Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, në një prononcim fill pas shkarkimit nga detyra të Besnik Muçit dhe deklaratës së tij se vendimi nuk prek detyrën si anëtar i Kushtetueses, tha se askush nuk mund të futet në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk e kalon vettingun.
Balla tha se duhet të prevalojë respektimi i Kushtetutës:
“Ne si Kuvend në ditët në vijim duhet të marrim hapat për shtimin e mekanizmave zhbllokues saherë që një individ apo institucion ndërmerr hapa për të penguar reformën në drejtësi”
I pyetur nëse shkarkimi i Muçit e fut në një tjetër ngërç krijimin e Gjykatës Kushtetuese ai tha se:
“Ajo që kemi thënë është që institucionet e reja të drejtësisë, Kushtetuesja apo e Larta, duhet të kenë në përbërje personalitete të drejtësisë, që nuk kanë asnjë mangësi në pastërtinë e figurës dhe aftësinë profesionale.
Më mirë një Gjykatë Kushtetuese me katër anëtarë, sesa me shejtanin brenda”
Balla paralajmëroi se mazhoranca do ti drejtohet Komisionit të Venecias për Kushtetuesen.