"Gjermanishtja si gjuhё e huaj", kërkesa e politikanit të CDU-sё ndez debate të forta

7 Gusht 2019, 21:15Politika TEMA

A duhet që fëmijët, që shkojnë në shkollë fillore të flasin mirë gjermanisht? Këtë e ka kërkuar një politikan i CDU-së, që ka korrur kritika. Por a nuk mund të diskutohet për një kërkesë të tillë?

Në Gjermani pushimeve të verës po u vjen fundi.

Në Berlin dhe në Brandenburg ka nisur sërish viti shkollor, landet e tjera të federatës pasojnë dhe deri në fillim të shtatorit ka nisur shkolla në mbarë vendin.

Në mbarë federatën sivjet fillojnë klasën e parë në shkollë 700.000 nxënës.

Këta janë fëmijë që normalisht kanë detyrimin shkollor nga mosha gjashtë vjeҁ. Lexim, shkrim dhe arithmetikë duhet të mësojnë ata në shkollën fillore. Po gjithashtu edhe lëndë të tjera si bazat e gjeografisë, të historisë e shkencave të natyrës si dhe muzikë, art e sport janë të përfshira në programet mësimore.

Në shkollat shtetërore mësimi zhvillohet në gjermanisht. Por për fëmijët, që nuk kanë qenë në kopësht gjerman ose që në familjet e tyre nuk flitet gjermanisht, mësimi në këtë gjuhë është një sfidë. Edhe për mësuesit e tyre kjo është e vështirë. Kryesisht nëse në një klasë shumë fëmijë nuk e zotërojnë gjuhën, në të cilën zhvillohet ora e mësimit. Kjo ndodh shpesh në përgjithësi në qytetet e mëdha. Në vitet  2013 dhe 2018 kuota e nxënësve të huaj në shkollat fillore gjermane është rritur nga 6,6 në 11,6 përqind.

Gjermanishtja si gjuhë e huaj

Sipas një raporti shëndetësor sivjet në qytetin e Duisburgt në Renaninë Veriore-Vestfali nga njëqind nxënës të klasës së parë vetëm tetë prej tyre e flasin pa gabime gjermanishten. Nga të gjithë fëmijët e regjistruar në shkollë në Duisburg vitin e kaluar vetëm rreth 16 përqind e tyre nuk flisnin gjermanisht.

Sipas mendimit të deputetit kristiandemokrat (CDU) në Bundestag Carsten Linnemann këta fëmijë nuk duhet të ndjekin shkollë të rregullt. “Një fëmijë që nuk flet dhe nuk kupton gjermanisht, nuk ka përse të shkojë në shkollë fillore”, i tha nënkryetari i grupit parlamentar të CDUsë gazetës Rheinische Post. Në raste të tilla këta fëmijë duhet të kenë të detyrueshëm një shkoillim paraprak, e nëse nuk e bëjnë këtë duhet të mos regjistrohen në shkollat e rregullta.

Kjo deklaratë e Linnemann hasi në kritika, madje edhe nga radhët e partisë së tij. Ministrja e Arsimit në landin e Schleswig – Holsteinit Karin Prien (CDU) e quajti këtë “një absurditet populist” dhe kërkesën e Linnemann-it e konsideori si një “rrugë krejtësisht të gabuar”. Detyrimi shkollor nuk ka aspak nevojë të ndryshojë, theksoi e ngarkuara për integrmin e qeverisë federale Annette Widmann-Mauz (CDU). Por janë të nevojshme provime të detyrueshme të gjuhës dhe programe të gjuhës mundësisht në moshë sa më të re.

Pikërisht këtë kam kërkuar, u mbrojt më pas Linnemann. Sipas tij është  e rëndësishme, që të ketë konseguenca, në rast se fëmijët nuk e kalojnë provimin e gjuhës paraprakisht. Nëse ata megjithatë dërgohen në shkollë pa njohuri të gjuhës, prej kësaj humbasin si vet ata fëmijë, ashtu edhe fëmijët që vijnë nga familje gjermane, shpjegoi Linnemann në bisedë me Agjencinë Gjermane të Shtypit, dpa.

Edhe vet fëmijët gjermanë kanë vështirësi

Në Sindikatën e Mësuesve Edukimi dhe Shkenca (GEW) e shohin situatën më të diferencuar. Kjo ka të bëjë me mungesën e njerëzve të kualifkuar, që mësuesit nuk janë në gjendje t’i bëjnë ballë problemit të gjuhës në shkollë. Për më tepër që edhe fëmijët gjermanë “gjithnjë e më shumë po shfaqin probleme me gjuhën”, thotë Ilka Hoffmann, eksperte e arsimit në Sindikatën Edukimi dhe Sheknca. Ky nuk është vetëm problemi i fëmijëve me prejardhje migracioni. Hoffmann kërkon që mësuesit të kenë më shumë kohë për formimin gjuhësor. Klasat duhet të përbëhen nga grupe më të vogla nxënësish. dhe duhet të përmirësohen kushtet e mësimit.

Provim gjuhe për katër vjeҁarë

Berlini dhe Hamburgu ndërkohë kanë gjetur një zgjidhje: Në të dy këto lande aplikohen provimet e gjuhës për katër vjeҁarët, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës. Përpara se ata të marrin pjesë në mësim duhet të kenë ndjekur një  kurs parashkollor p.sh. në Berlin deri në 18 muaj, pesë ditë në javë me nga pesë orë mësim gjermanishteje në ditë.

Por në provimin e njohurive të gjuhës mund të marrin pjesë vetëm ata fëmijë, që kanë qenë në kopësht fëmijësh. Por kopështi nuk është detyrim dhe në mbarë Gjermaninë më shumë se 100.000 fëmijë të moshës tre deri në gjashtë vjeҁ nuk shkojnë në kopësht, por qendrojnë në shtëpi. Socialdemokratët që qeverisin në Berlin synojnë ta bëjë edhe kopështin të detyrueshëm.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje