BE me mbështetje shtesë për emergjencën e krijuar pas tërmeteve vdekjeprurëse

29 Nëntor 2019, 17:39Sociale TEMA

Pas tërmetit me fuqi 6.3 ballë dhe pas-goditjeve të shumta që tronditën Shqipërinë, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian (BE) është aktivizuar me kërkesë të autoriteteve shqiptare. BE ndihmoi në mobilizimin e tre ekipeve nga Greqia, Italia dhe Rumania për të ndihmuar operacionet e kërkim-shpëtimit.

Nëpërmjet një komunikimi në faqen zyrtare, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së shton se 3 ekipe me përbërje nga pjesëtarë rumunë, grekë dhe italianë do t’u bashkohët homologëve shqiptaeë dhe të huaj për të vazhduar proçesin e spastrimit total të zonave që kanë pësuar dëmet më të konsiderueshme materiale si dhe për vlerësimin e tyre.

Përveç kësaj, Ekipi i Mekanizmit për Mbrojtjen Civile të BE-së po punon ngushtësisht me autoritetet vendore dhe donatorët për një vlerësim të konsoliduar të nevojave, me përparësi dhënien e ndihmës në materiale.

Delegacioni i BE-së kryesoi një takim me shtetet anëtare të BE-së, vendet jo anëtarë të BE që marrin pjesë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, si dhe partnerët e organizatat ndërkombëtare (agjencitë e OKB, USAID etj.), mbi reagimin ndaj emergjencës.

“Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë Shqipërinë në këtë kohë të vështira. Ne do të ofrojmë ndihmë në këtë emergjencë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ekipet e kërkim-shpëtimit, të mobilizuara përmes Mekanizmit Europian për Mbrojtjen Civile, janë në terren. Do të doja të falënderoja Italinë dhe Greqinë që tashmë ofruan mbështetje shtesë përmes Mekanizmit”,  tha Komisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave Christos Stylianides.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca deklaroi sot se “Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare të tij janë duke qëndruar përkrah Shqipërisë dhe po punojnë pa ndalim për të ofruar ndihmë në këtë moment shumë të vështirë. Ekspertët e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE dhe dhjetë Shteteve Anëtare të BE, janë aktualisht në terren për të ndihmuar autoritetet qendrore dhe vendore. Është një javë pikëllimi të thellë dhe tragjik për Shqipërinë. Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë edhe një herë për popullin shqiptar dhe veçanërisht për familjet, miqtë dhe komunitetet e atyre që kanë humbur jetën.”

Qendra e Koordinimit për Reagimin në Emergjenca të Bashkimit Evropian me regjim 24/7, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe vazhdon të monitorojë situatën. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje