Fatos Malaj, takim i madh elektoral në Athinë

2 Korrik 2019, 12:20Rajoni TEMA
Fatos Malaj, takim i madh elektoral në Athinë

Kandidati shqiptar për deputet në parlamentin grek, Fatos Malaj, ka zhvilluar një takim të madh elektoral në Athinë.

Merrnin pjesë bashkatdhetarë me të drejtë vote, emigrantë të thjeshtë, qytetarë grekë.

Ndodheshin edhe disa prej kandidatëve të tjerë për deputetë që kandidojnë me listën e partisë Lëvizja për Ndryshim (KINAL).

Fjalën e hapjes e mbajti ish nënkryetari i parlamentit grek, Grigoris Niotis. Në fjalën e tij zoti Niotis iu referua njohjes me kandidatin që në vitet e para të ardhjes së Fatos Malajt në Greqi, kontributit të tij nga poste të ndryshme për integrimin e emigrantëve dhe evidentimin e zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në vijim, e mori fjalën Fatos Malaj, që kandidon me Lëvizjen për Ndryshim (KINAL) në A Athinë.

Fillimisht ai falënderoi të pranishmit, duke theksuar se prezenca e tyre në sallë, “jo vetëm më nderon, por më jep dhe forcën e domosdoshme që të vazhdoj betejën e vështirë që filluam bashkë”.

“E di se sfida është e madhe. Por po të besoja që nuk mund t’i përgjigjesha, nuk do të gjendesha sot para jush”, nënvizoi zoti Malaj.

“Prania e emigrantëve në strukturat e partive politike, pjesëmarrja e tyre në zgjedhje dhe hyrja në parlament, është e dobishme për të gjithë”, vuri në dukje Fatos Malaj.

Emigrantët do të mund të thonë si qytetarë aktivë fjalën e tyre në politikat që influencojnë jetën e tyre të përditshme. Do të ndihmojë në integrimin e tyre, pasi nuk do të konsiderohen më të parëndësishëm, por mendimi i tyre do të dëgjohet, do të respektohet dhe do të merret seriozisht parasysh”, theksoi kandidati për deputet.

Ai shtoi se “një pjesëmarrje e tillë do të ndihmojë në integrimin e emigrantëve, pasi ata nuk do të konsiderohen më të parëndësishëm, por mendimi i tyre do të dëgjohet, do të respektohet dhe do të merret seriozisht parasysh”.

“Të gjithë duhet të promovojmë pjesëmarrjen e barabartë, aktive dhe integrimin e qytetarëve, me qëllim që të përfaqësuesit e popullit të pasqyrojnë përbërjen reale të popullsisë së vendit”, theksoi Fatos Malaj.

Më tej, kandidati për deputet në parlamentin grek nënvizoi se problemet e integrimit dhe të emigracionit mbeten të hapura në Greqi dhe duhet të trajtohen urgjentisht.

Ai shtoi se politika e emigracionit ka nevojë për një dialog të hapur me përfaqësuesit e emigrantëve që i njohin në thellësi problemet e integrimit. Njerëz që kanë plan konkret për integrimin në shoqërinë greke.

Më tej, Fatos Malaj prezantoi programin e tij.

PËR POLITIKËN E EMIGRACIONIT

– Reformimin e plotë të politikës së emigracionit

– Një politikë emigracioni më eficente dhe me të drejtë

– Ndryshimin e legjislacionit aktual për emigracionin, me qëllim që të mënjanohet rreziku i “izolimit” të njerëzve që jetojnë në Greqi për më shumë se 20 vjet. Është e papranueshme që emigrantë me leje afatgjatë të detyrohet të fillojnë nga e para procesin që kishin bërë para dhjetë vjetësh.

MARRJA E NËNSHTETËSISË NGA EMIGRANTËT

-Lehtësimi i marrjes së nënshtetësisë greke përmes procedurave të shpejta dhe objektive, pa tarifat (paravolat) e ekzagjeruara

-Thjeshtëzim i procesit të intervistës për kategori të caktuara, siç është mosha e tretë

-Kompletimi i shërbimeve me personel të kualifikuar, me qëllim që të jenë tërësisht funksionale.

EMIGRANTËT E BREZIT TË DYTË

-Kujdes i posaçëm për fëmijtë që kanë leje qëndrimi të brezit të dytë

-Mundësi për pjesëmarrjen e tyre në asistencën sociale dhe në programet e punësimit të OAED

-Sanksionimi i të drejtës së votës në zgjedhjet lokale

-Shfuqizim i kufizimeve në tregun e punës.

Në takim përshëndetën edhe aktori i njohur Viktor Zhusti dhe disa herë kampioni i botës në peshëngritje, Leonidha Shabani.

Fatos Malaj e mbylli takimin me sloganin tashmë të njohur “Bashkë jetojmë. Bashkë ndryshojmë”.

Ai u bëri thirrje të pranishmëve që t’i besojnë një zëri ndryshe në parlamentin grek.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje