Mesazhi i deputetit gjerman: Shqipëria në rrugën e duhur, ja pse duhen hapur negociatat

18 Shtator 2019, 17:25Politika TEMA

Kryetari i Komisionit parlamentar për monitorimin e zgjedhjeve në parlamentin gjerman Patrick Ernest Hermann Sensburg vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Në aktivitetin organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ai tha se Shqipëria është në mes të procesit për anëtarësimin për në BE, jo në fund të rrugës, por në rrugën e duhur.

Përpjekja e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit ka qenë e moderuar. Është bërë progres në ndjekjen e korrupsionit në nivelet e larta. Në fushën e krimit të organizuar përmirësim i moderuar, masat e marra kundër kultivimit të kanabisit kanë qenë të moderuara.

Shqipëria po bën progres në nivelin ekonomik, ka rritje ekonomike dhe po shkon drejt ekonomisë së tregut dhe duhet të jemi mirë ekonomikisht që të bëhemi pjesë e BE. Jemi në mes të procesit për anëtarësimin për në BE nuk jemi në fund të rrugës, por jemi në rrugën e duhur. Reforma në drejtësi e përmbushur” tha ai.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi, ai vlerësoi ministren Etilda Gjonaj për punën e bërë duke e cilësuar si mjaft të rëndësishme.

Ai tha se hapja e negociatave që Shqipëria pret në Tetor, deputeti gjerman tha se vendi jonë nuk i ka përmbushur 100% të gjitha kushtet, por asnjë shtet nuk i ka përmbushur ato që shkruhen nëpër dokumente.

Duhet të jemi së bashku në BE për të forcuar të gjitha vlerat e nevojshme si nga ana sociale, arsim e te gjitha. Shqipëria nuk ka përmbushur 100% të gjitha kushtet, por asnjë shtet nuk i ka përmbushur ato që shkruhen nëpër dokumentet.

Por drejtimi është 100% i rregullt. Kolegët e mi janë të bindur se Shqipëria është partner perfekt për ne, jeni në rrugën e duhur shteti i së drejtës është esenca e gjithckaje” përfundoi ai fjalën e tij në leksionin e hapur në Tiranë me kandidatët për magjistratë në shkollën e magjistraturës.

Nga ana tjetër, gjatë fjalës së saj ministrja Etilda Gjonaj falënderoji parlamentin gjerman për përkrahjen që i ka dhënë.

Ndër të tjera ajo tha:

“Kjo godinë, është treguesi më i mire që reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe që reforma në Drejtësi do të ndryshojë rrënjësisht fytyrën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Reforma në sistemin e drejtësisë nuk lidhet vetëm me krijimin e një mënyre të re të organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor apo me ngritjen e disa institucioneve të reja.

Më së pari, reforma në sistemin e drejtësisë është një përpjekje e rëndësishme për të përmbysur mentalitetin e krijuar në një klasë të politikës dhe gjyqësorit që ishin të paprekshëm dhe të gjithpushtetshëm.

Nëpërmjet kësaj reforme, ne kemi goditur në zemër pandëshkueshmërinë dhe mungesën e llogaridhënies së njeriut të veshur me pushtet dhe kemi krijuar besimin dhe shpresën tek qytetarët shqiptar se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe që ky vend mund të bëhet.

Kur kthej sot kokën pas, e kuptoj që në të vërtetë, 5 vjet, që kur ne filluam punën për reformimin e sistemit të drejtësisë, nuk janë asgjë, përkundrejt ndryshimeve radikale që ka pësuar sistemi në tërësi.

Dhe këto ndryshime nuk janë vetëm në ligjet që ne kemi miratuar, apo në godinat e reja që ne kemi ndërtuar.

Më së shumti janë ndryshime në mendjen së pari të magjistratëve, që tashmë kanë kuptuar rolin që janë në shërbim të qytetarëve për të dhënë Drejtësi; po ashtu, edhe qytetarët kanë filluar të kuptojnë që tashmë, në dyert e gjykatave shqiptare do gjendet drejtësia dhe jopadrejtësia.

Dhe për mua kjo është arritja më e madhe: Kthimi i besimit të qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.

Për qeverinë, arritja e këtij qëllimi, justifikon çdo shpenzim të nevojshëm buxhetor, dhe për këtë qëllim i kemi dhënë mbështetje të pakursyer zbatimit të reformës në Drerjtësi.

Anëtarët e organeve të vetingut ushtrojnë funksionet e tyre në ambiente modern dhe të përshtatshme pune si dhe janë ndër zyrtarët publik më të mirëpaguar.

Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë i është miratuar buxheti siç ato e kanë kërkuar, dhe u janë përmbushur plotësisht kërkesat e tyre për strukturat organike.

Këshilli i Ministrave ka miratuar buxhetin fillestar të SPAK si dhe fondet e nevojshme për përshtatjen e zyrave të reja të punës së SPAK me qëllim që, me ngritjen e tij, të ketë në dispozicion çdo burim financiar dhe njerëzor të nevojshëm për të luftuar pa kompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar në shqipëri dhe për të zhdukur, njëherë e përgjithmonë, kulturën e pandëshkueshmërisë në shoqërinë shqiptare.

Ne sot, të gjithë bashkarisht duhet të jemi krenar për çfarë kemi arritur. Kemi rrëzuar një sistem të kalbur dhe nga kemi ringritur një sistem të ri nga themelet.

Jam e sigurit që eksperienca jonë, dhe arritjet tona, do të jenë shembull për t’u ndjekur nga shumë vende të rajonit, apo edhe vende të tjera që sot mbase edhe janë vende anëtarë të Bashkimit Evropian.

Prandaj diskutime të tilla i shërbejnë mjaft mirë dhe duhet të shfrytëzojmë momentin jo vetëm për të vlerësuar arritjet por njëkohësisht edhe për të diskutuar me një një grup më të gjërë profesionistësh, gazetarësh, magjistratësh të rinj. Për këtë arsye doja tju falenderoja të gjithëve për pjesëmarrjen.

Në mbyllje, dua të falenderoj z. Sensburg që pranoi ftesën tonë për të mbajtur një leksion të hapur këtu në  mjediset e Shkollës së Magjistraturës dhe ta ftoj për të dëgjuar eksperiencën e tij”, u shpreh Gjonaj. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje