Partizani reagon ashpër dhe akuzon Tiranën: Akt terrorist në bashkëpunim me administratorët e stadiumit, e papranueshme që nuk u distancua as klubi

30 Shtator 2019, 14:46Sport TEMA

Mjetet piroteknike të gjetura në stadiumin “Selman Stërmasi” shumë pranë vendit ku ishte vendosur tifozeria e Partizanit, janë sot kryefjala e derbit.

Një reagim të ashpër ka bërë klubi i Partizanit në faqen zyrtare, aty ku e konsideron këtë një akt terrorist të mbetur në tentativë, si edhe kërkon nga organet përkatëse të nisin hetimin për këtë çështje.

Ndërkohë, Partizani e ka konsideruar të papranueshëm faktin që vetë klubi i Tiranës nuk ka bërë asnjë reagim apo distancim nga ky akt.

Klubi i Partizanit, shton se e gjitha kjo nuk mund të bëhej pa ndihmën dhe bashkëpunimin e administratorëve të stadiumit.

Reagimi:

“Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvajtjen e takimeve derbi.

Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv.

Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”.

Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë.

Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”.

I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent.

2 komente në “Partizani reagon ashpër dhe akuzon Tiranën: Akt terrorist në bashkëpunim me administratorët e stadiumit, e papranueshme që nuk u distancua as klubi”

  1. Mandi says:

    Tirana dhe tifozet e saj duhen bere shembull kesaj radhe …Arrestime dhe burgosje per autoret e krimit dhe denim maksimal per Klubin e Tiranes..keta turq te piset duhet te marrin nje mesim te mire .n duhet ti hiqen pike dhe denohet me ndeshje pa tifoze.Ky akt patjeter eshte bere me administratoret e Stadiumit dhe aty duhen gjet rrenjet nqa do kishin arrit te benin shperthimin do kishte te vrare dhe shume te plagosur

  2. miu bashkise says:

    Tirona duhet denuar me 5 ndeshje pa tifoze, heqjen e 6 pikeve dhe 100 000 euro gjobe ,ndryshe turqit e Tiranes nuk marrin vesh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje