Maks Velo: Si e ndërtuam Kombinatin dhe e kthyem në lagje të Tiranës, nga një fshati i vogël që ishte

3 Dhjetor 2019, 18:55Sociale TEMA

Nga Alma Mile

Lagjja e Kombinatit, ku u shënua edhe viktima e vetme në Tiranë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, ka rezultuar si zona më e dëmtuar në kryeqytet.

Në këtë zonë, me një numër të madh popullsie, specialistët kanë shpallur të pabanueshme disa pallate.

Arkitekti Maks Velo na tregon se si është ndërtuar kjo lagje me karakter industrial në Tiranë, përgjatë tri fazave. Si u kthye një fshat i vogël me pak shtëpi, në një qytezë punëtorësh. Nga ndërtimet e para, të projektuara nga sovjetikët, që pasuan ngritjen e Kombinatit të Tekstileve në vitet ’48-’49, te nevoja për objekte banimi për punëtoret; ngritja e Fabrikës së Qelqit, Kombinatit të Ndërtimit “Josif Pashko”, TEC-it etj.

Pavarësisht se Kombinati ngrihet në një terren moçalor, arkitekti shprehet se nuk është as faji i tokës, as i natyrës, por i pangopësisë së shqiptarëve, që nuk respektojnë normat e ndërtimit, projektet e miratuara, ulin cilësinë e materialeve ndërtimore dhe ngrenë kate shtesë. “Industria e ndërtimit mundëson veshjen më të thjeshtë”, thotë Maks Velo, një nga arkitektët e shumë ndërtesave në gjithë Shqipërinë, që nga objektet e banimit, te kinematë, fabrikat etj.

Si dhe kur ka filluar të ndërtohet Lagjja e Kombinatit?

Lagjja e Kombinatit ka njohur disa faza ndërtimi. “Kombinati” ka qenë një fshat i vogël me shumë pak shtëpi. Faza e parë e ndërtimit përkon me vitet 1948-1949, kur filloi ndërtimi i Kombinatit të Tekstileve. Ishin ndërtesa 2-katëshe me tulla. Pasi u ndërtua Kombinati në vitet ’52-’53, rreth viteve ’55 lindi nevoja për forca punëtore dhe detyrimisht edhe për banesa dhe kështu nisën të ndërtohen pallate. Kjo përbën edhe fazën e dytë, ndërsa e treta shënohet mes viteve ’60-’65. Krahas Kombinatit u ngritën edhe fabrika të tjera më të vogla, si Fabrika e Qelqit dhe nevoja për banim, shtoi edhe numrin e pallateve. E gjithë ajo zonë u kthye në një qytet të vogël, të përshtatshëm për ndërtim. U ndërtua Kombinati “Josif Pashko”, TEC-i etj. Ndërtime janë bërë herë pas here, por përpara ’90-ës, këto përbëjnë fazat kryesore. Pastaj, nisi era e ndërtimeve të panumërta, pa asnjë kriter.

Cilët ishin projektuesit e këtyre ndërtesave?

Fillimisht objektet janë projektuar nga arkitektë rusë, por u zbatuan nga ndërmarrjet shqiptare të ndërtimit. Kombinati i Tekstileve, Qyteti i Punëtorëve, ishin projekte të gatshme të sjella nga rusët dhe që u zbatuan edhe këtu. Ndërtimet vijuan edhe pas largimit të rusëve. U ngritën shkolla dhe objekte të tjera, që nxitën popullimin e zonës.

U ndërtuan nga ndërmarrje ndërtimi apo me “forca vullnetare”?

Jo, nuk kanë qenë ndërtime vullnetare. Kjo mënyrë ndërtimi filloi pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, pas viteve ’85, kur gjendja ekonomike ishte rënduar. E njëjta ndërmarrje ndërtimi që ka ngritur Tiranën, ka ndërtuar edhe në Kombinat. Nuk mund të themi se atje ka punuar një ndërmarrje e “dorës së dytë” apo që ka qenë i “persekutuar”. Gjithçka është ndërtuar mbi bazën e projekteve dhe kushteve të kohës.

Mbi ç’terren është ngritur Kombinati, është i përshtatshëm për ndërtim?

Zona e Kombinatit është ngritur mbi terren moçalor dhe vazhdon të jetë e tillë. Por nuk besoj se ka qenë faji i terrenit. E kam thënë edhe më herët: Nuk është faji i tokës, por i kokës. Industria e ndërtimit është mënyra më e thjeshtë për të vjedhur, pasi është e fshehur. Ndërtuesit ulin markën e betonit, nuk respektojnë projektet, shtojnë kate… bëjnë marrëzira. Sapo ra tërmeti, pashë katër godinat e larta në Tiranë: “Hotel Tiranën” e ndërtuar në kohën e Partisë, “Plazza”-n, Stadiumin dhe pallatin prej betoni te Kisha Ortodokse. Kur i pashë ato që ishin në këmbë, thashë: Tirana është e sigurt! E vërteta është që në këto pallate janë respektuar normat e ndërtimit, ndërsa te të tjerat është abuzuar, me çimenton, me trarët dhe rasti i Durrësit na e tregoi fare mirë këtë. Nuk na e ka fajin natyra, por jemi të pangopur. Me këtë që ndodhi në Durrës, do të duhej të arrestoheshin të paktën 20 vetë, por askush nuk ka për t’u dënuar.

Por një nga pallatet që është dëmtuar më shumë dhe është shpallur si i pabanueshëm është ndërtuar para ’90-ës, vështirë se abuzohej në këtë mënyrë atëherë…

Me siguri ka ndikuar edhe terreni, por më së shumti mund të ketë pasur probleme që në ndërtim, në kolona, soleta etj. Fillimisht ne kemi prodhuar vetëm tullën e kuqe, ndërsa pallatet me tulla silikate, si ai i ndërtesës në fjalë, nisën të ngriheshin rreth viteve ’70- ’75, kur u ngrit Fabrika e silikateve me makineri të ardhura nga Kina. Por nuk është problemi i silikateve. Problemi është më së shumti i ndërtimit.

Pas tërmetit me pasoja tragjike të 26 nëntorit, jemi përballë nevojës emergjente për rindërtimin e zonave të shkatërruara, por a mund të rindërtohet sërish në të njëjtat hapësira në Durrës apo Thumanë?

Sigurisht që mund të rindërtohen aty, sepse sot ka teknika kompjuterike që të tregojnë se si të shmanget çdo lloj rreziku, në terrene të tilla, por kostoja e ndërtimit rritet, pasi duhen ndërtuar themele pllakë, mure me kolona afër etj. Imagjinoni, Dubai është i ngritur i gjithi në rërë. Por shqetësimi i shqiptarëve është vjedhja. U shkatërruan të gjitha Institutet Shkencore dhe u bënë përpjekje për të shkrirë edhe Akademinë e Shkencave, në një kohë që ne duhet të kemi një Ministri të Shkencës dhe Kërkimit shkencor, pasi e ardhmja do të jetë infrastruktura dhe kërkimi shkencor.(Panorama)

7 komente në “Maks Velo: Si e ndërtuam Kombinatin dhe e kthyem në lagje të Tiranës, nga një fshati i vogël që ishte”

  1. Goni says:

    I ke rene ne koke; qe jemi popull hajdut, dhe rolin e qendrave shkencore . Bota sot nuk bene asgje pa dtudim. Ne ndertojme pallate me inxhinera me diploma te blera dhe investore hajdut e trafikant.

  2. Atdheu Grida Sumës says:

    Fjale me mend nga ne Qytetar ajke e kombit.
    Por ngjajne si trendafila plot ere ne shkretetiren e zgjebosur te Saleh Shpellarit, Bab Like Floririt dhe Mona Bundrres ku mban ere vecmas pordha e Baba Mondit.

  3. Samiu says:

    Rrespekte MAKS VELO , jeni shum rrealist ne gjerat qe thoni , jeni specialist i mirnjohur por edhe njeri i ndershem , per kte te rrespektoj , te uroj suksese ne jet , inxhinjeri me i zoti qe zbatoi planin e uzines se bakrit ne rubik ishte i denuar politik 25 vjet , ja besoi shteti ne at koh planin se ishte i zoti dhe ndertimet do beheshin dhe me ndimen e te burgodurve , ai e zbatoi pik per pik ne menyren me te shkelqyer projektin , e therriti MEMET SHEU ja çuan ne zyr pasi mbaroi projektin , MEHMETI ju drejtua i dha doren e ftoi te ulej dhe i tha : ti kishe ne dor projektin me me renderi te industris se vendit , pse nuk e sabotove i tha ai , tek e fundit je i denuar 25 vjet nuk kishe çte humbisje , inxhinjeri i tha ; shoku kryeminister un jam kundershtari ideve tuaja por jo armik i vendit dhe i popullit tim , çfar esht per te miren e vendit dhe te popullit e bej me pasion e deshir , MEMETI i shtrengoi doren , therriti sekretarin dhe i tha bej kerkes ky person duke filluar nga sot do jet njeri i lir , te lirohet me urdhrin tim , kta jan burrat e ndershem te kombit dhe MAKS VELO esht njeti nga kta , rrespekte.

  4. Samiu says:

    Rrespekte MAKS VELO , jeni shum rrealist ne gjerat qe thoni , jeni specialist i mirnjohur por edhe njeri i ndershem , per kte te rrespektoj , te uroj suksese ne jet , ne kohen e PPSHs inxhinjeri qe zbatoi planin e uzines se bakrit ne rubik ishte i denuar politik 25 vjet , ja besoi shteti ne at koh planin se ishte i zoti dhe ndertimet do beheshin dhe me ndimen e te burgosurve , ai e zbatoi pik per pik ne menyren me te shkelqyer projektin , e therriti MEMET SHEU ja çuan ne zyr pasi mbaroi projektin , MEHMETI ju drejtua i dha doren e ftoi te ulej dhe i tha : ti kishe ne dor projektin me me renderi te industris se vendit , pse nuk e sabotove i tha ai , tek e fundit je i denuar 25 vjet nuk kishe çte humbisje , inxhinjeri i tha ; shoku kryeminister un jam kundershtari ideve tuaja por jo armik i vendit dhe i popullit tim , çfar esht per te miren e vendit dhe te popullit e bej me pasion e deshir , MEMETI i shtrengoi doren , therriti sekretarin dhe i tha bej kerkes ky person duke filluar nga sot do jet njeri i lir , te lirohet me urdhrin tim , kta jan burrat e ndershem te kombit dhe MAKS VELO esht njeti nga kta , rrespekte.

  5. Arben says:

    Do ta thote dhe Maks Velo dicka se ekspert na doli per Katedralen e Parisit, per Kadarene, per politiken tani do futet edhe pak te termeti se nuk i rrihet.

  6. blerta says:

    Nje nga shkaqet e renimit te pallateve eshte edhembushja e taracave me fucite per uje qe nuk po meren masa per ti hequr.

  7. demo says:

    Max Velo eshte arkitekt.Kush duhet te flase per termetin hoxhe mufti elvisi me marinin?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje