Të shash shqiptarin...

2 Gusht 2019, 12:06Blog TEMA

Nga Çapajev Gjokutaj

Atë mëngjes, ndërsa po ecja në Parkun e Liqenit, veshi më kapi një zë të nervozuar. “Ej shqiptar, do nisemi të mërkurën, jo të enjten; të enjten është dasma.” Ishte një 30-vjeçar që po komunikonte me shokun përbri, sikur ta kishte 15-20 metra larg. Më vrau veshin fjala “shqiptar”.

Në thënien e të riut mund t’i jepje vetëm kuptime negative si: i pakujdesshëm, i pavëmendshëm, njeri që s’para kupton etj. Kjo e fundit më kujtoi një lumë nuancash si: i trashë, kungull, trap, karafil, guak, torollak, gallof etj., etj. Të adresosh sharje të tilla ndaj grupit etnik ku bën pjesë, ngjan me një lloj harakiri.

Në thelb, kjo nënkupton që gjitha këto sharje t’ia adresosh vetes. Është diçka e pazakontë, madje edhe kundër natyrës së gjerava, mund të thoshje.

Individi ka si prirje të lindur jo vetëm ta pëlqejë veten, por edhe t’i pohojë tipare të shumta pozitive. Që këto autolëvdata t’i duken sa më të besueshme, ndjek një rrugë të tërthortë: gjithë tiparet pozitive që lakmon për vete, ia vesh grupit ku bën pjesë. Vetëkuptohet, sa më i frustruar të jetë individi, aq më shumë ka nevojë të lartësojë grupin e vet dhe të nxijë grupin fqinj, tjetrin.

Në rastet kur shajmë njeri-tjetrin me fjalën “shqiptar”, i ikim këtij rregulli të përgjithshëm, panhuman. Vetëm një shtysë e fortë mund ta detyrojë njeriun të dalë kundër një gjëje të lindur, dmth kundër natyrës.

Në fakt, nuk është vetëm një shtysë. Prirja për të sharë dhe shpotitur shqiptarin duket se ushqehet nga një varg burimesh, krejt të ndryshme nga njëri-tjetri.

Nuk është se këto burime veprojnë në çdo rast e kurdoherë, por janë aty, herë aktive e herë pasive, herë ujëplotë e herë të shterur dhe, të gjithë bashkë, ushqejnë lumin e depresionit, që buis në periudha pakënaqësish masive, përmbysjesh e krizash.

Ndër burimet më ndikuese duket se janë stereotipet mediatike. Këto janë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqehen kryesisht nga mediat e huaja. Qindra-mijëra emigrantë shqiptarë, të themi në Greqi, punojnë e lodhen, mbajnë shtëpinë dhe rrisin e edukojnë fëmijët, duke kontribuar njëkohësisht për mirëqenien e shtetit pritës dhe për qytetarí e rend. Por asnjëri prej tyre nuk përbën lajm.

Mjafton që një huligan deviant, nga ata që ka çdo komunitet e çdo etni, të kryejë një vrasje makabre dhe, sa hap e mbyll sytë mediat buçasin se shqiptari bëri atë e këtë. Djersa dhe mundi i qindra-mijëra emigrantëve zhbëhet aty për aty dhe në mendjen e publikut përhihet stereotipi i moçëm.

Vjen ky stereotip si një strukturë gjysmë e gatshme, e ngarkuar me gjithë të ligat që ka shtresëzuar në shekujt fqinjësia ballkanike. “Për mjaft shekuj, shkruante Konica, grekët e kanë njohur shqiptarin vetëm si sulmues, si pirat që grabit qytetet bregdetare, si ushtar në ekspedita ndëshkimore, si xhandar ose si taksambledhës.

Ana fisnike e shqiptarit është e panjohur për grekun.” Në këtë kontekst, thotë Konica, merr kuptim idioma greke “Zoti nuk është shqiptar”, dmth është i mëshirshëm.

Mbi strukturat e lashta stereotipore vijnë e shtohen mllefet aktuale të gjallëruara nga fryma antiemigracion që po prek, jo vetëm Ballkanin dhe Europën Qendrore, por edhe shoqëri të tjera, më në perëndim, me tradita shumë më të pasura humanizmi e mëshire. Sikur të mos mjaftonin stereotipet e mediave të huaja, nis e jep një dorë edhe media shqiptare.

Që të bindesh për këtë, mjafton t’u hedhësh një sy titujve të kronikës së zezë, që njoftojnë krime të kryera nga emigrantë shqiptarë nëpër botë. Të tillë si: “Flet shqiptari: Si e thera gruan duke parë televizor”; “Angli, shqiptari vret bashkëshorten, sepse fliste shumë në Facebook”; “Shqiptari vjedh energjinë edhe në Itali”; “Shqiptari përdhunon të bijën 10 vjet rresht”; “Njihen online, shqiptari shkon dhe përdhunon”.

Edhe mediat tona lënë pothuajse në heshtje kontributet e qindra-mijëra emigrantëve që jetojnë me djersë, mbajnë familjet atje, dërgojnë pará këtu, janë integruar dhe rrezatojnë vlera humane në kontaktet me dheun e lindjes.

Gjithsesi një gjë duket qartë: në kësi rastesh nuk kemi të bëjmë me një strategji për të nxirë shqiptarin. Theksimi qysh në titull i përkatësisë shqiptare të gjithfarë kriminelëve nga radhët e emigracionit bëhet për aktualizim të lajmit, për të tërhequr vemendjen e lexuesit: një nga etnia jote, i ngjajshëm me ty, ka bërë këtë apo atë gjëmë.

Dhe kështu lajmi bëhet më i lexueshëm paçka se shton ngarkesat toksike dhe kontribuon në jetësimin e stereotipeve përkeqësuese për shqiptarin. Në analizë të fundit gjithçka buron nga profesionalizmi i ulët i gazetarëve dhe paaftësia për t’u shpëtuar klisheve e stereotipeve.

Stereotipet mediatike janë vetëm një nga shkaqet që ushqejnë prirjen masive për të sharë e shpotitur shqiptarin. Por nuk janë të vetmet, madje as më kryesoret.

Pas gjasash shkaku kryesor i kësaj prirje do kërkuar në faktin që zhgënjimi dhe deziluzioni janë mbase përjetimet më të shpeshta në shoqërinë tonë të sotme.

Të zhgënjyer janë një pjesë e mirë e shqiptarëve, që fillimi i tranzicionit i gjeti njëzetë vjeçar e sipër, se ndjejnë sikur një zë u pëshpërit në vesh: “Humbameno e dështak, Shqipëria qe e gjitha e shtetit, u privatizua para syve, morën larua e balua, politiqenër e barkdreqër, po ti s’ishe i zoti të merrje një thërrime; pa katandi atëhere, pa katandi sot e mot”.

Të zhgënjyerit e kësaj kategorie vetndihen edhe më keq për faktin se fillimisht shpresuan e endërruan shumë. Sa më të mëdha të jenë iluzionet, aq më të hidhura e brejtëse vijnë deziluzionet.

Të zhgënjyer janë një pjesë e mirë e shqiptarëve që fillimi i tranzicionit i gjeti nën të njëzetat dhe tani po hanë të dyzetat dhe po trokasin në të pesëdhjetat. E kanë kaluar një pjesë të mirë të jetës shkollave të një sistemi të tronditur arsimor. Jo pak kanë arritur të diplomohen, me mund e përpjekje, madje disa edhe në shkolla dinjitoze jashtë, por në ndeshje me realitetin u rezulton se diplomat mbeten copa kartoni në kushtet e një shoqërie me nepotizëm faqekuq e meritokraci anemike.

Të zhgënjyer janë edhe një pjesë e mbi një milionë e gjysëm shqiptarë, që emigruan dhe, përkundër ëndrrave dhe shpresave të fillimit, sot kuptojnë vërtetēsinë e vargjeve të Çajupit, ‘gjithë jetën nën urdhër,/ qeseja si kokërr hudhër’. Natyrisht shumica e tyre, me djersë e sakrifica kanë arritur të integrohen sadokudo në vendet pritëse dhe të ndërtojnë një jetesë normale, por gjithsesi larg shpresave dhe ëndrrave të fillimit, mes pasigurish dhe diskriminimesh pa fund.

Parë kështu rezulton se zhgënjimet na janë bërë si ajri që thithim, i gjen si në përjetimet personale, ashtu edhe në ato kolektive; si në monologjet e brendshme të një mase të madhe shqiptarësh, ashtu dhe në ligjërimin publik; si në ëndërra, ashtu dhe në zhgjendra.

Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto zhgënjime individuale, duket se po përjetojmë edhe një zhgënjim kolektiv, shprishjen e mitit për shqiptarin, për vetitë dhe vlerat e tij.

Arsye të njohura historike bënë që të vinim në kohët postmoderne duke besuar jo pak në mitet romantike për etninë, ‘racën’, karakterin krejt specifik e të papërsëritshëm të historisë dhe të kulturës sonë etj. etj.

Në kushtet e hapjes demokratike edhe njeriu i thjeshtë ka mundësi të njohë botën dhe të realizojë sidokudo peshën reale të Shqipërisë dhe shqiptarëve, karakterin periferik e provincial të shoqërisë sonë. Këto përvoja e minojnë mitin romantik për etninë dhe jo rrallë shpien në qendrime krejt të kundërta e arbitrare. Lind prirja që bashkë me pjesën mitike të mohohen edhe vlerat reale dhe rrjedhimisht etnonimi ‘shqiptar’ të marrë ngarkesa përkeqësuese.

Emblematik është rasti i thënies “Nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë”. U shfaq para disa vjetësh si batutë skeçi, por sa hap e mbyll sytë, mori statusin e një proverbi sarkastik që qarkulloi masivisht. Shpejtësia e përhapjes të shtyn të meditosh.

Popullarizimi i gjerë i kësaj thenieje mundet që buron nga karakteri i mprehtë ironik. Po i hoqe banorët etnia vështirë se ekziston; se e tha dhe i moçmi: po qe se nuk kujdesej për vete dhe për vendin tend, kush do të kujdeset për ty…

E konceptuar si një bashkësi të pamundurash, thënia ‘ nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë’, merr trajta të mprehta ironike e sarkastike; ka brenda vetes edhe një pjesë të së vërtetës së hidhur, por edhe një stërzmadhim që synon prekje në sedër e, mbase edhe grishje. Në një kuptim është gjirí, dmth e të njëjtit funksion me sarkazmat e Fishtës e të tipit: ‘Troç, dy fjalë, kombit mbarë,/ Sy me sy me ja thanë deshta:/ Ma zor mblidhen dy shqyptarë,/ Sesa mblidhet nji thes me pleshta’.

Por shpotia që përmban thirrori ironik ‘ej shqiptar’ anon më shumë nga notat mohuese e përkeqësuese se sa nga sarkazmat grishëse. Jetojmë në kushtet e një krize të stërzgjatur, që po e përjetojmë thellë edhe në rrafsh individual, edhe në rrafsh komunitar.

Në periudha të tilla, dhimbjet e zhgënjimeve janë therëse, njeriu i gjorë duhet t’i shkarkojë diku. Një pjesë të fajeve ia vesh vetes, një pjesë rrethanave, një pjesë tjetër, madje të kosiderueshme, ia vesh fatit, prejardhjes, fisit, etnisë, dmth etnonimit “shqiptar”. Parë kështu thirrori shpotitës ‘ej shqiptar’ është edhe një nga autoterapitë e shumta që përdor individi për të shkarkuar në atmosferë krize dhe gjendjeje depresive të stërzgjatur.

