Rrëfimi i Dermakut, nga niveli inferior në Serie A : E dija që do vinte kjo ditë, thirrja nga Panuçi ishte një nder

23 Tetor 2019, 19:14Sport TEMA

Kastriot Dermaku është cilësuar një zbulim në Kombëtaren e Shqipërisë, teksa me ardhjen në krye të trajnerit Edi Reja është kthyer në një lojtar titullar të mbrojtjes.

27-vjeçari është aktivizuar në katër ndeshje me kuqezinjtë duke realizuar edhe një gol, ndërsa fundjavën e kaluar, përjetoi edhe debutimin në Serinë A me Parmën.

I transferuar në Tardini nga ekipi i Kosencës, Dermaku realizoi ëndrrën e tij për të luajtur në elitën e futbollit italian. Së fundmi, mbrojtësi ka dhënë edhe një intervistë të gjatë më Itali, teksa ‘Kas’ ashtu si e njohin të gjithë tregon raportin e tij me familjarët e të atin, ndërsa rrëfen edhe kohën kur luante në Kategoritë inferiore.

“ Nuk kam një model në mbrojtje. Gjithnjë mundohem të shohë shumë ndeshje dhe të kuptoj si luajnë mbrojtësit në këto nivele. Deri më tani jam munduar të marr më të mirën nga personat që më rrethojnë. Kështu ka ndodhur edhe në Serinë C, te Kosenca edhe tani te Parma.

Për një futbollist është e rëndësishme të njohë liderin e dhomave të zhveshjes dhe ta ndjekë nga pas deri në vdekje. Tani te Parma është Bruno Alvesh. Flas shpesh me të dhe mundohem të rritem prej tij. Edhe në detajet jashtë fushës së lojës.

Janë gjëra të vogla që në fund bëjnë diferencën dhe të lejojnë të shkosh larg. Ashtu si i ka ndodhur edhe atij që është në moshën 37-vjeçare. Por edhe me të tjerët kam një raport të shkëlqyer.

Rrugëtimi drejt Serisë A? Është një rrugëtim që dua t’ia dedikoj mbi të gjitha vetes sime, sepse kam hasur shumë vështirësi, por nuk jam shqetësuar asnjëherë. Dhe më pas edhe familjes që më ka mbështetur gjithnjë. Kam besuar në veten time. E di që nuk kam bërë ende asgjë dhe duhet të qëndrojë i përqendruar, sepse të konfirmohesh në futboll është e vështirë. Falenderoj trajnerin e Parmës për besimin që ka treguar prej ditës së parë të grumbullimit.

Raporti me babain? Ka ardhur në Itali nga Kosova në vitin 1987 dhe ka nisur të luajë. Ekipi i tij i parë ka qenë Sant’Arkanxhelo. Ishte një sulmues i dytë, mjaft i fortë. Por për arsye burokratike mbeti gjithnjë në kategoritë diletante. Kemi një raport të fortë. Ka qenë trajneri im i parë në fillimet e mija, dhe më ka ndjekur kudo. Ndjek stërvitjet e mia dhe është i pari që më thotë kur diçka nuk shkon mirë. E dinte që herët ose vonë do të mbërrija në Serinë A.

Mendoj se është krenar për mua, ashtu si mamaja dhe vëllai, që së bashku me të dashurën time më kanë ndjekur gjithnjë. Nuk kanë humbur asnjëherë një ndeshje. E gjitha kjo më jep një forcë të madhe për të ecur para në momentet e vështira.

Panuçi dhe thirrja te Shqipëria?  Më grumbulloi kur luaja në Serinë B. Një trajneri italian, një mbrojtës i fortë. E mora telefonatën e tij si një nder. Më jka futur në një botë të bukur si ajo e Kombëtares. Po krijohet një grup i jashtëzakonshëm dhe shpresojmë të arrijmë objektiva të tjerë në të ardhmen, ashtu siç u bë në vitin 2016. Tani është Reja me stafin e tij, janë shumë të përgatitur dhe po na japin një dorë të madhe. Jam i sigurt se mund të marrim kënaqësi të mëdha”, përfundoi Dermaku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje