“Lufta kundër dhunës në familje” ka qenë fokusi i takimit ndërinstitucional në Ministrinë e Drejtësisë, ku ministrja Etilda Gjonaj adresoi një sërë mesazhesh konkrete për ta bërë më të efektshme përballjen me të.
Teksa prezantoi projekt-udhëzimin e përbashkët që Ministria e Drejtësisë ka përgatitur “Për përcaktimin e rregullave për krijimin e një baze të dhënash të posaçme për çështjet e dhunës në familje në gjykata dhe unifikimin e regjistrimit të tyre”, Gjonaj çmoi se ishte mjaft i rëndësishëm konsultimi i kësaj iniciative me të gjithë aktorët për përmirësimin e identifikimit dhe mbajtjes më mirë të të dhënave për dhunën në familje
Në prani të ambasadores së Suedisë Elsa Håstad, kryetares së KLGJ-së Naureda Llagami, përfaqësueses së UNDP-së Limya Eltayeb, zv ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Mira Rakacolli, përfaqësuesve të institucioneve dhe organizata të shoqërisë civile, ministrja Gjonaj kërkoi ndihmë më të gjerë ndërkombëtare dhe një bashkëpunim më të ngushtë, në mënyrë që të ofrohet një shërbim sa më i plotë.
Ajo përmendi angazhimin e qeverisë për identifikimin dhe adresimin e dhunës në familje, ku ndër të tjera theksoi se nga ana e saj janë vendosur në dispozicion të gjitha kapacitetet bashkëpunuese për të minimizuar këtë fenomen të hershëm të shoqërisë.
“Është e nevojshme një mbështetje ndërinstitucionale dhe dakordësi nga të gjithë aktorët e tjerë për të siguruar parandalimin, mbrojtjen e viktimave të dhunës, si dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre që ushtrojnë këto akte”, tha Gjonaj e cila shtoi se:
“Për mua ka ende shumë e shumë për të bërë, pavarësisht se është shënuar progres i dukshëm në miratimin e ligjeve përkatëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, akteve nënligjore dhe mekanizmave referues. Për garantimin e të drejtave njerëzore të viktimave të dhunës dhe parandalimin të këtyre fenomeneve, dua t’ju sjell në kujtesë se si ministre Drejtësie që në krye të herës e kam orientuar punën në dy drejtime: E para me miratimin e një kuadri ligjor sa më të plotë dhe bashkëkohor për mbrojtjen e viktimave të dhunës; dhe ajo çfarë është shumë e rëndësishme aksesin në drejtësi përmes ndihmës juridike falas. Dhe e dyta, me një iniciativë të përbashkët me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si edhe Ministrinë e Brendshme, filluam dhe e Grupit te Koordinimit kundër Dhunës në Familje si strukturë apo si zyre pranë Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim monitorimin e situatës dhe identifikimin e zgjidhjeve ligjore”, nënvizoi Gjonaj.
Ministrja e Drejtësisë i bëri thirrje organizatave dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe konkretisht organizatave që punojnë për mbrojtjen e grave viktima të dhunës në familje, për më shumë mbështetje financiare. “Ashtu si dhe ne si ministri e drejtësisë, duhet të gjithë të përfitojmë nga ekspertiza dhe eksperinca shumëvjecare e shoqërisë civile”, – theksoi Gjonaj.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e UNDP-së Limya Eltayeb, vlerësoi nismat e ndërmarra nga Gjonaj në krye të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me luftën kundër dhunës në familje si dhe vecanerisht për aksesin e grave në drejtësi. Ajo tha se “UNDP vlerëson lart interesin dhe angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për çështjet që lidhen me dhunë në bazë gjinore”
Ndërkohë, ministrja u ndal edhe te gratë e burgosura ku tha se këto ditë projekt-ligji i Amnistisë do të prezantohet në Kabinetin Qeveritar.
Ajo shtoi se “Gratë do jenë ato që do të përfitojnë nëpërmjet disa kritereve lehtësuese, me qëllim që shumica prej tyre të përfitojnë nga kjo amnisti.