Kur e shajmë tjetrin me shprehje të tipit: ‘ej, shqiptar, merr vesh!’; ‘qenke shqiptar safi’; ‘dava shqiptari’ etj. duket sikur e përfytyrojmë veten jashtë bashkësisë. Në fakt nuk e kemi fort të qartë: Dëshirojmë të distancohemi nga bashkësia apo mbitheksojmë, indirekt dhe pavetëdijshëm, kushtëzimin prej saj? Shajmë bashkatdhetarët apo justifikojmë dështimet personale? Bëjmë kritikë apo autoterapi?

Sido që të jetë, shumicën e herëve, procedime të këtij lloji realizohen tërthorazi e pa vetëdije. Dhe, në një masë a tjetrën, na ngushëllojnë. Ngushëllim ziu!

13 komente në “Të shash shqiptarin…”

  1. Xhorxh W Phishta says:

    Kjo vetironija antishqiptare esht dicka qe vjen prej vet individit shqiptar,kritik kundra vetvetes.
    Dhe esht me shkak.
    Sepse jemi t kqinj.
    Madje kur e keqja behet gjigande,individi,dhe jo vetem shqiptari,ai pra e kalon kufirin e automallkimit dhe shkon der n vetvrasje.
    Rasti i Judes se Jezu Krishtit esht tipik.
    Boni keq,e kuptoi me vones,ndeshkoi vetveten me vetvarje.
    Edhe masa e madhe e shqiptarve,e kuptuan qe jan etni, komb i keq,dhe jan ne shkallen e vetkritikimit te vetvetes ,shkall paraardhse kjo me gjestin final te Judes karshi vetvetes.
    Reagime normale kto.
    Madje,nese komuniteti nderkombtar heq furçet dhe ja thot troç n sy se kush jan shqiptart,si Fishta dikur,atehere do kemi vetvarje masive nder shqiptare si biçim Judash…
    Se shqiptari boni be
    Shum me shum se gjith te paret
    Ma te poshter s ka mbi dhe
    Sesa shqipo shqipetaret.
    ..nga Faik W Konitza

  2. Billy says:

    Ne vendin tone Albania, te gjithe e fyejne dhe ofendojne perkatesine etnike shqiptar, duke refletuar qendrim racist ndaj tyre. Te gjitha perkatesite e tjera etnike, hiqen superiore para rraces shqiptare. Harixhinjte ju therrasin shqiptareve, o gaxhio.
    Shprehjet o shqiptar i trashe, c’a ben o shqiptar, te thashe si ta beje o shqiptar, etj.
    Kjo eshte sintetizuar me shprehjen fyese; -O sa mire me qente shqiptare.

  3. A says:

    Eshte shqetesuese kur intelektualet nuk arrijne akoma te kuptojne cfare jane te drejtat e njeriut te cilat e bejne qenjen njerezore te barabarte kundrejt ligjit.Keto norma morale te perbledhura me kushtetuten e nje vendi mbrojn njeriun dhe njekohesisht nuk cenojne te drejten per lirite e tij.Mungesa e te jetuarit ne nje shoqeri te organizuar me shtet ligjor (te drejta te barabarte kundrejt ligjit) eshte arsya kryesore e largimit,mbasi ne nje vend pa ligje mund te pasurohesh shpejt sic eshte rast I i politikberesve apo atyre qe kane me dore Drejtesine etj grupe ne Shqiperi.Shqiptaret ndodhen vetem gjeografikisht ne Europe ,dhe nuk e di me cfare vendi ngjasojne kur cdo politikan i radhes ndihet i fuqishem permbi Jetet e njerez, mbi pasurite e individit dhe shtetit pa u kontrolluar nga ligjet mbas I bene ligjet vet…Besoj se nuk eshte e veshtire se cfare kuptojme me shprehjen shqiptar….

  4. Ben says:

    Lerini keto shkrime.patriotike. Fjalet te tilla per Shqiptaret nuk.Jane thene ne vakum. Doni qe ta.mbyllin gojen te gjithe? Beni Shtet te vertete! Mos kerkoni tu mbushni.mendjeni te rtjereve se Shqiptaret Jane popull I vecante. Ju shani edhe emigrantet kur ju kritokojne. Ne keni bythe, Beni shtet te.drejte dhe u mbyllet goja te gjitheve. Shqiptaret e kane zakon qe vetem te flasin dine. dhe jo te punojne per te miren e kombit.

    1. ben says:

      O zoti Ben, nuk dua te te ofendoj, por menyra se si e ke shkruar kete komentin tregon se nuk jeni ndryshe nga ato per te cilet shkruan autori ketij aritkulli. Te qenurit arrogant e prepotent nuk tregon mencuri. E keni shkruar komentin tuaj duke ju drejtuar shqiptareve, pra ne te gjitheve si agai qe u drejtohet argateve duke harruar se edhe juve jeni pjese e atij populli qe shani.
      Se fundi, artikullshkruesi ka shume te drejte. Jane gati 1.5 miljon shqiptare qe kane shkuar ne emigracion dhe shumica e sigurojne buken e gojes me pune. Cdo komb ka “drunj te shtrembet” dhe ne kemi ata te “shtremberit” tane, por keta nuk na perfaqesojne ne si popull.

      1. Ben says:

        Cdo do te thote nuk.jam ndryshe! Nuk e di se ku jeton ti we e ke emrin si une, por une kam nja 25 vite ne SHBA dhe jam ngopur me fjale boshe nga Shqipëria. Shqiptaret vete ua lene te tjereve te flasin per ta pee te keq. E vetmja menyre qe te mbylle the ky muhabet eshte qe Shqiptaret te bejne shtet te vertete dhe te zhvilluar. Derisa te ndodh kjo,, te gjithe do flasin qe Shqiptaret Jane te paafte te bejne shtet. Problem eshte qe Shqiptaret ne Shqiperi nuk e pranojne edhe kritiken! Atehere beni si te doni dhe mos u want njeriu dhe mos kerkoni ndihme nga SHBAja apo Europa. Une per vete jam ne rregull por dua vetem qe ne Shqiperi te behet shteti per se mbari. Pastaj sharjet kunder Shqiperise to te shuhen.

      2. mik says:

        Benit, komentues i Benit – As une nuk dua te te ofendoj apo te mos rrespektoj mendimin tand por, nuk shoh ndonje gabim tek komenti i Benit 1. Nuk mund te konsiderohet arrogance kur ai i ka te drejte, dhe i drejtohet te gjitheve, per te miren e te gjitheve. Ai duket i prere por jo arrogant e prepotent, pra, ai dha nje mendim ne menyre te prere : nqs doni veze, duroni kakarisjen e pules.
        Ligjet flasin ma ashper per organizimin e jetes tone, por askush nuk i quan ligje arrogante e propotente, edhe pse ushtrimi i tyre kryhet nepermjet dhunes, sepse ato ushtrohen per te mir, e jo per keq.

  5. Raimond vlonjati says:

    Une gjithmone I mburr Shqiptaret ne biseda me te huajte–Biles sa here flas me keta te huajte mundohem ti ve lart shqiptaret ,
    ne krahasim me te te huajte, qe jane nga Europa, apo Amerika e ngado

    Ju them qe ne kemi kengetare te shkelqyer, si askush tjeter ne Europe, kemi boksiere e kick boxer kampion Europe me dyzina kur fqinjet tane kane 1 o se dy—etj ejt

    Pra mburrem me sa te kem mundesi — Ua fus koken ne hale te huajve

    Por qe shqiptaret e kane ate qe urrjne njeri tejtrin, dhe sidomos kur rijne me grekun behen servile te grekut

  6. MH says:

    Qe ta kuptoni se kush asht shqiptari.
    Duhet te silleni mire me shqiptarin.Provojeni dhe do mbeteni te mahnitur per shpirtin dhe zemrn qe ka.
    Te silleni keq,perseri do kuptoni se kush asht shqiptari i cili iu vlerson me te njejten monelle bile nese ia asht vrare shpirti dhe zemra ban kerdin me takatin qe mund te kete deri ti dalin shpirti.
    Keto dy karakteristika gezone cdo shqiptare qe e don jeten ta jetoj pa imponim dhe ndrydhje te shpirtit e te zemres.Nuk i bie kujt ne qafe dhe nuk duron ta poshterojne e ta perdhunojne deri ne nji fare mase qe permbledhe aresyeja.
    Si ne cdo popull dhe ne cdo pyll.Pylle pa derra nuk ka.

  7. mik says:

    Nje shkrim i vonuar por teper i domosdoshem. Askush nuk e ka damtu ma teper kete popull se vete mediat tona. Per cdo gja gazetat na kane fajsu ne !! Cuditem si e ka leju Tema botimin ketij shkrimi, megjithese, kjo gazete shkruan edhe kunder vetvetes nganjehere.
    Gjithsesi, nuk mund te fajsohen gazetat ma shume se sa politika e jone por, gazetat tona pa perjashtim, mund te fajsohen se asnjehere nuk kerkojne ndjese tek lexuesi per disinformim.
    Shprehja : A merr vesh o Shqiptar, a merr vesh Shqip ti e te tjera si keto, mund te interpretohen ne shume drejtime por, si pik-nisje e ketij shkrimi duket e justifikueshme.

  8. agon says:

    Fjala ndergjegje ose pergjegjesi nuk ka pasur shume vlere deri tani ne shqiperi ndoshta ka ardhur koha te zen vendin e duhur keto dy gjera ne moralin dhe ne qenien tone si kombe …. ti perkasesh nje etnie sdo te thote vetem te perfitosh sa te mundesh nga kjo etni por edhe te besh e te sakrifikohesh per ate, neqoftese e ke kuptuar cfare do te thote pergjegjesi e ndergjegjesim! Eshte e lehte te thuhet dhe shume e veshtire te praktikohet, shtetet moderne e kane arritur nepermjet zbatimit te ligjit qe do te thote cfare eshte e drejte per mua eshte per te gjithe dhe cfare eshte e detyrueshme per mua eshte per te gjithe, ky parim ne shqiperi sidomos ne 30 vjetet e fundit ska gjetur kurre zbatim!!! Me vendosjen e ligjit mundet te filloj e te zbatohet edhe ne shqiperi po varet gjithmone nga individet dhe ajo qe thame ne fillim ndergjegje dhe pergjegjesi po se ndjem veten pjese te nje grupimi etnik ose shteteror dhe te sillemi si per veten tone edhe me te tjeret prape do jemi ku jemi nje shprehje e bukur thote “mos i bej tjetrit ate qe sdo qe ta bejne ty” po te zbatohet kjo ne te gjitha hallkat e shtetit edhe mund tja arrijme…..

  9. V.F.L.P says:

    Dakord 100% me “Ben”.Shqipetareve ne Shqiperi edhe per aksidentet rrugore fajin emigrantet e kane.Ata miq qe duan te na ndihmojne nuk munden sepse shqipetaret nuk merren vesh me njeri-tjetrin.Dhe shqiptaret qe nuk merren vesh me njeri-tjetrin nuk jane emigrantet .!!

  10. Daku says:

    Te tera vujtiet e sikletet e kti populli qe mohon vetveten i kan sjell politikanet dhe gazetaria me mendjat qe jan tja u qish kurvat çi mban pragu , jan llumi i llumit te kti populli , kryebatakçinjt dhe ktyekurvat e kti vendi , duhet nje revolucion tjeter popullor , kunder ktyre qenve qe na kan vjedhur dhe xhvatur jeten ton , po kush ta bej thuj , thesi me pleshta.apo malokeria dhe fshatarsia qe kan mbytur tiranen dhe nuk din çesht shteti e politika.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje