Pas lajmit se Ilir Meta ka marrë një çmim në Itali të quajtur “Luani i Artë”, Hazbiu vendosi të mallkojë me shpirt organizatorët e këtij çmimi, që ja kanë shitur Metës këtë çmim.
Ngjarja është shumë komplekse dhe Hazbiu e ka të qartë se këtu ka disa simbolika.
Simbolika e parë është se çmimi përmban fjalën “Ar”, që do të thotë se është bërë enkas për Ilir Metën, pasi ai nuk pranon argjend, apo bronz.
Së dyti, para disa kohësh Paskal Milo ka thënë që Ilir Meta është “Luan i politikës” shqiptare dhe kjo tregon se plani për të blerë këtë çmim është i vjetër.
Së treti, në këto kohë të vështira, kur Meta tentoi të trembë Ramën me një qen boshnjak, por nuk pati sukses, nxjerrja në skenë e luanit, është një fazë e re e luftës politike.
Së katërti, këtë çmim e ka pas marrë dhe Vuçiçi, por ai dërgoi ambasadorin e vet për ta tërhequr, pasi u muar vesh që e kishte blerë 75 mijë euro.
Ilir Meta kërkon të barazojë pozicionin e tij me atë të presidentit të Serbisë, që mos të ketë arsye që ta përjashtojnë nga bisedimet.
Ndaj Hazbiui vendosi t’i mallkojë:
-Ju të Venecias që shisni një çmim 75 mijë euro, ju zëntë cunami dhe ju mbuloftë uji zyrën.
-Ju që i kini shitur “Luanin e Artë”, Ilir Metës, u bëfshi vetë flori dhe përfundofshi në ndonjë bodrum të LSI.
-Ju që detyruat Ilir Metën të harrojë qenin boshnjak dhe të marrë luanin në duar, ju kafshoftë Darko dhe u zëntë tërbimi.
-Ju që i shitët këtë çmim presidentit, tani që i duhen lekë për luftë, ju ardhtë në derë Fahro, dhe mos u ngeltë lek në sirtare.
-Ju që i ngritët mendjen presidentit që tani është luan, ju ardhtë peshkaqeni në zyrë nga deti dhe ju hëngërt me gjithë letrat e zyrës.
-Ju që i shitët “Luanin” Ilir Metës, ju mbyllçin në kafaz si luanin e Sheqit ne Fier dhe ju thirrshin brenda kafazit, “Ilir”.