllave për shkak të veprimtarisë së tij në SHBA.
Burgosja e shqiptarëve për motive politike ishte diçka e zakonshme në Jugosllavi, por kësaj here bëhej fjalë për një shqiptar nga Amerika, një nënshtetas amerikan.
Thyhet “miti i Jugosllavisë” mike në Washington
Një nga aktivistët shqiptarë më të njohur, jo vetëm në Detroit e Michigan po në mbarë Amerikën ishte Ekrem Bardha, që më vonë do të bëhej edhe botues i gazetës “Illyria”.
Me të marrë vesh lajmin e arrestimit të një shqiptari, ai kontaktoi një nga politikanët amerikanë me të cilët kishte miqësi, William Broomfield.
Kongresisti Broomfield menjëherë kontatoi Departamentin e Shtetit, po mbeti i pakënaqur nga përgjigjia burokratike. Jugosllavia mbetej një vend që SHBA kishte marrëdhënie të mira, sepse ndryshe nga shumica e vendeve të linjes i kishte ikur orbitës sovietike.
Në ato vite Jugosllavia gëzonte edhe statusin e vendit të favorizuar për tregëti me Amerikën. Kur Titoja kishte vdekur, vetë zv-Presidenti i SHBA-së së asaj kohe Walter Mondale and nëna e Presidentit amerikan të asaj kohe Jimmy Carter, Lillian Gordy Carter kishin marrë pjesë në varrim. Dukej sikur askush nuk do ta vinte ujin në zjarr për shqiptarët.
Po te William Broomfield, Ekrem Bardha dhe shqiptarët kishin gjetur njeriun e duhur. Ai organizoi një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, ku shqiptarët morën pjesë masivisht dhe dëshmuan. Kongresisti kishte marrë edhe dokumente shtesë nga Amnesty International.
Broomfield deklaroi pa asnjë mëdyshje, se vendet që shkelin të drejtat themelore të njeriut nuk duhet të gëzojnë favore në tregëti me Shtetet e Bashkuara. Brenda pak orësh, me nismën e tij, 160 kongresistë, anëtarë të Kongresit Amerikan nënshkruan një peticion që kërkonte lirimin e shqiptaro-amerikanit të arrestuar. Departamenti i Shtetit u vu në një situatë të sikletshme. Jugosllavia pa t’i kërcënohej seriozisht statusi i saj në marrëdhëniet me SHBA.
Në fillim autoritetet jugosllave kishin refuzuar të lejonin përfaqësues të ambasadës amerikane që të vizitonin Ivezajn në burg. Pastaj ishin përpjekur të justifikoheshin se fajin e kishin policia provinciale lokale në Titograd, që nuk ishin shumë të gdhendur.
Qendrimi amerikan tashmë ishte forcuar. Nuk mund të dënohej një qytetar amerikan për veprime politike të kryera në SHBA ku ndryshe nga Jugosllavia ekzistonte liria e fjalës.
Në javën e dytë të tetorit 1986, Peter Ivezaj u lirua dhe u kthye në SHBA. Shqiptarët e festuan me një darkë të madhe. Bashkatdhetarët në mbarë Amerikën festuan.
Historia është treguar në autobiografinë e Ekrem Bardhës, “Pranë dhe larg Shqipërisë”, po edhe në librin “Shqiptarët e Amerikës”, të Vehbi Bajramit, botuesit të sotëm të gazetës “Illyria”.
Duke folur për “The Detroit News”, në 12 tetor 1986, Ekrem Bardha, duke folur si kryetar i Klubit Republikan Shqiptaro Amerikan tha se “ne shqiptarët i jemi mirënjohës qeverisë amerikane për lirimin e zotit Ivezaj, po le të theksojmë se njeriu që e bëri të mundur lirimin e tij ishte William Broomfield”.
Është e vështirë të kuptohet sot rëndësia e asaj fitoreje në vitin 1986. Deri atëhere Jugosllavia ishte dukur e pamposhtshme. Llogjika e Luftës së Ftohtë e bënte të rëndësishme mbajtjen e raporteve amerikane me vendet që nuk ishin prosovietike. Edhe dhuna ndaj shqiptarëve të Kosovës ishte future nën rrogoz.
Si asnjëherë tjetër, rasti Ivezaj bëri që Beogradit t’i çirrej maska e pamerituar e një vendi mik. Së dyti, shqiptarët panë për herë të parë në grup peshën e seancave dëgjimore në Kongresin Amerikan. Së treti, panë që mund të luftohej në Washington dhe të fitohej, jo më nëpër rrugë duke manifestuar e bërtitur, po edhe në institucionet e pushtetit.
Së katërti, dhjetëra shqiptarë që kishin mjetet dhe mundësitë u frymëzuan, kur panë sesi një lidhje e drejtpërdrejtë personale mes Ekrem Bardhës dhe një politikani amerikan mund të sillte suksese në politikë. Politika amerikanë mund të ndikohej. E vërteta nëse thuhej nuk do të injorohej.
Po atë vit, kongresisti Joe DioGuardi do të paraqiste rezolutën e tij të parë për Kosovën. Një kapitull i ri ishte hapur për shqiptarët e Amerikës.
Si filloi miqësia me kongresistin Broomfield
Ekrem Bardha e ka shpjeguar këtë gjatë një interviste me gazetën “Illyria”, që është bërë pjesë pastaj e jetëshkrimit të tij, në librin “Shqiptarët e Amerikës” të Vehbi Bajramit.
Qysh në vitin 1965, në sallonin e flokëve që kishte hapur me shumë sukses në Detroit Ekrem Bardha, kishte hyrë një ditë William Broomfield dhe i kishte thënë se donte ndihmën e tij për t’u rizgjedhur në Kongresin amerikan.
Bardha pranoi ta ndihmonte, po kërkoi që t’i tregonte për Kosovën dhe Shqipërinë, për zhvillimet e atjeshme dhe problemet e shqiptarëve.
Që në atë kohë nisi një bashkëpunim. Sa herë që kishte fushatë zgjedhor, biznesmeni i njohur shqiptar e ndihmonte ndërsa vijonte ta informonte për zhvillimet në atdhe. Mes projekteve të Ekrem Bardhës ishte edhe ideja e një biblioteke amerikane në Prishtiën, që shpresonte ta vinte në jetë me ndihmën e kongresistit Broomfield.
Broomfield mbeti një mik i shqiptarëve deri në fund të jetës. Ai hartoi e nënshkroi rezoluta për shqiptarët dhe Kosovën në veçanti, duke bashkëpunuar me kongresistët DioGuardi, Lantos, Engel, Bonior, etj. Ishte plot zë kundër Serbisë të cilën e fajësonte për luftën në Jugosllavi.
Në vitin 1992, përkrahu me vendosmëri të drejtën e shqiptarëve të Kosovës, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, për të organizuar zgjedhjet e lira demokratike duke sfiduar ligjin marcial që kishte vendosur regjimi i Millosheviçit. I pyetur nga gazeta “Illyria”, në 23 maj 1992, kongresisti Broomfield, u shpreh: “Jam i lumtur që mora vesh se shqiptarët etnikë të Kosovës kanë marrë vendimin e guximshëm për të mbajtur zgjedhje. Ky është një manifestim i përkushtimit të tyre ndaj lirisë, demokracisë dhe vetëvendosjes”.
“Personalisht i bëj thirrje zyrtarëve të Serbisë që të heqin duart nga përpjekja për të ndaluar këto zgjdhje dhe të shmanging përplasjet e çfarëdo natyre”, tha kongresisti Broomfield. “I uroj popullit të Kosovës, fat të mirë në përpjekjet e tyre”.
Këto fjalë e deklarata të tjera të ngjashme duhet t’i garantojnë kongresistit Broomfield një vend të përjetshëm në historinë dhe memorien tonë kombëtare. Nga të gjithë miqtë që na kanë ndihmuar në histori, ata më të çmuarit kanë qenë ata të ditëve më të vështira. Sidomos, Broomfield që foli për shqiptarët në një kohë kur ishim pa asnjë mbështetje e na dhuroi shembuj që frymëzuan fillimin e një epoke të re në veprimtarinë dhe lobimin e komunitetit shqiptaro-amerikan në Washington.
Djali i dentistit që u bë guru i republikanëve për politikën e jashtme
Broomfield u zgjodh për herë të parë kongresist në vitin 1956 dhe shërbeu për 18 mandate radhazi, deri në vitin 1993, kur ishte një nga dy republikanët më të moshuar në Kongres.
Ai përfaqësonte Kontenë Oakland, një nga më të pasurat në rrethinat e Detroitit, ku edhe u njoh me Ekrem Bardhën. Që nga viti 1961 shërbente në Komitetin e Punëve të Jashtme, gjë që e ktheu në një nga republikanët më në zë në politikën e jashtme.
Biri i një dentisti, William Broomfield u lind në 28 prill 1922 në Royal Oak, Michigan. Ai mori pjesë si pilot në Luftën e Dytë Botërore. Pas luftës, punoi në pronat e patundshme dhe në menaxhimin e ndërtesave. Po shpejt iu fut politikës. Që në 1948 u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Michigan e pastaj në Senatin e shtetit për dy vjet në 1954, përpara se të fillonte karrierën e tij të gjatë në Kongresin Amerikan.
Gruaja e tij e 62 viteve Jane Broomfield, vdiq në 2013. Ata lanë pas dy vajza Nancy Broomfield Aiken dhe Barbara Shaffer; si dhe katër nipër e mbesa.
Kur vdiq, Roll Call që ndjek zhvillimet e Kongresit në Washington shkroi se vdiq “një guru i republikanëve në politikën e jashtme”.
Ndonëse ishte republikan, Broomfield gëzonte një respekt të madh mes të gjithë kolegëve demokratë. Një nga vajzat e tij tregon se në moshën 20-vjeçare kishte takuar Presidentin Jimmy Carter dhe i kishte kërkuar një autograf. Carter i kishte thënë se nuk jepte autografe. Po kur kishte marrë vesh se ishte vajza e kongresistit republikan Broomfield, i kishte thënë, “Le të bëjmë një fotografi së bashku. Për babain tuaj kam shumë respekt!”
Nga Nixon te Reagan, e deri te Bushi i Vjetër, presidentët amerikanë konsultoheshin me të për politikën e jashtme. Në vitet kur Ballkani filloi të ndryshojë, lidhja me të dëshmoi rëndësinë e investimit të Ekrem Bardhës.
William Broomfield mbylli sytë përgjithmonë në 20 shkurt 2019, gati 10 vjet pas pavarësisë së Kosovës. E di që ka një debat për vlerën e emrave për rrugët e sheshet e republikës së re, po në trojet shqiptare e meriton të përjetësohet diku edhe emri i këtij kongresisti që lidhet fort me fillimin e një epoke të re për komunitetin shqiptar në SHBA e për mbarë historinë e kombit shqiptar.