Telashe të reja për qeverinë italiane, Conte përplaset me Salvinin për manovrën ekonomike dhe financimin rus

16 Korrik 2019, 13:38Bota TEMA

Telashe të reja për qeverinë italiane. Pas “fërkimeve” të fundit mes dy aleatëve në qeveri, Matteo Salvini dhe Luigi di Maio, kabineti italian ka sërish divergjenca. Çështjet që janë bërë shkak për përplasje mes kryeministrit Giusepe Conte dhe Matteo Salvinit janë manovra ekonomike dhe akuzat e fundit për financimin e Legës nga Rusia.

“Manovra ekonomike duhet bërë këtu, nga Ministri i Ekonomisë dhe nga të gjithë ministritë e linjës, nuk bëhet askund tjetër dhe nuk bëhet sot. Kohën dhe këtë dua ta theksoj, e vendos kryeministri, pas konsultimit me ministrat e tjerë, duke filluar nga Ekonomia. Kohën nuk e vendosin të tjerë”, ka thënë Conte për mediat.

Kryeministri Conte është shprehur kritik në lidhje me praninë Armando Sirit, në tryezën e bisedimeve për manovrën ekonomike. Siri, politikan nga radhët e partisë së Salvinit, ka qenë më parë nënsekretari i Ministrisë së Tranportit në kabinetin “Conte”, i detyruar të japë dorëheqjen disa muaj më pare pas akuzave për korrupsion. “Nëse është një takim partie, prania e Siri është pozitive. Kur është fjala për një mbledhje të qeverisë, prania e Siri nuk është e mirë”.

Ndërsa në lidhje me akuzat për financimin e Legës me fonde ruse, Conte nuk e ka përjashtuar opsionin që Salvini të thirret për një seancë dëgjimore në Parlament. “Pse jo? Ne besojmë te transparenca karshi  qytetarëve në çdo zyrë, në të gjitha rastet, para së gjithash në Parlament”.

Conte ka përsëritur qëndrimin e qeverisë lidhur me këtë skandal: “Linja që ne ndjekim është e qartë: transparencë absolute para qytetarëve italianë dhe besnikëri absolute ndaj interesave kombëtare. Kjo qeveri nuk lëviz asnjë milimetër nga ky qëndrim”. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje