Transparencë edhe në gazetari, miratohen për herë të parë gjyqtarët për mediat: Ja emrat

10 Dhjetor 2019, 13:06Kronika TEMA

Për herë të parë shfaqen gjyqtarët e mediave të cilët janë miratuar ditën e sotme, duke përbërë në këtë mënyrë një nga risitë më të mëdha të Reformës në Drejtësi.

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit zhvilloi ditën e stome mbledhjen “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ku vendosi caktimin në pozicionin e Gjyqtarit për Mediat të tetë gjyqtarëve të shkallëve të ndryshme. Ata janë:

Vojsava Osmanaj – juridiksioni i Apelit Shkodër

Edlira Petri – juridiksioni i Apelit Tiranë

Desart Avdulaj – juridiksioni i Apelit Durrës

Klodiana Gjyzari – juridiksioni i Apelit Vlorë

Etleva Temo – juridiksioni i Apelit Korçë

Enton Dhimitri – juridiksioni i Apelit Gjirokastër

Lindita Sinanaj – juridiksioni i Apelit Administrativ

Saida Dollani – juridiksioni i Apelit për Krime të Rënda / për gjykimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton se gjyqtarët për Mediat do të ushtrojnë detyrat në funksion të rritjes së transparencës në veprimtarinë gjyqësore, si një element i rëndësishëm për shtetin e së drejtës dhe një garanci më tepër për një gjykim të drejtë.

Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por edhe të shihet që bëhet, e për këtë, transparenca, në mënyrë të veçantë karshi medias, është thelbësore”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e KLGJ.

Nëpërmjet transparencës dhe informimit të publikut, gjyqësori do të mund të evidentojë vlerat e gjyqtarëve, të lehtësojë ndërveprimin me publikun e të forcojë besimin e publikut në të, si mbrojtës i interesit publik dhe i të drejtave e lirive themelore të individit.

Vendimi i sotëm konfirmon angazhimin e Këshillit për vendosjen e marrëdhënieve të mira me mediat, duke marrë masat për të lehtësuar realizimin e misionit të tyre sa më mirë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mban në konsideratë se komunikimi me mediat si një institucion social, për të qenë efektiv e në shërbim të drejtësisë, si komponent thelbësor për një shoqëri të lirë dhe demokratike, duhet të jetë sa më i përgjegjshëm dhe profesional.

Këshilli njeh dhe kontribuon në lirinë e dhënies së informacionit të hapur dhe transparent për publikun, të shprehjes së lirë të mendimit dhe opinioneve, si themeli esencial i një shoqërie të hapur dhe demokratike, duke inkurajuar edhe formimin dhe shprehjen e mendimit të lirë kritik për vetë funksionimin e Këshillit dhe të sistemit gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në veçanti anëtari i caktuar për kryerjen e detyrave në lidhje me marrëdhëniet me publikun, do të bashkëpunojë ngushtësisht me Gjyqtarët e Medias për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun dhe mediat, me synim rritjen e transparencës dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje