Raporti për mirëqenien dhe sigurinë e grave, Gjonaj thirrje për bashkëpunim: Po rishikojmë politikat, duhet të punojmë jo veç me viktimat e dhunës por edhe me dhunuesit

8 Tetor 2019, 15:15Kronika TEMA

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka rikthyer sërish vëmendjen te çështja e dhunës në familje, duke kërkuar angazhim dhe bashkëpunim më të gjerë mes institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Teksa Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë prezantoi raportin për Shqipërinë mbi mirëqenien dhe sigurinë e grave, Gjonaj solli në vëmendje disa nga vendimet që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë për minimizimin e rasteve të dhunës dhe forcimin e rolit të saj në shoqëri: “Ne si Ministri, por edhe gjithë aktorët e tjerë duhet që të punojmë bashkërisht me viktimat e dhunës me bazë gjinore që të rishikojmë politikat sa i përket adresimit por edhe mbrojtjes të grave viktima të dhunës në familje.

Në prani të ambasadorit të OSBE-së Bernd Borchardt, ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kordinatorit të përgjithshëm të OKB-së Z. Brian Ëilliams, dhe shefit të zhvillimit Ekonomik dhe Social të Delegacionit të BE në Shqipëri Z. Andrea Vera, Gjonaj bëri thirrje për punë koordinative më të fortë.

“Me qëllim adresimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore dhe garantimin e një mbrojtje efektive, ka ardhur koha që ne institucionet përgjegjëse të punojmë me një qasje të re, të përdorim mekanizma të reja dhe të ndryshojmë qasjen e punës me profesionistët e sistemit të drejtësisë, por në të njëjtën kohë edhe si me viktimat, ashtu edhe me dhunuesit. Është e domosdoshme që të merren masa nga ana jonë por edhe nga aktorët e tjerë që të ofrohen trajnime, fushata ndërgjegjësimi, aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim ndryshimin e mentalitetit, steriotipeve gjinore dhe ndryshimin e sjelljeve te cilat i shtojnë edhe më shumë pabarazitë ndërmjet burrave dhe grave në shoqërinë tone”, u shpreh Gjonaj.

Ndërkohë, më tej shtoi se:

“Dhuna në familje, dhuna ndaj grave apo edhe çdo formë tjetër e saj, nuk është thjesht çështje brenda mureve të një shtëpie, por është një çështje që na takon të gjithëve dhe nuk mund të ketë ndërhyrje të veçuara, të pjesshme, apo ndërveprime paralele të cilat si të jenë shtetërore apo joshtetërore, nuk arrijnë dot të trajtojnë problemin në tërësi të saj. Prandaj duhet të gjithë bashkërisht me të njëjtin qëllim, të ndihmojmë dhe të marrim masa për parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen penale dhe ndërmarrjen e politikave të integruara me qëllim garantimin e të drejtave në mënyrë efektive të të gjithë viktimave të dhunës”, tha Gjonaj.

Gjithashtu, Gjonaj solli në vëmendje se Ministria e Drejtësisë është duke nxjerrë udhëzimin “Për përcaktimin e rregullave për krijimin e një baze të dhënash të posaçme për çështjet e dhunës në familje në gjykata dhe unifikimin e regjistrimit të tyre”, i cili do të shërbejë për të kuptuar problematikat e dhunës në familje dhe marrjen e masave konkrete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje