Ahmetaj: I bindur se opozita do të ulet në tryezën e dialogut pa kushte përballë kryeministrit Rama

10 Korrik 2019, 15:26Politika TEMA

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj shprehu sot bindjen se do të ketë një tryezë dialogu dhe opozita do të ulet pa kushte përballë kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në një studio televizive, Ahmetaj tha se kriza dhe ngërçi i krijuar artificialisht nga opozita vazhdon dhe nuk do të zgjidhet dot me protesta, por me dialog.

“Duke njohur opozitën tonë, nuk mund ta them shumë mirë, por mirë pasi me një pjesë të mirë të tyre ne bisedojmë shpesh me shumë respekt për njeri-tjetrin, unë them se opozita do të tentojë të ashpërsojë betejën politike me protesta diku-diku edhe gjysmë të dhunshme për të na treguar se çfarë kanë mundësi të bëjnë. Ata do të funksionojnë tani vetëm në funksion të mos hapjes së negociatave, pasi kanë arsye politike që si arsye u shkon kundër interesit kombëtar, por të jeni të bindur se do të ketë tryezë dhe përballë do të kenë Ramën”, tha Ahmetaj.

Ai ftoi opozitën që të ulet për të përmirësuar Kodin Zgjedhor dhe reformat e rëndësishme për hapjen e negociatave të BE-së. “Ai që kërkon largimin e Edi Ramës nuk kërkon zgjidhje, nuk është serioze, pasi të vish të kërkosh largimin e kryeministrit se të do qejfi ty do të thotë se nuk ulesh në tavolinë se ke frikë nga zgjedhjet”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj vlerësoi faktin se zgjedhjet e 30 qershorit shënuan një proces të qetë zgjedhor e pa akte dhune, por theksoi se do të ishte i kënaqur nëse opozita do të ishte përballë në garë. “Megjithatë opozitën nuk e nxorëm ne nga gara por doli vetë. Në këndvështrimin tim po e bën qëllimisht që Shqipëria të kaloj në ngërç me BE-në”, tha ai.

Po ashtu, Ahmetaj e cilësoi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje një test të suksesshëm dhe sipas tij shifrat në bashkinë e Tiranës shënuan rritje serioze.

Ahmetaj tha se opozita sot nuk ka alternativë por del me akuza, ndërkohë që Basha është njeriu më i akuzuar në 30 vite, i kapur me dokumente dhe hedh baltë mbi gjithë Shqipërinë.

1 komente në “Ahmetaj: I bindur se opozita do të ulet në tryezën e dialogut pa kushte përballë kryeministrit Rama”

  1. katarakti says:

    Mos genje shume, siç u eshte bere zakon. Do te kete nje kusht per uljen ne tryeze. Kushti eshte: “pranojme te diskutojme me ty si kryeminister i vendit, me kusht qe ta harrosh vettingun”! Kaq. Kjo eshte e gjitha. Dhe gjithe zallamahia behet pikerisht kunder Vettingut. Opozita i ngre pretendimet ne qiell:”Jo nuk duam Ramen kryeminister, jo zgjedhje te parakohshme, jo qeveri teknike dhe terci verci”, por ne te vertete ka nje synim te vetem: Qe vettingu te mos i preki. Kur te marrin kete premtim do te shkojne shpejt te Rama, te buzeqeshur, si burra shteti, per te qare hallet e mêmës Shqiperi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje