Neritani dhe mallkimi për politikën, si leshi në shtëpinë e berberit

28 Qershor 2019, 16:50Politika TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Një politikan mund të mbahet mend qoftë dhe vetëm me një akt publik, qoftë dhe vetëm me një frazë. Neritan Ceka ka edhe aktin, edhe frazën.

I pari është akti i ndalimit të turmës në shkurt 1991 që kishte marë rrugën e Bllokut.

Me të birin e mitur në krah, Ceka e detyroi turmën t’i kthejë shpinën tankeve që ndodheshin në urën kryesore të Lanës; e bëri të derdhet në shesh dhe të mos kalojë Rubikonin e një gjakderdhjeje me pasoja të frikshme.

E dyta është fraza e tij e famshme drejtuar faktorit ndërkombëtar mbas dhunimit të zgjedhjeve të përgjithshme, në maj 1996: zgjidheni sot krizën shqiptare që të mos detyroheni nesër të sillni ushtarë në Shqipëri! Paralajmërimi i tij, ndoshta ndryshe edhe nga sa mund ta kishte marë edhe vetë me mend, u verifikua në mënyrë ngjethëse. Në më pak se një vit, tanket dhe autoblindat e operacionit Alba, mbërritën në Shqipëri, kur anarkia e marrëzia ishte derdhur mbi shqiptarët që hapnin vrima në qiell dhe vdekje tek njëri-tjetri me plumba të vërtetë.

Karriera e këtij qytetari të veçantë të Tiranës, njohu më pas shumë ulje-ngritje, por asnjëherë nuk pati atë shkëlqimin e fortë që kishte në gjysmën e parë të viteve 90-të, kur ai ndryshonte aq shumë nga politikani i kohës me terital në qafë dhe triko leshi në mend. Në krah apo dhe përballë tyre, Ceka ishte thjesht ndryshe, ishte intelektuali që premtonte qytetari për qytetarët. Ai ishte tërësisht atipik në krahasim me shumicën e shpurës qeverisëse apo opozitare që ose vazhdonte të hante fara kur ishte në opozitë ose mbillte farën e marrëzisë që vazhdohet të korret edhe sot.

Ironia e fatit që nuk kursen askënd, i luajti një reng fatal profesorit flokëbardhë, të cilin e çoi deri në zyrën e këshilltarit dhe ambasadorit të Berishës, njeriut me të cilin ndante përbuzje më shumë se urrejtje dhe e vuri përballë në llogore me Ramën, personazhin tjetër me të cilin dikur ndante të njëjtën neveri për kooperativizimin e jetës publike të vendit. Por në të dy rastet, qoftë urrejtja, qoftë neveria janë të kuptueshme e të pranueshme, sa kohë që shprehen me dinjitet dhe nuk cënojnë dinjitetin. Dhe ashtu ka ndodhur. Të paktën për shumicën e kohës!

Rikthimi nga mosikja i Cekës, tani përpara 30 qershorit, ishte i një lloji tjetër. Ishte rikthim i zhurmshëm dhe klikim portalesh, gallatë memesh dhe menu ironish reciproke.

Ishte një rikthim jo me një akt si në 90-ën, jo me një frazë lapidare si në 96-ën, por me një veprim të papritur. Ceka nisi të mallkojë. Të mallkojë ca njerëz që me gjasë mendojnë ndryshe nga ai. Dhe t’i mallkojë sepse mund të zgjedhin të veprojnë ndryshe nga sa gjykon ai. Pikërisht diferenca e bën dynjanë interesante. Nëse të gjithë do të ishin njëlloj, atëherë vdekja nga mërzia do të ishte një bekim. Por profesor Ceka zgjodhi të reagojë ndryshe.

Tek çdokush tjetër, që nga Hazbiu e deri tek Saliu, mallkime si ato të Cekës, do të ngjanin normale. Normale si leshi në shtëpinë e berberit, por tek profesori i famshëm, ato janë një problem estetik. Dhe që falë kujtesës së internetit, do të kthehet edhe në një problem jetik për Neritan Cekën që tashmë, ata që e duan apo ata që e urrejnë, do ta njohin nesër si profesorin e mallkimeve. Vetëm nëse ai nuk vendos të mallkojë të gjithë politikën sepse atëherë ky nuk do të ishte thjesht mallkim, por një bekim i vërtetë për shoqërinë shqiptare.

6 komente në “Neritani dhe mallkimi për politikën, si leshi në shtëpinë e berberit”

  1. Pellumbi says:

    Meritan Ceka ka qene nje burre i urte me parametra normale te nje njeriu te qytetruar .Me keto mallkimet qe po diskutohen gjate tashme ,ky i ka humbur piket si nje njeri me norma njerzore .Ketij i ka hyre pake vetja ne qefe se ka qene ne kete dhe ate detyr .Ky nuk paska qene i tulle ,por ka qene nje njeri fallco qe ne kry te heres .Na u zhdukni nga ekranet televizive ,se jeni neveritur si njerz .Jeta eshte e shkurter Mefitan ,dhe si e tille ju do mbahe i mente nga votuesit Shqipetr si nje njeri me probleme ne kohe te ndryshme .Po ju theme jazeke per mallkimin qe u bere Shqipetarve .

  2. Xha teme Satēme says:

    “Godet me top, godet dhe me sarkazem” qerrata…..

  3. Lik says:

    Mendoj qe Berisha I ka ndonje dosje kur ka qene minister dhe e ka henger lugen me çorbe te prishur, dhe ka qene I detyruar.Shume turp per te.

  4. Boston says:

    Neritan Ceka me mallkimet per popullin e tij tregoi qe eshte shume I lig ne shpirt dhe I pakulture ne marredhenie me njerzit.
    Nuk e kuptoj pse Academia vazhdon te mbaje anetar kete palo intelektual.
    Te zencin mallkimet e popullit o i uryer.

  5. andi says:

    Shifi surratin, te dish si ka shpirtin. Pakenaqesia e shperfytyron e ben dhe me te frikshem, kur mendon se demokracia e Shqiptareve qe ne fillese, e kishte axhenden, te kap sa te mundem dhe pse jo, ambasador i perhereshem. Nje dredharak, i neveritu per intelektualet e kohes, i neveritur per sa here qe na del neper studio, si dhelpra mbas koqeve te dashit.

  6. GAZETARJA says:

    Duhet te kete probleme te trurit i shkreti….E ka lodhur shume duke e cuar sa tek Sala tek Rame dhe anasjelltas….se kohen e Enverit kur ishte nje arkeolog dhe bir i nderiuar i profesorit te nderuar per pune dhe nder , po e leme menjeane , nuk po ja kujtojme se i iken fare kaplloqa…?…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje