Rrëfimi i gazetarit: Të punoje për “Zërin e Popullit” në kohën e komunizmit

22 Shtator 2019, 12:24Dossier TEMA

Nga Ilir Xhafaj

Sejdin Cekani është njëri prej gazetarëve që për më shumë se një dekadë ka dhënë kontributin e tij në të përditshmen më të madhe të kohës, në gazetën “Zëri i Popullit”.

Pavarësisht se nuk vinte drejtpërdrejt nga gazetaria, në vitin 1983 e emëruan gazetar te “Zëri i Popullit”, sepse me shkrimet sociale dhe kulturore që kishte botuar te gazetat “Studenti” e “Bashkimi” do të binte në sy të drejtuesve të së përditshmes më të madhe të kohës.

I lindur në Librazhd, zoti Cekani kreu shkollën 8-vjeçare në vendlindje, për të vazhduar Shkollën e mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan e më pas studimet universitare për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë. Pikërisht pas përfundimit të studimeve universitare, në vitin 1983, emërohet zyrtarisht gazetar te “Zëri i Popullit”, ku punoi për 13 vjet pa ndërprerje, deri në vitin 1996, ndërkohë që e ushtroi profesionin edhe si korrespondent për rrethet Elbasan, Librazhd e Gramsh.

“Isha përgatitur për mësuesi dhe shpresoja që, pas përfundimit të studimeve, të paktën të jepja letërsi në ndonjë shkollë të mesme”, tregon zoti Cekani. “Përfundimisht për mua u vendos që të punoja te gazeta “Bashkimi”. Por, ndërsa bëhesha gati të filloja punë aty, më vjen një letër, më anë të së cilës njoftohesha se isha emëruar tek e përditshmja “Zëri i Popullit”.

Ndër shkrimet e para gjatë punës si gazetar, zoti Cekani kujton atë për jetën e vakët kulturore në pallatin e kulturës “Rinia” në Tiranë, e cila, siç thotë ai, kishte rënë në limonti të plotë dhe nuk kishte asnjë veprimtari për muaj të tërë. Po kështu edhe një shkrim tjetër për Shtëpinë e Kulturës në Lushnje, ku për dy vite me radhë nuk ishte vënë asnjë premierë në skenë. “Mbaj mend se po ato ditë kam bërë edhe një shkrim për të Enjtet Muzikore që zhvilloheshin në Durrës, një traditë e bukur që sapo kishte filluar në atë qytet dhe e kishte gjallëruar së tepërmi jetën kulturore”, thotë Sejdin Cekani.

Ai rrëfen se fillimisht e nisi me shkrime kulturore, me shkrime të tjera kushtuar ngjarjeve dhe datave historike, për të vazhduar me probleme të rinisë, të pushtetit, si dhe me reportazhe.

Po ashtu, zoti Cekani tregon se profesioni i gazetarit të lejonte ta njihje nga afër gjithë mekanizmin e funksionimit të shtetit të asaj kohe. Padrejtësitë e zyrtarëve, zvarritjet burokratike dhe rënia e prodhimit, ishin në qendër të shkrimeve të gazetarëve.

Zoti Cekani kujton se në vitin e dytë apo të tretë të punës, ende gazetar i ri, bën një shkrim për ekipet e Ministrisë së Bujqësisë që niseshin nga Tirana dhe shpërndaheshin nëpër rrethe për të ndjekur ecurinë e prodhimeve. Mirëpo, siç rrëfen Sejdin Cekani, edhe në atë kohë nuk mungonin burokracitë dhe manipulimet me anë të raporteve fiktive. Sipas tij, nëpunësit e Ministrisë kishin shkuar në Fier sa për të marrë dietat dhe për të mbushur makinat me prodhime sezonale, pa harruar pastaj të mbushnin edhe faqet e raporteve me të dhëna fiktive.

Ishte ky fenomen që do ta nxiste gazetarin Sejdin Cekani të shkruante në gazetë dhe ta ngrinte si problem. “Nuk mund të rrija pa shkruar për këtë rast. ‘Ekipi erdhi dhe la pas… tymin e makinës’, ishte titulli i shkrimit, i cili u botua dhe të nesërmen pati një jehonë që mua më shtangu, ngaqë ende isha gazetar i ri. Siç më thanë shefat e mi në redaksi, nga Kryeministria ishte dhënë porosi që të nesërmen artikulli të analizohej në të gjitha drejtoritë e ministrive”, tregon ai.

Gazetari Sejdin Cekani

Por, siç thotë zoti Cekani, po gjatë asaj dite, për atë shkrim, ministrja e Bujqësisë kishte kërkuar që të verifikohej nëse ishin të vërteta ato që kishte shkruar gazetari, pavarësisht se dikasteret ishin vënë në lëvizje.

Gazetari Sejdin Cekani tregon se shkrimet në gazetarinë para viteve ’90 kishin “filtra” për vërtetësinë, duhej të ishin të sakta e me fakte të pakontestueshme, sepse e kundërta të rrezikonte seriozisht. “Ndaj dhe si masë mbrojtëse duhej të funksiononte përherë  “teoria e fakteve rezervë”. Ne, përveç fakteve që fusnim në shkrim, kishim dhe dy apo tri fakte të tjera më të forta që i mbanim rezervë dhe ky ishte mekanizmi mbrojtës në atë kohë”, shton ai.

Kështu kishte vepruar Sejdin Cekani dhe në rastin e shkrimit të përmendur më lart, kur ministrja e Bujqësisë kishte kërkuar verifikimin e artikullit të tij te “Zëri i Popullit” e për të cilin ishte reaguar deri në nivelet e larta të qeverisjes. Për të qenë sa më korrekt dhe për të mbështetur shkrimin e tij, zoti Cekani kishte intervistuar me diktofon shefin e Bujqësisë në Fier, i cili pohonte disa fakte të tjera që e bënin edhe më të rëndë pozitën e nëpunësve të Ministrisë që kishin shkuar për inspektim në Myzeqe.

Gazetari tregon se asnjëherë në punën dhe shkrimet që bënte nuk kishte pasur presion të drejtpërdrejtë apo dhe që të ketë rrezikuar të dënohet. “Në shkrimet e mia jam treguar gjithnjë i kujdesshëm dhe nuk kam shkruar asnjëherë pa fakte domethënëse ose pa i verifikuar ato”, vijon të tregojë Sejdin Cekani, ndërsa pohon se reagime pas botimit të shkrimeve ka pasur shumë, sidomos për ata problemorë e me kritika të drejtpërdrejta.

Gjatë punës në të përditshmen “Zëri i Popullit”, Sejdin Cekani ka përdorur dhe pseudonimet Gjergj Polisi e Martin Teli, me të cilat janë nënshkruar disa shkrime të tijat.

Punëtorë e specialistë të industrisë në Rafinerinë e Naftës në Ballsh, në Uzinën e Nikel-Kobaltit në Metalurgjik, ndërtues veprash energjetike në Koman e Banjë, kooperativistë e blegtorë në Vithkuq të Korçës, në Roshnik të Beratit e në Bujan të Tropojës, oficerë e ushtarë që kryenin veprime e manovra të rrufeshme në nëndetësen e bazës së Pashalimanit, ishin disa nga personazhet e shkrimeve të Sejdin Cekanit.

Në vitin 1996, pas afro një dekade e gjysmë punë si gazetar, zoti Cekani tërhiqet nga gazetaria e drejtpërdrejtë, me rreth 1100 shkrime të botuara në shtypin shqiptar të kohës nën emrin e tij dhe me pseudonimet Gjergj Polisi e Martin Teli.

Pas këtij viti, te Sejdin Cekani triumfon pasioni shumë më i hershëm, për të cilin edhe ishte përgatitur paraprakisht duke e ushtruar si një punë të dytë, ai i redaktimit. Prej atëherë e deri në ditët e sotme ka redaktuar mbi 400 libra, ku përfshihet letërsia artistike e autorëve bashkëkohorë, libra filozofikë, sociologjikë e historikë, por edhe biografi e kujtime të personaliteteve e politikanëve që kanë lënë gjurmë në historinë moderne të dy shekujve të fundit.

Tashmë që ka kaluar mes “dy epokave të gazetarisë”, Sejdin Cekani thotë se para viteve ’90 profesioni i gazetarit kishte “shenjtërinë e vet”, ndërsa tani, sipas tij, shumica e gazetarëve janë bërë “kobure” në duart e të tjerëve, duke mos hezituar të shprehë dhe dhimbjen për degradimin e profesionit që dikur e ushtronte vetë. “Në shtypin e asaj kohe gazetarët përzgjidheshin, merreshin përgjithësisht ata që kishin vërtet talent. Kurse sot, për fat të keq, gazetarët e lejojnë veten të përdoren. Merren me gjysmë të vërteta, nuk e kanë për gjë të fyejnë, të poshtërojnë dhe të sajojnë për këdo që i urdhëron shefi apo pronari i një portali që e përdor shtypin si kobure”, shton ai.

Një tjetër kritikë që gazetari Sejdin Cekani ka për brezin e sotëm të gazetarëve lidhet me mënyrën e shkrimit apo raportimin e një ngjarjeje. Sipas tij, sot, më së shumti, objekti i shkrimit përcaktohet nga kafeneja, nga thashethemet apo nga çfarë të del përpara sapo hap kompjuterin, ndërkohë që duke bërë një krahasim me kohën kur punonte vetë, thotë se atëherë gazetarët, përveç etikës dhe korrektësisë, dilnin vetë në terren për të parë ku “çalonte” puna.“Sigurisht që edhe në këtë kohë ka gazetarë seriozë që e bëjnë me përkushtim punën e tyre, madje deri dhe investigime të vërteta”, thotë gazetari.

Për raportet me kolegët, Sejdin Cekani thotë se me shumë prej tyre është shkëputur që prej ikjes së tij nga gazetaria e drejtpërdrejtë në vitin 1996, sepse ata u dhanë pas politikës dhe ndokush u bë edhe zgjatim i personave të caktuar. Ama, siç pohon zoti Cekani, ka dhe shumë kolegë të tjerë me të cilët jo vetëm i ka ruajtur raportet ndër vite, por sot janë dhe miq shumë të mirë.

Si redaktor me një përvojë të gjatë pune, por dhe si njohës i mirë i fjalës dhe gjuhës shqipe, Sejdin Cekani nuk e fsheh zhgënjimin për gjendjen në të cilën është katandisur gjuha e shkruar në media. “Media, veç të tjerave, krijon edhe modele të shkruari e ligjërimi dhe imitohet nga publiku, por në rastin tonë, media dhe gazetarët po krijojnë modele tejet të gabuara, çka është një kosto shumë e madhe e do të duhet shumë e shumë kohë për ta ndrequr dëmin që po shkakton”, përmbyll ai.

1 komente në “Rrëfimi i gazetarit: Të punoje për “Zërin e Popullit” në kohën e komunizmit”

  1. Buda says:

    Portrt shume i sakte, Sejdin Cekani ka qene dhe mbetet shembull i gazetarit te talentuar, te ndershem, me karakter te pathyeshem, njeriut me zemer te mire; me nje fjale bravo autorit te shkrimit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje