Letra e Beqir Ballukut nga burgu: Kam cënuar unitetin Enver-Mehmet, por Petriti me Hiton përqëndruan armët në Shtatmadhori

18 Tetor 2019, 11:52Dossier TEMA
Letra e Beqir Ballukut nga burgu: Kam cënuar unitetin Enver-Mehmet, por

 

Memorie.al publikon letrën e plotë të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku për Enver Hoxhën, e datës 18 Shtator të vitit 1974, e dërguar nga Roskoveci ku vuante fillimisht internimin, i akuzuar si “armik i partisë dhe popullit”.

Nga Dashnor Kaloçi

(vijon nga dje)

Dhe me në fund nuk vura në dijeni shokët për fillimin e mbarimin e keq të këtij materiali? Që unë merrem me përpunimin e një materiali që u ngritën në Pleniumin e 12 të Komitetit Qëndror të PPSH-së, shoku Hysni ka qenë në dijeni si nga unë ashtu dhe nga aparati ushtarak i Komitetit Qëndror, sigurisht në formë të përgjithëshme pa asnjë hollësi, ndërsa shoku Enver dhe Mehmet nuk janë në dijeni, sepse kam menduar që t’ua dorëzoj materialin e gatshëm, si bëra me materialin e katërt, kjo është një shkelje e rëndë e rregullave, që në rastin konkret unë duhet ta shtroja problemin me shokët dhe të merrja autorizim për ta përpunuar apo jo një material të tillë. Po të kisha ndjekur këtë rrugë, sigurisht që edhe konceptet e mija të gabuara, do të ishin kapur dhe goditur me kohë. Pse nuk e kam bërë unë këtë gjë?

Unë këtë gjë nuk e kam bërë pse kam menduar se po përpunoj një temë i bazuar në mësimet e vijën e Partisë dhe se ky material mbasi të mbarohej, do t’u paraqitej për aprovim shokëve. Ndërsa për anullimin e tij nuk është në dijeni asnjë nga shokët, nga ana ime, pa folur për Petritin e Hiton. Pse ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur se unë këtë çështje e kam parë dhe trajtuar me sy liberali, pa u shqetësuar që të rrëmoj e shof shkaqet që më kanë çuar në këto gabime dhe faje.

Dua të theksoj se problemi kryesor që kam synuar të trajtoj në këtë material ka qenë formacioni i luftimit, d.m.th. zënia e mbulimit të brezit të parë  në drejtime kryesore me forca art-mitraliere me fuqi të madhe zjarri  dhe të siguruara me fortifikim të gjerë xhenier, ndërsa për aktivitetin në formën që përshkruhet nuk kam qenë entuziast dhe atë unë do e korigjoja në materialin e përfunduar. Në materialin e katërt këtyre problemeve unë u dhashë rrugën që dihet, d.m.th. forcat art-mitraliere janë në skalon të parë dhe forcat e këmbsorisë në skalon të dytë  dhe aktiviteti është në përputhje me tezat. Pavarësisht nga ky qëndrim i imi ndaj këtyre materialeve që vijnë në kundërshtim me tezat dhe qëndrim i padenjë si komunist para Partisë, është qëndrim negativ dhe liberal ndaj gabimeve dhe fajeve të cilat duhet t’i zbulosh me kurajo dhe t’i dënosh e luftosh me rreptësi.

Tamam se nuk i kam pastruar pluhrat ditë për ditë ashtu siç na mëson Partia e shoku Enver, në kokën time kanë zënë vënd koncepte dhe botëkuptime të huaja borgjeze-revizioniste që më çuan në këto gabime dhe faje. Pra mbyllja e materialit të tretë në mnyër të thjeshtë pa ndërrmarë një sulm të rreptë politik-ideologjik për çrrënjosjen e këtyre koncepteve, nuk e eksludon faktin që në të ardhmen këto materiale të përdoreshin nga unë spese plagës nuk i ishte vënë gishti, bota ime e brendëshme kishte mbetur e sëmurë.

Shtrimi dhe trajtimi i problemeve në materialin e tretë duke mbështetur për argumentim bazimin e tezave të tij të shtrembëra në mënyrë të gabuar e tendencioze, në fjalimin e shokut Enver, që theksoi se ai është një fjalim që afirmon dhe pasuron më tej tezat, në mënyrë të paevitueshme të çon në kundërvënie dhe në cënim të unitetit në byro në mes shokut Enver dhe Mehmet, këtë gjë nuk e reflekton vetëm libri i citateve që ka shoqëruar materialin, por tërë fryma e tij, që duke përdorur në mënyrë të gabuar shokun Enver dhe Mehmet, materiali të merrte peshë dhe të bazohej.

Pavarësisht se në mëterialin e tretë ka probleme dhe inisiativa që nuk janë të mijat, kjo nuk ka rëndësi, përgjegjës për të gjitha jam unë. Përpunimi i këtij materiali është përshkuar nga fillimi e deri në fund nga metoda të huaja dhe të gabuara si mënjanimi i shokëve dhe aparateve, kjo ka ndodhur për dy arsye: së pari, unë duke u prirë nga mendimi se Petriti e përqafon me vështirësi të renë, kam qenë i bindur se ai nuk kontribuon në hartimin e këtij materiali që unë e konsideroja të drejtë, përveç kësaj unë kam menduar se përgjithësisht Petriti, nuk u futet studimit të problemeve thellë e me durim, dhe së dyti, faktori që përbën thelbin e problemit qëndron në faktin se unë duke qenë nën ndikimin e koncepteve të huaja më ka pushtuar ndjenja e mëndjemadhësisë dhe arrivizmit, se ja këtë përpunim shkencor, këtë temë siç e quaja unë, për zbërthimin e pasurimin e temave, grupi i punës e bëri nën drejtimin tim.

Por nga sa vura në dukje me lart, po theksoj prapë se edhe vetem revizionimi i parimeve të temës së parë të mbrojtjes, të çon në mënyrë të paevitueshme në prekjen e tërë tezave dhe në krijimin e një platforme të re, në rastin konkret antimarksiste dhe me pasoja të rënda për mbrojtjen tonë, llogjika e shëndoshë këtu të çon.

Në proçesin e këtij materiali sedra ime është prekur veçanërisht nga kundërshtimet e shokëve, por këtë çështje unë e kam quajtur normale dhe se në proçesin e punës diferencat do të rrafshohen.

Arsyeja e parë e largimit tim nga posti i ministrit është bërë për shkak të marrëdhënieve jo të mira në mes meje dhe Petritit, sidomos pas vitit 1966 kur çështja jonë u shtrua dy herë rradhazi në Byronë Politike për fajin tim. Mua kurdoherë më ka shqetësuar fakti se Petriti ndaj meje nuk është kurdoherë i hapët, ai akumulon dhe se qënien time përgjegjës mbi veten e tij nuk e tres, ai kërkon kompetenca të pakufizuara, d.m.th, fushëveprimi të gjërë, jashtë caqeve dhe kufijve të Shtatmadhorisë, unë disa herë i kam thënë që është mirë që t’i të propozosh që të dalësh zëvëndësministër i lirë dhe të marrësh nën drejtim sektorë që kam unë në lidhje, ai këtë nuk e ka pranuar. Por pas shtrimit të çështjes në Byro, shoku Petrit dhe Hito, përpunuan skemën e re, ku të gjitha armët dhe shërbimet u përqëndruan në Shtatmadhori. Unë atëhere me këtë skemë u shfaqa dakort. Kuptohet se në bazë të kësaj i gjithë aktiviteti i ministrisë u përqëndrua në Shtatmadhori dhe se edhe organet e tjera që mbetën jashtë saj, tërë aktivitetin e tyre duhet ta ndërtonin në harmoni me këtë organ, mbi bazën e kësaj metode pune, unë si ministër shpesh për shumë probleme të rëndësishme, isha i painformuar dhe në pamundësi që të ndihmoj e ngrej probleme para shokëve, këtë vërejtje ja kam bërë shpesh Petritit që ta vëj në vënd në kontaktet me mua.

vijon nesër

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje