Mali i Tomorrit nuk do preket/ Qeveria konsulton vendimin e ri, miratohet për një muaj

5 Shtator 2019, 15:37Sociale TEMA

Projektvendimi i propozuar nga Ministria e Mjedisit e zgjeron me 1383 hektarë sipërfaqen ekzistuese të parkut Kombëtar në Tomor duke marrë kështu në mbrojtje edhe zonën, që shfrytëzohet nga kompanitë e guroreve.

Kjo është tentativa e dytë e qeverisë për të bllokuar aktivitetin e nxjerrjes së gurëve në malin e Tomorrit. Në korrik të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim identik, i cili e zgjeronte sipërfaqen e parkut të mbrojtur me po 1383 hektarë.

Por vendimi u ankimua në gjykatë nga kompanitë e nxjerrjes së gurit dhe u hodh poshtë. Sipas vendimit, gjykata konstatoi se qeveria nuk kishte ndjekur procedurat e kërkuara nga ligji për vendimin e miratuar një vit më parë. Më konkretisht, sipas gjykatës qeveria nuk e kishte nxjerrë vendimin për konsultim publik si dhe nuk e kishte miratuar zonën e zgjerimit në këshillin kombëtar të territorit. Kjo bëri që kompanitë e guroreve të rinisin aktivitetin e tyre në malin e Tomorrit.

Por tashmë qeveria ka nisur sërish përpjekjet ligjore për të bllokuar nxjerrjen e pllakave të gurit në këtë zonë dhe këtë herë duke ndjekur të gjithë hapat ligjor. Dy ditë më parë, këshilli kombëtar i territorit miratoi zonën e zgjerimit të parkut, ndërsa këtë të enjte Ministria e Turizmit ka hedhur për konsultim publik projektvendimin që zgjeron zonën e parkut.

Sipas afateve të parashikuara në ligj, pas 30 ditësh, projektvendimi shkon për miratim në këshillin e ministrave duke u kthyer kështu në një akti ligjor, i cili do të zgjerojë parkun kombëtar në malin e Tomorrit dhe do të ndalojë aktivitetin e nxjerrjes së gurit në zonat që aktualisht janë të pambrojtura.(tch)

1 komente në “Mali i Tomorrit nuk do preket/ Qeveria konsulton vendimin e ri, miratohet për një muaj”

  1. Eduardi says:

    PO MIRE PER ATE ÇKA ESHTE GRABITUR DERI ME SOT DO MBAJ KUSH PERGJEGJESI LIGJORE? SE NASIPET DHE ILIRET I KANE MBUSHUR XHEPAT ME PARE BASHKE ME ZYRTARET QE I KANE LEJUAR. PRA ATA DO VAZHDOJNE TE HANE PARET NDERSA I GJORI TOMORR DO MBESE I GJYMTUAR. SKA SENS..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje