Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, do të publikojë listën për ndeshjet e radhës eliminatore kundër Turqisë (11 tetor) dhe Moldavisë (14 tetor).
Numri një i stolit ka vendosur të bëjë disa ndryshime të rëndësishme në grup, pasi pritet që mbrojtësi Mërgim Mavraj të mos grumbullohet. Kapiteni u la në stol pas sfidës me Francën, ndërsa trajneri italian ka vendosur të mos i dërgojë ftesë.
Dy emra surprizë në listë janë Armando Broja dhe Taulant Seferi. Të dy duan prej kohësh Shqipërinë, ndërsa presioni ka qenë i madh, pasi me Anglinë dhe Maqedoninë e Veriut që mund të tundojë lojtarin e Chelseas dhe atë të Xamaxit, Federata do që t’i “djegë” të dy për të mos i humbur më pas.
Endri Çekiçi do të jetë i grumbulluari i radhës, pasi sulmuesi po bën mjaft mirë në Slloveni. Ai ka gjetur veten duke u kthyer në lider dhe duke shënuar gola të rëndësishëm për Olimpija Ljubljana. Rikthehet dhe Hysen Memolla në kombëtare. Mbrojtësi i krahut të majtë po luan si titullar në Finlandë me KPV.