Odise Roshi ishte një nga dy futbollistët e kombëtares kuqezi që dolën në konferencë për shtyp mesditën e sotme për të folur për takimin e radhës që Shqipëria ka ndaj Francës më 7 shtator. Fillimisht Roshi u ndal te gjëndja e tij fizike.
“Pas operacionit e kam marrë veten mirë dhe kam zhvilluar disa ndeshje. Mendoj se jam në formë optimale tashmë. Kombëtarja është shumë mirë dhe ndeshjen e fundit kemi fituar. Kemi një ndeshje të rëndësishme kundër Francës dhe Islandës. Luajmë ndaj një kundërshtari të mirë dhe dihet se ku luajnë. Do të hyjmë në fushë dhe të japim maksimumin”.
Përsa i përket mundësive që ka për të luajtur si titullar në Stade de France dhe skemës që përdor trajneri Reja, Roshi deklaroi.
“Nëse hyj e di trajneri, por unë jap gjithmonë maksimumin. Asisti dhe kur shënoj është diçka shumë pozitive për mua sepse kontribuoj për ekipin tim. Fryma është shumë e mirë por për ne rëndësi kanë rezultatet. Ne gjithmonë bëjmë maksimumin, kanë ardhur edhe të rinj dhe shpresoj të bëjmë mirë.Trajneri luan nga krahët por ende nuk është vendosur kush luan. Shpresoj që ata që luajnë të japin maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv. Do të ishte diçka e bukur për të gjithë shqiptarët.3-5-2? Kam luajtur edhe në Rusi, por trajneri ende nuk e ka bërë skemën pasi kemi kundërshtar të fortë”.
Franca ndaj Shqipërisë do të ketë 5 mungesa të mëdha siç janë ato të Mbappe, Kante, Pogba, Dembele e Laporte, por Roshit nuk i intereson shumë ky fakt pasi sipas tij gjelat kanë një skuadër të mbushur me yje.
“Mungesat e Francës? Edhe ata që janë në stol luajnë në ekipe të mëdha dhe nuk e kanë problem. Nuk është mirë të flasësh, fitojmë apo humbim. Me Francën kemi fituar këtu dhe barazuar atje, por ia lëmë ndeshjes më mirë.”
Klaus Gjasula ishte një nga risitë e listës së lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Edy Reja për dy ndeshjet e muajit shtator që kombëtarja shqiptare do të zhvillojë ndaj Francës dhe Islandës. Mesfushori i cili luan në Bundesliga me Paderborn, i pranishëm në konferencën për shtyp të kësaj të marte nga kompleksi Tropikal në krah të Odise Roshit, u shfaq shumë i kënaqur për këtë mundësi që i është dhënë të cilën synon ta shfrytëzojë në maksimum.
“Jam shumë mirë dhe është kënaqësi që jam këtu. E kam pritur gjatë këtë ditë dhe të jap maksimumin për të ndihmuar. Do të ishte e madhe nëse luaj por vendos trajneri. Vitet e fundit nuk kam menduar se do të vijë kjo ditë, por më ka ecur mirë me skuadrën time Paderborn dhe tani luaj në Bundesligë. Natyrisht kur luan në Bundesligë është mirë.
Klaus është vëllai i vogël i ish-lojtarit të kombëtares shqiptare Jurgen Gjasula dhe para se të mbrrinte në grumbullim me kuqezinjtë ai ka marrë disa këshilla nga vëllai i tij.
“Flas më vëllanë për shumë gjëra dhe ka qenë këtu dhe e di si ecin punët. Më ka thënë disa gjëra. Besoj se do të integrohem shpejt. U pritëm mirë pasi janë lojtarët e hapur, të flasin dhe të mbajnë në anë”.
Por sa shanse ka Gjasula për t’u aktivizuar në këto dy takime.
“Konkurrenca duhet në çdo ekip që të ecësh para. Ai që e ka merituar më shumë dhe që e sheh trajneri, ai do të luajë”