Nga Mustafa Nano
Po e nis në mënyrën më trillane të mundshme. Do të kisha pasur qejf që Pëllumb Kullën ta shihja njëherë në plazh, të zhveshur. Janë disa njerëz që, nuk e di pse, nuk i përfytyroj dot të zhveshur, dhe një nga këta është Pëllumb Kulla. Më kollaj mund ta përfytyroj me tatuazhe, piercing e vathë në vesh (gjë e pamundur, kuptohet; edhe sikur të donte, nuk do ta linte Xhuli), sesa të zhveshur në plazh. Pëllumbin nuk mund të mos e kem para syve, veçse të veshur.
Madje, të veshur në një mënyrë të caktuar, me rroba në ngjyrë të çelur, kurrë në ngjyrë të errët, kurrë me ndonjë palë pantallona blue jeans, kurrë me syze dielli (nuk e marr vesh se ç’ka me syzet e diellit), kurrë me një borsalinë; dhe me atë trupin e tij të gjatë (duhet të jetë 1.90 m), me gjymtyrët që duket sikur lëvizin për llogari të tyren, me atë ecjen e tij karakteristike, me këmbët që i ngre më lart sesa duhet, e që i hedh si të ketë frikë se mos rrugës i shfaqen gurë. Shkurt, ka një trup aspak sportiv. Nuk duhet të ketë bërë kurrë gjimnastikë. Të vetmen gjimnastikë që ka bërë, ka qenë ajo e trurit. Jo më kot e ka të freskët. Më të freskët se kurrë.
Do të kishte bërë me dëshirë plot gjëra në Shqipëri pas vitit 1990, por nuk ka gjetur hapësirë e mirëkuptim. Dhe kështu, ka bërë atë që ka mundur. Kthehet me ndonjë projekt në dorë herë pas here nga Florida ku banon dhe frymën rëndom e mban në Fier, ku ka pasur e ka gjithnjë njerëz dashamirës e mirënjohës (mirënjohës për çfarë ai ka bërë në të mirë të qytetit; si zor të ketë ndonjë fierak që të ketë bërë aq shumë për atë qytet në fushën e kulturës jo materiale; dhe kam përshtypjen se fierakët e dinë këtë gjë).
Dhe në skenën e teatrit të Fierit ka vënë në skenë komeditë apo dramat e veta. Me të njëjtët aktorë, të cilët i bëri të zotë e të famshëm dhe me të cilët ai ia doli të linte shenjë në fushën e teatrit komik, e në përgjithësi të teatrit. Herë pas here ka marrë edhe aktorë nga Tirana, por bazën e ka pasur aty, në Fier. Në skenat e Tiranës, me sa di unë, ka dhënë ndonjë shfaqje tek-tuk. Ndoshta nuk ka dashur. Ndoshta nuk e ka parë të udhës t’i qurravitet njërit apo tjetrit. Mua, sidoqoftë, më është dashur të shkoj në Fier për të parë shfaqjet e tij.
Ah, se për pak më doli nga mendja. E bëri një gjë edhe në Tiranë, së fundmi: Shfaqjen tradicionale disaorëshe me skeçe e me këngë me rastin e Vitit të Ri në RTSH. Ishte hera e dytë pas tridhjetë vitesh që mora telekomandën për ta çuar televizorin te RTSH-ja. Hera e parë kishte qenë në vitin 2016, gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit, të drejtën e transmetimit të të cilit e kishte blerë ky kanal televiziv. Mund të ketë ndodhur edhe ndonjëherë tjetër që të jem ndalur te ky stacion, por jo sepse e kam kërkuar. Thjesht më ka dalë përpara teksa kam qenë duke bërë zapping.
Ndërsa këtë herë, ashtu si edhe me kampionatin e futbollit, puna ishte ndryshe. RTSH-në e kërkova vetë. Duhet të kenë qenë me mijëra shqiptarë atë natë të Vitit të Ri që kanë bërë të njëjtën gjë. Ndoshta mund të jenë zhgënjyer me skenografitë e kostumografitë e varfra, me punën e dobët të kamerave, e me detaje të tjera të kësaj natyre (në këtë drejtim, ashtu si edhe në kulturën e punës, televizionet private kombëtare janë me vite dritë larg RTSH-së), por janë argëtuar me humorin e Kullës. Në një nga televizionet private kombëtare, ai humor do të ishte valorizuar shumë më tepër. Dhe me këtë, nuk është se po i bashkohem korit të atyre që bëjnë si të mërzitur e të lodhur, për shkak të qibrës së madhe që kinse kanë, me humorin e “Portokallisë”, “Al-Pazarit”, “Dupleksit” etj. Jo, unë mendoj se humori që bëhet në këto programe e në përgjithësi në Shqipërinë e sotme, është shumë i mirë.
Gaz Paja, Agron Llakaj, e të gjithë ata që prodhojnë humor në ditët e sotme, meritojnë lëvdatat më të mëdha. Pikësëpari, sepse e mbajtën gjallë humorin si art edhe në kohët më të vështira, duke e transformuar disi gjithçka kishin trashëguar në këtë fushë. Dhe me këtë kanë krijuar një shkollë të madhe humori. Një shkollë shqiptare, për të cilën, Pëllumb Kulla është një gur themeli. Humori që ai ka bërë dhe bën nuk del kurrë jashtë mode, sepse më shumë sesa “gaz, hare, argëtim, gallatë, apo mbajtje e barkut me dorë prej të qeshurave”, ai është një humor i thellë, intelektual, elegant, më saktë është një produkt kulturor. Është lloji i humorit që “Portokallia” e “punishtet e fabrikat” e tjera të industrisë së humorit nuk e bëjnë dot. As që e kanë për synim. Nuk kanë pse ta kenë.
E dini? Më ka shkuar mendja shpesh t’i futem bashkëpunimit me ndonjë krijues shqiptar. Në fushën e humorit, teatrit, a skenës, fjala vjen. Dhe sa herë që vihem në mendime, emri i Pëllumb Kullës është i vetmi që më vjen në mendje. Dhe u gëzova shumë kur ai, tok me Xhulin e tij, gjetën kohë të vinin të më shihnin, teksa po bëja një provë të shfaqjes sime të fundit (standup). Ishin vetëm ata të dy. Dhe mua salla m’u duk më e mbushur se kurrë. Me Pëllumbin kemi kohë që njihemi, jemi miq, por ai nuk më kishte ndjekur ndonjëherë në rolin e një showman-i. Dhe prandaj unë kisha një tendosje të veçantë atë ditë. Dhe nuk e keni idenë se çfarë kënaqësie provova në fund, kur ata të dy i pashë të ngacmuar nga ajo që sapo kishin parë. Ishte një kënaqësi e barabartë me atë që më dha salla në mbrëmje, plot me spektaktorë (mes të cilëve ishin sërish ata të dy), që më shoqëronin me të qeshura. Dhe pas atij momenti, ideja e bashkëpunimit me të më është ngulitur në kokë edhe më shumë. Por nuk kam ndonjë ide konkrete se si e për çfarë.
Përveç kësaj, as që ia kam zënë ngojësh në bisedat që kemi pasur. Për herë të parë po ia hedh tani këtë ide. Publikisht. Po e bëj si ata djemtë e dashuruar që zgjedhin një mjedis publik për t’i bërë propozimin për martesë vajzës, me të cilën kanë rënë në dashuri. Djemtë e bëjnë këtë zgjedhje, ngaqë janë të pasigurt nëse vajza e tyre i do aq sa duhet apo jo, dhe u thotë mendja se asaj, e ndodhur në vështirësi dhe e joshur prej natyrës spektakolare që ka marrë propozimi, mund t’i prishet mendja më lehtë se në çdo rrethanë tjetër. Pëllumb, mos ma prish! Vij unë në Amerikë, nëse Shqipëria nuk të ngroh aq sa duhet.
Meqë ra fjala, Pëllumb Kulla jeton në SHBA. U bënë më shumë se 20 vite që jeton atje. Thotë se do të donte shumë të kthehej në Shqipëri, por nuk e ka marrë ende vendimin e mundimin për t’u kthyer. Ndoshta nuk ka për ta marrë kurrë këtë vendim. E tremb vendi i vet. Dhe nuk është i vetmi, duhet thënë. Janë shumë ata që kanë frikë të kthehen në Shqipërinë e tyre. Dhe nuk ke se për çfarë t’i qortosh. Unë do të bëja, me shumë gjasë, të njëjtën gjë në vend të tyre. Nëse do të isha në këtë moment jashtë Shqipërisë, nëse do të kisha ngritur një jetë timen andej, si zor të më prishej mendja për t’u rikthyer. Sepse Shqipëria të kall datën me anormalitetin e vet dhe si ilustrim i freskët mund të shërbejnë pamjet e këtyre ditëve nga Devolli, Kavaja, apo ku di unë tjetër, ku u shfaqën dy grupe para bashkisë, njëri grup për të marrë çelësat e vulën, tjetri për të mos i dorëzuar ato (Ju kujtohet “Viti i Mbrapshtë” i Ismail Kadaresë?
Do t’ua sugjeroja ta rilexonit. Sepse çdo vit në Shqipëri është një Vit i Mbrapshtë). Por Pëllumbi duhet të ketë edhe një arsye shtesë: Kur vjen në Shqipëri, atë e mbërthen trishtimi që ka mbërthyer të gjithë ata që merren me teatër në Shqipëri. Se ç’ka diçka që nuk shkon me aktorët e regjisorët shqiptarë. Por unë nuk e di se çfarë është. Janë njerëzit më të trishtuar në Shqipëri. Ndoshta ndihen të braktisur nga spektatori (sepse spektatori i mirë dhe i rafinuar ka ikur me kohë nga vendi), ndoshta ndihen të pambështetur nga qeveritë, ndoshta janë të lodhur nga përpjekjet që u duhet të bëjnë për të mbijetuar, ndoshta janë, si edhe qytetarë të tjerë, të lodhur e shkurajuar nga korrupsioni, ndoshta kanë kuptuar më në fund se të bësh teatër në një vend të vogël, sidomos në një vend të vogël si Shqipëria, nuk është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë robit në këtë botë.
Muci! Ti dhe shume te tjere si ty, duhet te kuptoni, se koha e te berit humor ne skene, e ne salle ka ka perenduar dhe tashme quhet demode. Tanime egziston nje skene gjigande e nje salle me permasat e territorit shqiptar, ku luajne aktoret me te shquar te humorit e te cinizmit, te cilet me humorin dhe cinizmin e tyre ka 30 vjete qe po e bejne kete popull te mbajne barkun me dore, nga te qeshurit, pasi nuk qajne dote! Aqe po qeshin tani, sa nuk kane qeshur tere jeten ,as me humorin e spikatur te te famshmit Kulla!
Pellumb Kulla eshte artist dhe shkrimtar i humorit si dhe jo pak i publicistikes me sens humori e “kunji”, qe faktikisht ne popull ka shume admirim, sepse eshte vertete atdhedashes ne ate qe thote dhe shkruan. Kaq mjafton…
Nje shkrim qe nuk i ben nder vetem Pellumbit, por edhe autorit, sepse pas Pellumbit dhe punes se tij jane problemet qe shqetesojne te vena me humor ne teh te mendimit inteligjent e jo te gajasurat qe mbushin shpesh oret me fjale boshe neper TV-ra.