Theresa May po kalon mëngjesin e saj të fundit në Downing Street, ndërsa Britania përgatitet për fillimin e epokës së Boris Johnson.
Ja një vështrim i momenteve më të mira dhe më të këqija të tre viteve të May, si kryeministre britanike.
Momenti më i mirë
Sulmi me armë kimike në Salisbury në mars 2018 ishte një moment krize kombëtare dhe mund të kthehej në sfidë.
Ajo që kërkonte situata ishte një kryeministre serioze dhe e angazhuar.
Deklaratat e saj në Parlament ishin të përsosura, porosia ndaj kombit – dhe Rusisë – ishte shumë e vendosur.
Dëshmitë u mblodhën shpejt, ku të dyja palët vërtetuan fajësinë ruse dhe ekspozuan operacionin e pafat të Vladimir Putinit.
Ajo pastaj shfrytëzoi mbështetjen globale për të goditur përsëri, dhe shkalla e reagimit nga aleatët perëndimorë ishte një grusht shteti diplomatik. Ora e saj më e mirë.
Momenti më i keq
Kaq shumë për të zgjedhur, por dy momente janë ato që dallojnë dukshëm.
I pari ishte në orën 10:00 më 8 qershor 2017, kur sondazhi i zgjedhjeve zbuloi se May kishte hedhur humbur zgjedhjet e përgjithshme.
Me këtë goditje, ëndrra e saj e një dekade në zyrë duke riformuar Brexit, ishte zhdukur.
Ajo ishte, siç thoshte George Osborne, një “grua e vdekur që rrinte në këmbë” dhe pyetja e vetme ishte se sa kohë mund të zgjaste.
Por ideja që ajo nuk do të ishte në gjendje as për ta përfunduar procesin e Brexit, dukej se ishte shumë e vështirë të besohej në atë fazë.
Realiteti u zbulua më 15 janar 2019, kur Parlamenti hodhi poshtë marrëveshjen e saj të Brexit me 230 vota.
Ishte humbja më e madhe e përjetuar nga çdo kryeministër në historinë britanike – dhe që nga ai moment, qeverisja e saj ishte e destinuar të dështonte tërësisht.
Fjalimi më i mirë
Fjalimi në të cilin May dha një paralajmërim të mahnitshëm për Partinë Laburiste se ajo ishte gati t’i bënte për vete votuesit e tyre, ishte një nga fjalimet më të arrira.
Fjalimi mbi padrejtësitë ishte një deklaratë disi sulmuese, që nuk është dëgjuar më parë nga ndonjë kryeministër i mëparshëm.
Kryeministrja u zotua të luftonte për pjesën e shoqërisë që trajtohet padrejtësisht gratë, pakicat etnike, klasat punëtore.
Fjalimi më i keq
Por ka pasur edhe shfaqje të tmerrshme. Adresimi i saj i parë për popullin pas humbjes u vlerësua shumë keq – duke mos pranuar rezultatin e dëshpëruar të zgjedhjeve; duke mos treguar aspak ndjeshmëri ndaj partisë së saj, shumë të zhgënjyer dhe të zemëruar nga rezultati.
Edhe më keq ishte fjalimi në mars të këtij viti, ku u përpoq të bindte deputetët që të mbështesin marrëveshjen e saj të Brexit, duke u shmangur nga të gjithë.
Por asgjë nuk do të afrohet kurrë me fjalën që ajo dha – apo u përpoq të jepte – më 3 tetor 2018.
Intervista më e mirë
Me çfarë thonë gazetarët, Theresa May është një makth për t’u intervistuar, kryesisht për shkak se ajo rrallë herë ka ndonjë gjë interesante për të thënë.
Rasti më i arrirë do të ishte ndoshta intervista e saj me gazetarin e LBC, Nick Ferrari, në fillim të fushatës zgjedhore të 2017.
Ajo u shpreh për faktin që nuk ka fëmijë; për humbjen e prindërve të saj kur ajo ishte e re; për rëndësinë e mbështetjes së burrit të saj.
Ishte një paraqitje e rrallë njerëzore.
Intervista më e keqe
Shquhen disa momente televizive. Një prej tyre ishte rasti ku iu përgjigj komenteve të Donald Trump në janar të vitit 2017.
Shumë më keq për kryeministren ishte paraqitja në shfaqjen One gjatë fushatës zgjedhore, ku ajo u shfaq së bashku me burrin Philip dhe diskutoi për “momentin më të keq” të saj.
Konferenca më e mirë për shtyp
Udhëtimi i parë i Donald Trump në Britani si president i SHBA ishte një moment i frikshëm për May dhe ekipin e saj.
Dhe presidenti nuk i zhgënjeu, pasi në një intervistë për Sun sulmoi planin e Brexit të May dhe lavdëroi Boris Johnson.
Konferenca për shtyp ditën tjetër mund të kishte qenë një katastrofë – por në vend të kësaj, Trump u afrua për të kërkuar falje i penduar, duke falenderuar kryeministren dhe duke këmbëngulur se duhej të bënin një marrëveshje tregtare.
Konferenca më e keqe e shtypit
Performanca e saj më e keqe ishte në atë të hënë fatale të fushatës zgjedhore, kur u përpoq të ndryshonte plan tërësisht përsa i përket kujdesit social.
Politika fillestare ishte pritur negativisht; kthesa e papritur dukej edhe më keq.
Por May i dha kësaj krize një tjetër shtysë duke pretenduar se nuk kishte pasur ndonjë ndryshim.
“Asgjë nuk ka ndryshuar”, tha kryeministrja duke ngjallur mosbesim.
Si pasojë, pikëpamja e kombit për kryeministren ndryshoi.
Politikat më të suksesshme
Ekonomia. Është fakt se nën qeverisjen e Theresa May ekonomia është rritur, borxhet kanë rënë dhe punësimi është rritur gjithashtu.
Politikat e dështuara
Pjesa tjetër. Padrejtësia nuk është trajtuar. Britania nuk u largua nga BE më 29 mars, siç u premtua.
“Mjedisi armiqësor” për emigrantët e paligjshëm – asnjëra prej këtyre nuk duket si një arritje e suksesshme.
Pavarësisht përkushtimit dhe ndjenjës së detyrës publike të May, është e vështirë të besosh se do të portretizohet pozitivisht në histori.
Politico.eu-Përshtati me shkurtime në shqip për TemA: Diona Çeço