Me 7 vota pro dhe 2 kundër, Komisioni Hetimor i ngritur per hetimin me qellim shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, miratoi paraditen e sotme kërkesën për zgjatjen me dy muaj të punimeve. Kjo kërkesë tashmë do ti kalojë kuvendit, për miratim në seancën e datës 3 tetor.
Seanca e sotme e Komisionit Hetimor për verifikimin e veprimeve të presidentit Meta prodhoi debate midis përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës parlamentare.
Kryetari i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi debatoi me deputetët e PS-së Vasilika Hysi dhe Alket Hysenin për çështjen e shtyrjes së afatit të këtij komisioni me dy muaj.
Në fjalën e tij, Alimadhi kërkoi që komisioni të mos miratonte zgjatjen e afatit me 2 muaj ose komisioni të shpërbëhej. Por, kjo kërkesë u refuzua nga kryetari Ulsi Manja dhe deputetët e mazhorancës.
Sipas tij, komisioni nuk ka elementët e duhur për të ndjekur një procedurë ndaj hetimit të presidentit, sepse nuk ka asnje marreveshje sipas tij, nga ana e Presidentit, që prekin interesat e shqiptarëve.
“Unë gjykoj se ky komision nuk duhet të ekzistojë sepse nuk ka elementët e duhur për të ndjekur një procedurë ndaj hetimit të presidentit sepse nuk kemi shkelje të rëndë. Pra jo për ta shtyrë afatin, por nuk kemi një shkelje të rëndë që fajëson presidentin sepse presidenti nuk ka bërë ndonjë marrëveshje që prek interesat e këtij vendi, apo prek interesat e shqiptarëve”- tha Alimadhi.
Deputetja Vasilika Hysi deklaroi se nuk mund të humbet kohë teksa pritet marrja e raportit të Komisionit të Venecias për verifikimin e kushetutshmërisë së dekretimit të 13 tetorit si datë për zgjedhje lokale nga presidenti. Alimadhi u shpreh se ëshë fyese për opozitën që nuk merren parasysh kërkesat e saj, por vetëm të shumicës,
“Ky është vendim i Kuvendit, ndaj jemi vetëm anëtarë të këtij komisioni. Në këtë aspekt nuk kemi të drejtë që ta ndërpresim, pasi është e drejtë e Kuvendit. Në bazë të nenit 24/25 të rregullores së Kuvendit, afatet për shtyrje nuk janë në minutën ose ditën e fundit. Jemi në një situatë ku presim raportin e Komisionit të Venecias. Nuk kemi kohë për të marrë një vendim tjetër për shtyrje”, u shpreh deputetja e PS-së Vasilika Hysi.
“Kam shumë respekt për ju zonja Hysi dhe zotin Hyseni. Por, duhet të jemi të përgjegjshëm. Unë jam i ndërgjegjshëm, por nga momenti që ju na detyroni të ndjekim procedurat tuaja, është fyese”, deklaroi Alimadhi.
Ndërkohë përpara se të miratohej vendimi i shtyrjes së afatit të Komisionit Hetimor me 2 muaj, në debat u përfshi dhe deputeti Alket Hyseni, i cili thumboi Alimadhin se vendimi i komisionit do të dalë përpara Festave të Nëntorit. Deputeti i opozitës iu kundërpërgjigj se Balli Kombëtar nuk ka luftuar për të siguruar pushtetin.
“Premtojmë që para festave të Nëntorit ky komision të dalë në një vendim. Pra, para festave të Nëntorit të çlirojmë institucionet….Bëj shaka”, shprehu qëndrimin e tij deputeti Hyseni.
“Po ju them një gjë. Balli nuk ka bërë luftë për të fituar pushtetin. Ju do caktoni një datë…Po si e keni çliruar ju? E dini vetëm një pjesë të historisë?”, përfundoi fjalën e tij Alimadhi.
Nderkohe qe kujojme se afati ligjor i strukturës hetimore te komisionit është data 8 tetor. Nderkohe kryetari i Komisioni Ulsi Manja kërkoi që afati i punimeve të shtyhet me dy muaj, gje qe nuk eshte quajtur e arsyeshme nga ana e opozites.
Deputeti i opozites, Krenar Rryçi eshte shprehur darkord me shyrje. “Duhet te jemi me serioze, ta shtyjme me dy dhe tre muaj, sa te jete e nevojshme, ne jemi komision hetimor, por nuk marrim njeri te pandehur ketu- tha ai.