INTERVISTA: “Në Shqipëri është ndërtuar jo keq, por shumë keq”

30 Nëntor 2019, 17:52Sociale TEMA

Nga Entela Resuli

Blerta Lipo është inxhiniere ndërtimi. Ajo jeton dhe punon në Itali, ku merret me inspektimin e urave hekurudhore dhe  është e specializuar në projektim në zonë sizmike.

Në vitin 2006 Blerta ka shkuar në Romë për të ndjekur studimet në inxhinieri ndërtimi në Universitetin La Sapienza. Më pas ka bërë doktoraturën (në Romë dhe një periudhë të shkurtër në Cambridge) ku është specializuar në studimin e sjelljes së ndërtesave në muraturë në zonat sizmike. Ka punuar më pas në Paris dhe prej pothuajse 3 vitesh punon në Firenze, për hekurudhat italiane, ku merret me inspektimin e urave hekurudhore.

Lipo ka ndjekur me vëmendje gjithë këto ditë situatën e tërmetit në vendin tonë, ku është përfshirë me shqetësimin si gjithë bashkatdhetarët tanë.

Ajo ka biseduar me ne duke ndarë disa mendime si specialiste në lidhje me mënyrën se si është ndërtuar në vendin tonë dhe masat që duhen marr pas tërmetit. Blerta këmbëngul që është e rëndësishme të ketë një inspektim të ndërtesave që ndodhen në zonat e prekura nga eventi sizmik dhe pasgoditjet.

Më poshtë intervista në Dita më inxhinieren, Blerta Lipo.

-Si e konsideroni gjendjen e krijuar nga rënia e tërmetit në Shqipëri?

Lajmi i tërmetit më ka tronditur shumë, si gjithë shqiptarët besoj, duke patur parasysh edhe faktin që familja dhe të dashurit e mi jetojnë akoma në Shqipëri. Informohem vazhdimisht nëpërmjet gazetave të ndryshme por nuk kam pasur akoma mundësinë të vizitoj personalisht gjendjen.

-Blerta, ju jeni inxhiniere ndërtimi,  çfarë mendoni se e ka shkaktuar rrëzimin e disa ndërtimeve në zonën e Durrësit, ndërkohë shumë pranë tyre, ndërtime të tjera janë në këmbë?

Me sa kam parë dhe lexuar, ndërtesat që janë rrëzuar mund të klasifikohen në dy grupe: ndërtesa para ‘90, të ndërtuara me punë vullnetare dhe ndërtesa pas ‘90, në beton arme. Për të dyja grupet, rrëzimi është shkaktuar nga mos zbatimi i detajeve konstruktive, të domosdoshme për të garantuar jetëgjatësinë në zona sizmike.

-Çfarë duhet të kemi parasysh kur ndërtojmë?

Për sa i përket anës strukturore, metodat e tanishme të projektimit në zona sizmike bazohen në metodën e capacity design, ose hierarkia e rezistencave: kjo metodë përcakton, në bazë të llojit të strukturës, se cili është elementi që do “sakrifikohet”  në momentin e eventit. Është e qartë që në një ndërtesë në beton arme, nuk mund të sakrifikohen kolonat sepse pasojat do ishin katastrofike. Pra projektimi duhet të jetë i tillë që në rastin më të keq, të kem deformimin e trarëve dhe jo rrëzimin e kolonave. Nga ana tjetër pastaj duhet pasur parasysh terreni ku do vendosen themelet e ndërtesës.

-Zona ku ka patur dëmtime në banesa, por edhe shembje, shumë vite më parë ka qenë kënetë, a duhet ndërtuar aty?

Terreni ku vendoset ndërtesa është aspekti i dytë kryesor për shëndetin dhe jetëgjatësinë e saj. Çdo projekt duhet të bazohet në studimin e terrenit për të zgjedhur tipin më të përshtatshëm të themeleve dhe thellësinë e tyre. Terrenet me karakteristika të dobëta, në raste ekstreme kënetat, janë në gjendje të amplifikojnë në mënyrë serioze akselerimin e valës sizmike.

-Ndërkohë një zonë më shumë ndërtesa të dëmtuara është edhe Golemi, ku shumë ndërtime janë afër e afër dhe për më tepër, me shtesa në kate…

Në kushtet e projektimit në zone sizmike janë të përcaktuar edhe distancat minimale midis ndërtesave në mënyrë që gjatë vibrimit mos ketë përplasje midis kateve të sipërm. Normalisht këto rregulla nuk janë zbatuar. Për sa i përket kateve të shtuara në mënyrë abuzive, të gjithë jemi në gjendje të themi që është një veprim i gabuar.

-Ndërkohë goditjet po vazhdojnë, sa i dëmtohen ndërtesat që janë në këmbë nga këto pas goditje?

Ky është aspekti me delikat i këtij eventi. Pa dyshim që efekti i pas-goditjeve te ndërtesat ekzistuese duhet matur me kujdes, sidomos kur këto pas-goditje kane magnituda të rëndësishme, siç është rasti i këtij tërmeti.

-Si mund ta dallojmë nëse ndërtesa paraqet rrezikshmëri për banimi apo jo?

Orët pas tërmetit janë thelbësore për të përcaktuar në mënyrë të shpejtë, por edhe të saktë, nqs një ndërtesë vazhdon të jetë e banueshme apo jo. Banueshmëria përcakton kufirin midis qetësisë së kthimit në shtëpi apo fjetjes në makinë; midis qëndrueshmërisë së funksioneve të administratës dhe gjithë shërbimeve dhe ngadalësimit të veprimtarive të një konteksti shoqëror të tërë dhe kompleks. Unë kam patur mundësinë të marr pjesë në përcaktimin e banueshmërisë së ndërtesave pas tërmetit të Amatrice-s (Lazio, Itali). Në Itali, duke pasur parasysh edhe eventet sizmike të viteve të fundit, departamenti i mbrojtjes civile ka përpiluar disa skeda, në ndihmë të profesionisteve të fushës, që shërbejnë për konstatimin e dëmit, ndërhyrjen e shpejtë dhe përcaktimin e banueshmërisë pas eventit sizmik.

-Cilat janë masat që duhen marrë tashmë dhe si duhet të menaxhohet situata me pallatet që janë të dëmtuara?

Fatkeqësisht, historia jonë deri me sot vë në dukje mungesën totale të interesit ndaj mirëmbajtjes dhe lulëzimin e ndërtimeve pa kritere, qoftë nga ana urbanistike, territoriale por fatkeqësisht edhe ajo strukturore. Ka ardhur momenti t’i drejtojmë vëmendjen teknikave moderne të mirëmbajtjes (retrofitting) ose, në rastet më të pashpresë, rindërtimit. Duhet organizuar një fushatë inspektimesh ku grupe profesionistësh duhet të përcaktojnë, për të gjitha zonat e prekura nga tërmeti, dëmet që kanë pësuar strukturat dhe a janë ato të rikuperueshme.

-Si mund të klasifikohen këto dëme dhe si duhet të veprohet për secilin rast?

Për sa i përket metodës së shpejtë që përdoret nga departamenti i mbrojtjes civile në Itali, dëmet ndahen në 6 nivele: nga 0 në 5, ku ne nivelin 0 struktura nuk ka pësuar asnjë dëmtim ndërsa në nivel 5 struktura është rrezuar plotësisht ose pjesërisht. Për sa i përket strukturave në muraturë, niveli 0 është baraz me krisje vetëm sipërfaqësore (psh në suva), në nivel 1 krisjet kanë hapje maksimale 1 mm dhe mund të shfaqen për shembull në fashot murare (pjesa mbi/nën dyer/dritare) dhe përgjithësisht nuk sjellin pasoja, njëherë që ka pushuar eventi sizmik. Kur hapja e këtyre krisjeve arrin 1-1.5 cm dhe intereson një pjesë më të gjerë të ndërtesës, jemi në nivelin e dëmtimit mesatar (2-3). Në këtë rast, përcaktimi i riskut të strukturës në eventin e ardhshëm sizmik varet nga kuadri i përgjithshëm fesurativ. Në rast se çarjet janë më të mëdha se ato të sipërpërmendura, jemi në nivelet e dëmit të madh (4-5) dhe struktura ka rrezik të ketë një kolaps parcial ose total edhe nga një lëkundje fare e vogël.

-Një nga urat në Durrës, Ura e Shkozetit e ndërtuar vitet e fundit, ka patur dëmtime në trarët mbajtës dhe për pasoj është ndaluar kalimi në të. Pse mendoni që ky tërmet ka shkaktuar edhe dëmtimin e urë dhe çfarë duhet bërë me të?

Për sa i përket mbikalimit të Shkozetit, është e vështirë të flitet pa patur një imazh të qartë të kuadrit fesurativ në kompleks. Me çfarë kam parë në internet, ka dëmtime të seismic restraints (ritegni sismici) të kolonave. Këto janë pjesë “të sakrifikueshme” përballë një eventi sizmik sepse e kanë kryer detyrën e tyre për të mbajtur në bosht impalkatin e urës. Normalisht këto pjesë  duhen rikonstruktuar, por reagimi që ato kanë pasur është sinjal i faktit që janë nën-dimensionuar në fazë projektimi, dmth nuk janë projektuar për një tërmet të kësaj magnitude.

-Blerta, sipas vëzhgimit tuaj, a është ndërtuar keq në Shqipëri, sidomos në këto zona, Tiranë, Durrës…?

Nga ana urbanistike çdo njeri është në gjendje të thotë që në Shqipëri është ndërtuar jo keq, por shumë keq. Fatkeqësisht, zbuluam në lëkurën tonë, që, në disa raste, qenka ndërtuar keq edhe nga ana strukturore. Ajo që unë mund të them është që Shqipëria ka nevojë për redaktimin dhe zbatimin në mënyrë rigoroze të një kodi kombëtar të projektimit. Ky kod duhet të përcaktojë detajet kostruktive që strukturat duhet të kenë dhe të bazohet në një mikrozonim sizmik të përditësuar për përcaktimin e spektrave elastike. Tërmetet nuk duhet të shihen më si mallkime qiellore nga të cilët s’mund të shpëtohet por si fenomene natyrore në territorin e Shqipërisë prej të cilave duhet të mbrohemi nëpërmjet parandalimit dhe mirëmbajtjes.

10 komente në “INTERVISTA: “Në Shqipëri është ndërtuar jo keq, por shumë keq””

  1. $$$ says:

    Qe eshte ndertuare keq ne Shqiperi ,sidomos pas viteve 1990,dihet .Ajo qe nuk dihet eshte se kush do te jape llogari per pasojat e ketyre ndertimeve.Ne qofte se objektet ndertimore qe Jane demtuare nga termeti do te prishen pa bere ekspertize ,kuptohet se kush eshte pergjegjes per cfar ka ndodhur dhe cfar mund te ndodhe edhe ne te ardhmen.Ne qofte se ka ne Shqiperi ka forca per te ndaluare prishen e ketyre objekteve,duhet ta ndaljne kete veprim ,I cili kerkon te varrose shkaqet e shembjes se tyre.

    1. Asd says:

      Ne Shqiperi vetem 20 perqind eshte ndertuar keq, nderkohe 95 perqind eshte ndertuar shemtuar.

    2. Mobilizoni mendjet shqiptare kudo ne bote! Me shume te dish se te kesh! says:

      z. Rama nese kerkon te besh shtet duhen marre prasysh edhe keto keshilla te kesaj inxhiniereje te talentuar dhe te suksesshme si edhe shume ekspertesh te tjere ne te gjitha fushat qe jetojne jashte vendit. Ju paguani qimet e kokes per eksperte te huaj por harroni qe ka edhe shume ekperte shqiptar te pergatitur ne universitetet me te mira ne bote. Per fat te keq kam mesazhuar ministri perkatese per tju ofruar ndihme, por duket qe qeveria e Shqiperise kerkon vetem ndihme financiare duke harruar ndihmen intelektuale. Keto keshilla te kesaj inxhiniereje jane shume te vlefshme. Madje do te ishte mire qe qeveria te krijonte nje Qender Sizmike ne Shqiperi me specialiste vendas dhe te ftuar per te kontribuar ne krijimin e kodeve per ndertimet dhe shume te tjera. Kjo nuk eshte kritike per qeverine por sugjerim. Ka shume shqiptare qe mund te ndihmojne sepse punojne ne institucione dhe universitete prestigjioze kudo ne bote. Mos i nenvleftesoni. E di qe ne keto momente keni shume gjera ne koke dhe jeni ne konfuzion. Por sapo te qetesoheni mendoni per zgjidhje afat-gjata. Kemi besim qe do tja arrini. Bashkimi ben fuqine! Zoti qofte me ju!

  2. Baton DR says:

    Gjëja më profesionale që kam lexuar deri tani… goca si kjo na duhen si ajri në këtë moment

    1. Feniks says:

      Nuk i do Rama njerez kaq te mencur qe t’i japin atij mend se ai mbi veten dhe brekushet nuk ve njeri!
      E mbani mend nje zonje te nderuar qe erdhi nga SHBA per te dhene kontributin e vet intelektual per Shqiperine,qe quhet Rudina Seseri?
      Ajo u be edhe deputete e PS ,por ndeshi me arrogancen otomane te satrapit Rama dhe i hodhi mandatin e deputetit ne tavoline dhe u kthye ne SHBA!
      Sot ajo radhitet nje nder 100 femrat me te suksesheshme ne….BOTE!
      Rama do femra si Spiropali qe dhunti kane servilizmin ndaj Rames!

  3. Demi says:

    Vazhdoni me kët histori që të huajt janë më të aftë se ne në c’do gjë e për c’do gjë. Ngreni kryt shqipe mos zhvlerësoni veten kaq shumë, nëse bëni një kërkim në internet do të shikoni që tërmete të përmasave të tilla kanë bërë fatkeqsisht dyfish viktima.Nëse ne nuk do të nxjerrim mësim nga kjo ngjarje dhe të punojmë në mënyre të tillë që ndërtimet të jenë më të sigurta sic janë sot atëherë ne jemi më të pa’aftë se të huajt.U prehshin në paqe ata që humbën jetën në këtë fatkeqësi..Ne mund të gjejmë 1000 shkaqe por heshtja para dhimbjes do japi forcën të gjithëve ne për të kapërcyer këtë dhimbje..

  4. Tironsi says:

    Tirana duhet te shembet totalisht gjithashtu dhe Durresi dhe te rinndertohet nga e para me inxhinjere dhe arqitekte te zote Mundesisht te mos i kaloje permasat e kateve dhe te jene te gjitha nje uniforme Sbpresoj qe kjo tragjedi te jete e fundit dhe fjala ime ne vesh te zotit

  5. Alban Dega says:

    NJE ANALIZE REALISTE QE PERKON PLOTESISHT ME KONKLUZIONET SHKENCORE SHQIPTARE DHE NDERKOMBETARE !

    Termetet nuk parashikohen!
    Termetet nuk parandalohen !
    Por pasojat katastrofike te tyre parandalohen dhe minimizohen duke ndjekur shembullin e Japonise, Kalifornise, Kines dhe Turqise !
    Qe ne studimin e terrenit, projektimin, zbatimin perzgjedhjen e materialeve te ndertimit dhe jetesimin e standarteve bashkekohore boterore ne cdo ndertim te cfaredo lloji qofte.
    Eshte me mire e me lire te parandalosh semundjen, rrezikut, te keqen, fatkeqesine se sa te detyrohesh te perdorish ilace…
    Ilacet kushtojne dhe kane efekte anesore!
    Cfare mund te benin ato per 51 viktimat e termetit te fundit!?
    Asgje…

  6. Gim says:

    Njeri nga pallatet ne durres u rrezua pasi ishte nderhyre ne katin e pare. E gjithe tirana e re, myslym shyri dhe me gjera jane bere ndryshime ne katet e para. Jane bere dyqane dhe lokale, pa inxhinier por me inisiative personale. Kryesisjt kto pallate jane me mure mbajtes te cilet jane hequr ose vandalizuar. Nese yermeti sdo binte afer durrsit por afer tiranes, kto pallate besoj do binin te gjithe. Cfare behet ne kto raste? Ti hedhim vete? Apo te riparohet demi i shkaktuar?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje