Ish-kreu i Parlamentit rumun “non grata” në SHBA, sinjal edhe për Shqipërinë?

7 Shtator 2019, 10:12Rajoni TEMA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë nisur një fushatë verifikimi dhe më pas vendosjeje në listën e zezë të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që i vlerëson si të përfshirë në afera korruptive domethënëse në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Në vendimin e fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Sekretari Mike Pompeo kishte firmosur futjen në listën e zezë të personave të shpallur që u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ish-kryetarit të Kuvendit të Rumanisë, Liviu Nicolae Dragnae dhe dy fëmijëve të tij për përfshirje në afera korruptive madhore.

Liviu Dragnae udhëhoqi Partinë Socialdemokrate në fitore në zgjedhjet e dhjetorit 2016 në Rumani dhe u shndërrua në politikanin më me influencë në vend. Në dy vite e gjysmë në pushtet së bashku me Kryeministrin Sorin Grindeanu, Dragnae u akuzua vazhdimisht se u përpoq me të gjitha mjetet dhe nismat ligjore dhe joligjore për të dobësuar institucionet e drejtësisë, sidomos strukturat antikorrupsion, të vlerësuara nga Bashkimi Europian dhe SHBA si shembuj që duheshin ndjekur edhe nga vendet e tjera.

Mbi 300 zyrtarë dhe ish-zyrtarë rumunë të të gjitha niveleve, deri tek deputetë, ministra dhe ish-ministra janë hetuar dhe më pas dënuar nga prokuroria dhe gjykatat e posaçme antikorrupsion rumune. Mes personave të hetuar dhe dënuar është edhe Liviu Dragnae, i cili që prej muajit maj të këtij viti vuan dënimin me 3 vite e gjysmë burg për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Por, pavarësisht ndëshkimit të drejtësisë rumune vendimi i amerikanëve, më shumë se pasojat për ish-kreun e Kuvendit rumun dhe familjarët e tij, tregon angazhimin e Uashingtonit për të mbrojtur investimet e tyre financiare dhe në burime njerëzore për të forcuar shtetin e së drejtës dhe demokracitë në shtetet e Ballkanit dhe Europës Lindore.

Një investim i tyre është reforma në drejtësi në Shqipëri dhe këtë e kanë përsëritur sa herë që ajo është vënë në pikëpyetje nga sherret e politikës në Tiranë. Dallimi mes Shqipërisë dhe Rumanisë është se atje reforma në drejtësi ka përfunduar prej kohësh, ndërsa në vendin tonë vazhdon, edhe pse me hapa më të ngadaltë nga sa ishte parashikuar.

Megjithatë, kur vjen puna për të futur në listën e zezë të personave të padëshiruar familjarisht në SHBA mbi bazën e akuzës për përfshirje në afera korruptive madhore, Departamenti i Shtetit ka marrë tre vendime të bujshme. Vangjush Dako, Tom Doshi dhe Adriatik Llalla që të tre janë aktualisht persona “non grata” në SHBA. Për ish-kryeprokurorin pati edhe akuza se po pengonte reformën në drejtësi nga ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu.

Këta janë tre emrat e parë dhe lista mund të zgjerohet gjithnjë e më shumë, sidomos pas rikthimit të vëmendjes së SHBA në Ballkanin Perëndimor, ndaj dilemat më shumë se kur, janë se kush do ta ketë radhën që të ndëshkohet nga “spastrimi” i amerikanëve?

5 komente në “Ish-kreu i Parlamentit rumun “non grata” në SHBA, sinjal edhe për Shqipërinë?”

  1. Ujku Plak says:

    Ska vlere fare lista e zeze po nuk u konfiskua e gjithe pasuria qe kane vene atyre qe kane abuzuar me pushtetin, ju dhjevsha Reformen per sa kohe ata qe u larguan nga sistemi i drejtesise bejne jete lluksi

  2. EJ says:

    Pse nuk i bëjnë dhe vendet e tjera të BE-së si aleatë të SHBA-së persona non grata këta maskarenjë apo në Europë quhet shkelje e drejtave të njeriut dhe korrupsioni nuk është ndonjë akt i dënueshëm??
    Edhe pse është qytetar i BE-së prapë duhet që të dënohet, nuk duhet ta kalojë kufirin rumun të paktën për njé periudhë kohore minimumi 10 vjeçare.
    Edhe këta pisat tanë duhet ti ndalojë të kalojnë kufirin SHBA-ja , BE-ja dhe të gjithë vendet aleate të tyre , sepse këta edhe kur ti kapin prapë do dalin , lëvizin të lirë të shkojnë e numërojnë lekët e bizneset e tyre në Qipro, Hungari, Serbi, Mal i Zi, Maltë, Ukrainë, Itali,Spanjë, Angli,Bullgari, Turqi, Greqi etj.

  3. Fronti says:

    Po Sali Berisha dhe Nard Ndoja nuk eshte ne list

  4. Agimli says:

    Po Petrit Vasili?

  5. Baliu says:

    Edhe tu Kosova* i ka disa kandidat te forte per at Liste, qe deri tash jan quajtur “e keqja ma e vogel”!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje