Metoda e Macron-it: Prapaskenat e politikës së jashtme të presidentit francez

22 Tetor 2019, 09:26Bota TEMA

Nga Rym Momtaz, Politico.eu

Duke fluturuar mbi Oqeanin Atlantik, Emmanuel Macron po komploton se si të kapë presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Udhëheqësi francez është ulur me këshilltarët e tij të lartë në një tryezë ovale ngjyrë bezhë, në një sallë mbledhjesh në aeroplanin e tij presidencial. Megjithëse ai zakonisht paraqitet në publik me kostum, për fluturimin ai është i veshur thjeshtë: xhinse të errëta, një bluzë blu të zbukuruar me moton “La French Tech”, një mjekër dy-ditore.

Është takimi i dytë ekzekutiv gjatë fluturimit tetë-orësh drejt Nju Jorkut për mbledhjen vjetore të liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Macron-i po komploton se si të vërë në jetë lëvizjen e tij më të guximshme deri më tani në politikën e jashtme – të vendosë Presidentin e SHBA-ve Donald Trump dhe Presidentin iranian Hassan Rouhani në të njëjtën dhomë, për të projektuar një përparim në konfliktin 40-vjeçar mes dy vendeve.

Por, në diplomacinë e niveleve të larta, si çdo gjë tjetër, logjistika është e rëndësishme, dhe koha e Macron-it në Nju Jork do të jetë e shkurtër.

“Trump-i është të martën?”, pyet Macron-i këshilltarët e tij, duke iu referuar takimit të tij të planifikuar me liderin amerikan. “A mund të përpiqemi ta zhvendosim të hënën?”

“Jo”, përgjigjet Emmanuel Bonne, këshilltari kryesor diplomatik i tij. “Tashmë e dimë se ai është i zënë gjithë të hënën pasdite.”

“Kur flet në Asamblenë e Përgjithshme?” insiston sërish Macron-i. “Duhet të përpiqemi ta kapim pas fjalimit të tij, kur ka kuptim.”

“Ajo që duhet të bëjmë është ta kapim në dhomën e pasme,” përfundon ai. Plani është caktuar. E gjitha çfarë mbetet është realizimi.

Quajeni metoda Macron.

POLITICO-s iu dha mundësia të ndiqte presidentin francez dhe shoqëruesit e tij gjatë vizitës dy-ditore në OKB, pasi Macron u përpoq të ndërmjetësonte takimin e parë ballë për ballë midis një presidenti të Sh.B.A-ve dhe një presidenti iranian në katër dekada.

Ajo që doli në pah ishte një vështrim i brendshëm në një politikë të jashtme hiperaktive, përçarëse, që varet shumë nga marrëdhëniet personale të presidentit francez me liderët e tjerë – dhe mbi të gjitha, ambicioze.

Në gjysmën e mandatit të tij pesë-vjeçar, Macron-i është veçuar me një seri ndërhyrjesh diplomatike të profileve të larta, që janë aq të guximshme saç edhe duken të pamenaxhueshme.

Çështjet që ai xhunglon aktualisht përfshijnë një përpjekje për të reformuar Bashkimin Evropian, një lojë për rivendosjen e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit, një përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit – dhe një përpjekje për të shpëtuar planetin nga ndryshimet katastrofike të klimës.

“Ai së pari mendon që Franca të shkëlqejë në arenën botërore”, thotë një këshilltar i nivelit të lartë në Elysée, i cili kërkoi të mbetet anonim sepse nuk i lejohet të flasë publikisht. “Pastaj për sa i përket sovranitetit evropian [promovimin e interesave të BE-së]. Dhe pastaj në drejtim të krijimit të dinamikave të reja.”

Ukraina, Amazona, Libia, Shtetet e Bashkuara, Venezuela – asnjë pjesë e botës nuk është shumë larg orbitës tradicionale franceze, asnjë skemë tepër e guximshme, asnjë mundësi zhgënjimi të mjaftueshme për ta ndalur.

Ashtu siç Macron-i ia doli të shkëputej nga përçarja ideologjike mes të majtës dhe të djathtës në vendin e tij gjatë fushatës së tij të gjatë presidenciale, ai gjithashtu ka provuar të zvogëlojë kufizimet tradicionale në vendimmarrjen ndërkombëtare.

Në ndjekjen e ambicieve të tij diplomatike, presidenti francez ka mikluar vazhdimisht përçarjen – edhe nëse si përfundim kjo mund të ketë dështuar- në mënyrë që të përpiqet të përparojë interesat e vendit të tij në një fushë shahu globale që nuk ka parë kaq shumë paparashikueshmëri që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Nëse kjo shpesh e lë Macron-in të ekspozuar ndaj dështimit, thonë këshilltarët e tij, kjo gjithashtu hap mundësi – sado të pakta – të shënojë përmes problemeve në dukje të pazgjidhshme.

“Ai ka kurajon të veprojë,” tha këshilltari i nivelit të lartë. “Sot, kush është i gatshëm të ekspozojë veten në çështjen iraniane? Kush është i gatshëm të ekspozojë veten për çështjen Libiane? Kush është i gatshëm të shkojë pas Trump-it? Nëse Macron-i nuk e bën këtë, kush atëherë? ”

Çmimi i ambicies

Ja se si është të ecësh rrugëve të Nju Jorkut me Macron-in.

Presidenti francez po ecën mespërmes lagjes së Manhatanit së bashku me një numër këshilltarësh, ministrash dhe truprojesh. Ai ecën me vetëbesim, duart në xhepat e kostumit blu-marinë të qepur në mënyrë të përsosur, duke shijuar thirrjet nga shikuesit prapa barrierave prej druri të sigurisë të vendosura rreth perimetrit të OKB-së gjatë kohëzgjatjes së samitit.

“Zoti President, jeni magjik!” një burrë francez bërtet nga një cep i rrugës.

“Faleminderit për gjithçka!” hidhet një grua amerikane.

Macron-i ndalon, pyet burrin se nga cili vend i Francës është, dhe Ministri i tij i Financave, Bruno Le Maire, del vullnetar për të bërë një foto.

“Zoti President, kemi nevojë për shpresë! Na ndihmoni! ”, e lusin dy gra venezuelane. Ai iu afrohet dhe merr duart e tyre në të tijat.

“Unë fola me presidentin Bolivian dje, dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë,” thotë ai. Ai i shikon me vëmendje. Të jep përshtypjen se po u tregon një sekret.

E megjithatë, po t’i lëmë mënjanë lëvdata, rezultatet e metodës Macron kanë qenë, në rastin më të mirë, të përziera.

Presidenti francez shkaktoi një gjullurdi këtë verë kur priti Vladimir Putin në pushimin e tij presidencial të verës në Brégançon në jug të Francës, një javë para takimit të G7-ës. Masa u pa gjerësisht si një prelud i riintegrimit të Moskës në rendin botëror perëndimor, pavarësisht rekordit të përgjakshëm të presidentit rus në Ukrainë, Siri, dhe – me përdorimin e një agjenti nervor për të vrarë një ish spiun rus që jeton në Mbretërinë e Bashkuar – në tokën e BE-së.

“Rusia është shumë thellësisht evropiane,” tha Macron në një konferencë shtypi të përbashkët me Putinin. “Rusia i përket plotësisht një Evrope vlerash.”

Macron-i është aq këmbëngulës për rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë sa që ai kërcënoi publikisht shërbimin e tij të marrëdhënieve me jashtë për këtë, duke paralajmëruar një mbledhje të mbi njëqind ambasadorëve në fjalimin e tij vjetor drejtuar trupit diplomatik për të mos minuar përpjekjet e tij.

“Ne kemi një gjendje të thellë,” tha ai në mbledhjen e gushtit. “Tendenca kolektive mund të jetë të themi, [presidenti francez tha diçka], por ne e dimë të vërtetën, ne do të vazhdojmë ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Unë do t’ju rekomandoja të mos merrni atë rrugë. ”

E megjithatë, deri më tani, Macron dhe këshilltarët e tij janë vënë para presionit për të treguar veprime konkrete – përtej një shkëmbimi të fundit të të burgosurve me Ukrainën – që Rusia ka ndërmarrë për të treguar se Putini është gati për një rregullim themelor të marrëdhënieve të vendit të tij me Evropën.

Në mënyrë të ngjashme, Macron-i është përpjekur të tërheqë vëmendjen te përpjekjet e tij për të rreformuar BE-në, një pjesë kyçe e politikës së tij të jashtme. Që nga zgjedhja e tij si president, Macron-i ka parashtruar një axhendë reforme, me fjalime dhe propozime – por përpjekjet e tij kanë hasur në ngurrimin institucional, diplomatik dhe atë gjerman, dhe dyshimin se Eurofilia e tij e pohuar nuk është asgjë më shumë se një dekorim me blu dhe ar në axhendën tradicionale franceze.

Ai doli nga zgjedhjet e Parlamentit Evropian të majit në kontroll të grupit të tretë politik më të madh të institucionit, duke thyer bllokadën e dy partive që kishin mbizotëruar në politikën evropiane për dekada të tëra. Ai gjithashtu doli duke u dukur si fituesi nga negociatat për pozicionet e larta të Evropës, me kandidaten e tij të minutës së fundit Ursula von der Leyen të nominuar për presidente të Komisionit Evropian, aleatin e tij belg Charles Michel në Këshillin Evropian dhe Christine Lagarde të Francës drejt Bankës Qendrore Evropiane.

Por mosrespektimi i tij për praktikën e vendosur politike nuk ka fërkuar brryla vetëm në korridoret e Brukselit; duket se shumë në qytet – dhe Parlament – janë kthyer kundër tij.

Ndjenja fillestare, e përforcuar nga mburrja franceze, se Macron kishte bërë një puç duke mbështetur von der Leyen është ftohur, me disa pikëpyetje nëse mbështetja e tij për një konservatore gjermane, aleate e ngushtë me kancelaren Angela Merkel, do të funksionojë në avantazhin e tij. Ai gjithashtu pësoi një nga humbjet e profilit më të lartë deri më tani, kur kandidati i tij për komisioner francez, Sylvie Goulard, u votua me shumicë kundër në seancën e saj të konfirmimit në Parlamentin Evropian javën e kaluar – jo pak si ndëshkim për kryeneçësinë e tij.

Kokë më kokë

Në Nju Jork, ka filluar Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Një orë e gjysmë para seç është planifikuar që Macron të mbajë fjalimin, dhe ai dhe këshilltarët e tij po punojnë mbi formulimin e tij, brenda të voglës “byro franceze” në selinë e OKB-së në Nju Jork, me pamje nga East River.

Çdo disa minuta, njëri nga ndihmësit e tij hap derën dhe nxiton në korridor. “Ku janë fjalimet nga viti i kaluar dhe ai një vit më parë? Ai dëshiron t’i shohë!” thotë njëri prej tyre.

“Edhe një orë ka ngelur, po del versioni tetë,” psherëtin një tjetër, duke qëndruar mbi printerin portativ që ndihmësi i presidentit e bart me vete.

Franca mund të jetë një fuqi rajonale, një fuqi kulturore, një fuqi ekonomike – një fuqi bërthamore me një vend në Këshillin e Sigurimit të Sh.B.A-së. Por nuk është një superfuqi. Macron-i mund të jetë një lojtar, por ai nuk mund të veprojë si protagonist i vetëm. Ai mund të ndërmjetësojë dhe të krijojë mundësi, por nuk është në gjendje të detyrojë për lëshime.

Kështu që, atë që Francës i mungon në ndikim të fortë, Macron-i përpiqet ta shlyejë me guximin e hapur dhe vullnetin e plotë. Një boksier amator, ai e ka shndërruar diplomacinë globale në një sport kontakti – me një gatishmëri për të flakur librin e rregullave dhe për të shkuar kokë më kokë nëse kjo është ajo që duhet për të çuar përpara axhendën e tij.

“Thirrja e Francës është të përpiqemi të peshojmë në këtë rend botëror me kartat që kemi,” tha Macron gjatë mbledhjes me ambasadorët e tij në gusht. “Është kjo strategji e guximit, e marrjes përsipër të rreziqeve, që do të thotë se gjithçka që ne po bëjmë dhe gjithçka që ne do të bëjmë ndoshta nuk do të ketë sukses … ajo që është fatale sot është të mos përpiqesh.”

Macron duket se është rezistent ndaj lodhjes. Thuhet se fle shumë pak dhe punon pa pushim. Këshilltarët e tij qëndrojnë duke iu përgjigjur mesazheve në një aplikacion të enkriptuar deri në orën 1 ose 2 të mëngjesit përditë, duke përfshirë fundjavat.

Ndihmësit e tij bëjnë shaka me njëri tjetrin për njërën prej shprehjeve të tij të preferuara. “Më e çuditshmja është kur ai vjen tek unë dhe thotë, në një mënyrë të sinqertë dhe të vërtetë: “Hej, bëni pak pushim, “- thotë njëri prej tyre, duke aluduar ironi. Ata do të donin shumë të bënin një gjë të tillë – nëse kërkesat e shefit të tyre nuk do të ishin aq konstante.

Megjithë energjinë e tij në dukje të pakufishme, ritmi i tërbuar i punës ka ndikur keq në fizikun e Macron-it. Dy vjet e gjysmë në pushtet e kanë plakur. Barsetat e tij – të cilat ai i mban të gjata, gati në stilin e viteve ’70 – janë më gri, rrathët rreth syve të tij dhe gropat në faqet e tij janë më të theksuara.

Xhonglimi i tij i vazhdueshme duket se e kanë kapur gafil, publikisht, të paktën një herë. Në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin kilian Sebastián Piñera në G7 në Gusht, Macron-i dukej i hutuar.

Ai vazhdonte të kontrollonte telefonin e tij, duke shtyrë Piñera-n ta pyeste në një moment: “A jeni dakord me atë që sapo thashë?”

Prapa kuintave, diskutimet ishin në vazhdim e sipër se çfarë do të njoftohej pas vizitës së befasishme të Ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, një prelud i përpjekjeve të tij në Nju Jork.

Prania e Zarif-it për pak më shumë se tre orë në një ndërtesë përtej rrugës nga ku drejtuesit e G7-ës, duke përfshirë edhe Trump-in, ishin duke u takuar, ishte një moment tipik i Macron.

Sikur të ishte trajtuar ndryshe, ftesa mund të kishte bërë që Trump-i të ndjehej sikur t’i ishte zënë pritë dhe të ishte lënë në hije në të njëjtën kohë. Përkundrazi, përqendroi vëmendjen e botës në një samit që shumë njerëz e kishin hedhur poshtë si një mbledhje tjetër të padobishme të liderëve, të cilët mezi mund të bien dakord mes tyre, e lëre më të punojnë në mënyrë konstruktive për problemet e botës.

Diplomaci e hapave

Asnjë marrëdhënie me një udhëheqës të huaj nuk ka marrë aq kohë nga Macron sa marrëdhëniA e tij me Trump.

Pas një miqësie fillestare të farkëtuar me shtrëngime dore prej madho-sh, Trump-i përsëriti vazhdimisht synimin ndaj presidentit francez, duke u tërhequr me paramendim nga marrëveshja e Parisit për klimën, duke bërë kërcënime të ashpra të sanksioneve ndaj një përpjekjeje franceze për të siguruar një shpëtim financiar për Iranin dhe madje duke mbajtur publikisht anën e Jelekverdhëve që protestonion kundër qeverisë së Macron-it.

Kohët e fundit, megjithatë, gjërat kanë qenë kryesisht duke shkuar mirë midis dy burrave – pasi Macron ka zhvilluar një strategji për të mbuluar presidentin e SHBA-ve me vëmendje.

“Sa i përket Presidentit Trump, unë mendoj se ajo që funksionon është marrëdhënia e drejtpërdrejtë,” u tha Macron gazetarëve në konferencën e tij përmbyllëse në G7.

Është kjo marrëdhënie që i lejon Macron-it të ekzekutojë planin që ai ka kurdisur në aeroplan, kur Trump shfaqet papritmas për një pjesë të samitit të klimës në OKB në ditën e parë të asamblesë. Duke parë mundësinë e tij, Macron hidhet në veprim, duke tërhequr Presidentin e Sh.B.A-së mënjanë ndërsa largohet nga salla.

Të nesërmen, Macron përpiqet të mbyllë marrëveshjen. Pasi Trump mban fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, Macron shfrytëzon një mundësi tjetër për ta rrëmbyer atë. Ndërsa dy burrat flasin, Mahmoud Abbas, presidenti i Autoritetit Palestinez, i cili kishte për qëllim të takohej me Macron-in, është duke pritur prej gjysmë ore në “Byronë Franceze”. Ai kishte ardhur me tre nipër të tij, me dëshirën për të bërë një fotografi të tyren me presidentin francez.

Pasi Macron merr skenën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pak më vonë atë pasdite, ai dhe Trump zhvillojnë një takim të tretë, duke u ulur me ministrat dhe këshilltarët e tyre në Hotelin Lotte New York Palace, ku Trump ishte vendosur.

Zyrtarët francezë dhe amerikanë kanë qenë në kontakt për orë të tëra, ndoshta ditë. Kështu që duhet vetëm një çerek ore që Trump-i të pajtohet me një plan me katër pika si bazë për një takim me Rouhani-n.

Nga atje, Macron dhe enturazhi i tij janë larguar për në Millenium Hilton New York One UN Plaza Hotel, ku po qëndron presidenti iranian. Kissinger mund të ketë shpikur diplomacinë e armatosur, por Macron luan diplomacinë e hapave, duke lëvizur në këmbë midis Trump-it dhe zyrtarëve iranianë në një ndërmjetësim gjithnjë e më të fortë.

Ndërsa pret të ftohet në dhomën ku Rouhani mban takimet e tij, Macron grindet me ekipin e tij në një dhomë të vogël konferencash, të fshehur pas një dere në hollin e zhurmshëm.

Së bashku me ministrin e tij të jashtëm dhe ministrin e tij të tregtisë, si dhe dy këshilltarët e tij të lartë diplomatikë, ai diskuton se si të bindet më mirë Rouhani që të nënshkruajë marrëveshjen që ai ka arritur me Trump.

“Pika e dytë do të jetë e vështirë për t’u pranuar, por unë do të përmend [programin e raketave] balistike këtu në këtë kontekst,” thotë Macron, duke iu referuar një klauzole në dokument mbi aktivitetet agresive të Iranit në botën arabe.

Trump, thotë ai, po pret telefonatën e tij kur të mbarojë takimi me Rouhani-n.

Pas grindjes, Macron dhe një pjesë e vogël e ekipit të tij janë marrë nga iranianët deri në ashensor për t’u takuar me Rouhani-n.

Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, ai kthehet poshtë – duarbosh. Rouhani kishte rënë dakord në parim për pikat e dokumentit, por ende nuk kishte autoritet të vazhdonte përpara me një takim me Trump-in. I duhej të këshillohej me Teheranin. “Ende kemi edhe ca punë për të bërë”, njofton Macron kur del nga ashensori.

Presidenti francez dhe këshilltarët e tij shkojnë përsëri në misionin Francez aty pranë. Thellë në bisedë me këshilltarin e tij të lartë diplomatik Bonne, Macron shqyrton hapat e ardhshëm.

“[Negociatori bërthamor iranian Abbas] Araghchi do të telefonojë Teheranin tani, të diskutojë detajet teknike,” thotë Bonne.

Macron sulmon “Ne nuk do të fillojmë të rinegociojmë.”

Duart e tij janë në xhepa. Ai nuk ka hequr dorë nga shpresa për të arritur një marrëveshje.

“Po pyes veten nëse do të duhet ta shtyjmë orën e fluturimit,” i thotë ai POLITICO-s. “Ne jemi duke përparuar. Ne po shohim që pozicionet po afrohen. ”

Dita mbaron në zhgënjim. Macron bën një përpjekje të fundit për të arritur një marrëveshje. Ndjenja e një takimi mund të jetë një hap shumë i madh për Iranin, Macron dhe ekipi i tij sugjerojnë një telefonatë të sigurt me Trump-in në 9 p.m. të asaj mbrëmje.

Macron shtyn largimin e tij dhe kthehet në selinë e Rouhani-t për të mundësuar telefonatën, por në fund kjo nuk ndodh. Teherani këmbëngul se Trump duhet të heqë sanksionet e tij përpara se të zhvillohet ndonjë kontakt.

Avioni u ngrit më vonë atë mbrëmje, tre orë pas nisjes së planifikuar. Macron ecën lart e poshtë korridoreve, duke kontrolluar ndihmësit e tij, duke falënderuar stafin e tij mbështetës. Nuk është fundi që ai dëshironte. Por ai tashmë po mendon për episodin tjetër.

Përgatiti në shqip për TemA; Kebriona Veliaj

5 komente në “Metoda e Macron-it: Prapaskenat e politikës së jashtme të presidentit francez”

  1. asd says:

    Artikulli i shkruar dhe perkthyer shume mire.

  2. Vesheu says:

    Ndodh ne Histiri: Gruaja 20 vjet me e madhe e beri Muhametin Themeluesin e Islamizmit; gruaja 14 vjet me e madhe e beri Makronin President dhe komanduesin e Evropes.

  3. P. Kthyesi says:

    Perkthimi i mire!

  4. rexha 10 says:

    SA HERE ZEMROHET NJE BURRE ,STRESIN ME TE MADHE E KALON GRUJA.

  5. Marku says:

    Franca qurravece historikisht ka qene dhe mbetet nje shtet qe eshte vene ne sherbim te ekspansionizmit
    gjenocidial sllav ne Europe dhe ballkan.
    Franca albanofobe se bashku me Rusine fashiste Jane krijueset dhe ideatoret e copetimit te trojeve etnike shqipetare si dhe krijimit te kepurdhave lilipute sllave
    ne tokat shqipetare. Franca e sheh serbine gjenocidiale si udheheqese te ballkanit perendimore ndersa Rusine fashiste si nje shtet “me te vertete europiane “.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje