Kryeministri i ri i Britanisë premton se pas daljes së Britanisë nga BE-ja do t’i respektojë të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Europian. Duke u ndalur te Brexit, Boris Johnson në fjalën e tij në Parlamentin britanik se do të punojë me udhëheqësit e BE-së, por nuk beson se do të ishte e mundur pa hequr dorë nga marrëveshja kontestuese.
“Unë nuk e pranoj argumentin sipas të cilit e gjithë Mbretëria e Bashkuar duhet të qëndrojë në një bashkim doganor”, tha ai, duke iu referuar çështjes së kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.
Udhëheqësit e BE-së kanë këmbëngulur prej kohësh që marrëveshja e negociuar nga ish-kryeministrja Theresa May është e vetmja e pranueshme dhe rinegocimi i saj nuk do të ishte i mundur.
Por Johnson tha të enjten se shpreson që “BE të rishqyrtojë refuzimin e vet” për të bërë ndryshime.
“Nëse ata nuk e bëjnë, ne do të duhet të largohemi pa një marrëveshje. Britania e Madhe është më e përgatitur për situatën sesa shumë besojnë”, theksoi ai.
Johnson premtoi se do të fillojë menjëherë bisedimet për marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe do të hartojë strategji që kanë për qëllim të rrisin bizneset bizneset britanike jashtë vendit.
Kryeministri i ri I Britanisë paraqiti në mënyrë idilike vizionin e tij për një të ardhme “të gjelbër, të pastër, të begatë, të sigurt dhe ambicioze” pas Brexit për Britaninë e Madhe, e cila do të bëhet “vendi më madhështor në botë”.
“Deri në vitin 2050, është më se e mundur që Britania e Madhe do të jetë ekonomia më e madhe dhe më e begatë në Evropë”, shtoi ai.
Komentet e tij u kundërshtuan nga lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn, i cili tha se vendi duhet të jetë i shqetësuar për faktin se kryeministri i ri që mbivlerëson veten. Ai e krahasoi Johnson-in me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe kritikoi qëndrimin e tij në lidhje me Brexit-in.