FOTOT e panjohura të të burgosurve politik, të dënuar me vdekje nga “satrapi” Zog

14 Dhjetor 2019, 09:29Dossier TEMA
FOTOT e panjohura të të burgosurve politik, të dënuar me

Memorie.al publikon disa foto të rrallë dhe unike që nuk janë bërë publike, të cilat i përkasin vitit 1935 në periudhën e Monarkisë së Zogut, foto që na parqesin disa imazhe të rralla të disa prej të burgosurve politik që ishin arrestuar si organizatorë dhe pjesmarrës të Kryengritjes së Fierit të gushit të vitit 1935 dhe mbaheshin të izoluar në burgun e atij qyteti, si: Ramiz Dibra, Ali Shefqet Shkupi, Ramiz Omari, Jashar Cakrani, Beqir Sulo Agalliu, Zenel Hekali, Mustafa Kaçaçi, Dervish Hekali, etj., të cilët ishin dënuar me vdekje nga Gjykata e Lartë Ushtarak e kryesuar nga major Ali Riza Topalli. Ish-funksionarë të lartë dhe ushtarakë madhorë që nga qeveria e Ismail Qemalit e më pas me Fan Nolin, të shëndetshëm e të qeshur dhe me veshje të shtrenjta si aristokrat europian, të ulur në shezlongë apo ndejse komode në tavolina duke luajtur tavëll, janë pamjet e të burgosurve politik në regjimin e “satrapit” Zog…

Nga Dashnor Kaloçi

Më 14 gusht të vitit 1935 në qytetin e Fierit dhe në disa lokalitete e fshatra përreth të Myzeqesë të cilat ishin nën juridiksionin e prefekturës së Beratit, si rezultat i disa paknaqësive të akumuluara prej kohësh, shpërtheu një kryengritje kundër qeverisë së Mbretit Zog, ku në krye dhe si organizatorë të saj ishin disa emra të njohur, ish-funksionarë të lartë dhe ushtarakë madhorë që nga qeveria e Ismail Qemalit në 1912-ën dhe më pas me Fan Nolin në ’24-ën, si: Ali Shefqet Shkupi, Ramiz Dibra, Kostë Çekrezi, Musa Kranja, Ramiz Omari, Beqir Sulo Agalliu, Zenel Hekali, Dervish Hekali, Riza Cerova, Bektash, Jashar dhe Namik Cakrani, etj., etj.

Kryengritja antiqeveritare filloi në mëngjezin e 14 gushtit të vitit 1935 ku forcat kryengritëse nën forcën e armëve morrën nën kontroll disa nga godinat dhe zyrat e administratës qeveritare të nënprefekturës së Fierit që ndodheshin në qëndër të qytetit, nga ku më pas ata po përgatiteshin për të marshuar në drejtim të Lushnjës, Beratit etj, ashtu siç dhe kishin parashikuar dhe vendosur planin e tyre krerët kryesorë të kryengritjes, për ta shtrirë atë edhe në zonat e krahinat përreth, si në Berat, Mallakastër, Kuçovë, Skrapar, Peqin, etj.

Vetëm pak kohë pas shpërthimit të kryengritjes, në qëndër të qytetit të Fierit po kalonte rastësisht me automjetin e tij, gjeneral Leon Gjilardi, (me origjinë kroate) ish-adjutant dhe mik personal i Mbretit Zog, kryeinspektori Ushtarak i Ushtrisë pranë Oborrit Mbretëror dhe Komandant i Gardës Mbretërore, i cili me disa njerëz që e shoqëronin, po udhëtonte për në parkun e Pojanit, pas një ftesë që i kishte bëre arkeologu i njohur francez, Leon Rey, që po bënte kërkime në atë zonë arkeologjike.

Krerët kryesorë të kryengritjes së Fierit, duke pandehur se atë e kishte dërguar Mbreti Zog për të shtypur kryengritjen, urdhëruan mbështetësit e tyre dhe turma, pasi i zuri rrugën automjetit të tij, e ekzektuan gjeneral Gjilardin së bashku dhe me ordinancën e tij, një toger që ishte me origjinë  nga zona e minoritetit grek në Jug të Shqipërisë.

Vrasja e gjeneral Gjilardit dhe më shumë mënyra brutale e ekzekutimit të tij, e indinjoi pa masë Mbretin Zog, i cili morri masat për shtypjen e kryengritjes me forca të xhandarmërisë dhe ushtrisë të dërguara nga Tirana, nën komandën e dy oficerëve të tij besnik, vëllezërve Llesh dhe Gjek Marashit (nga familja e bajraktarit të Hoti të malësisë së Shkodrës), të cilat arritën në Lushnje përpara se aty të mbërrinin kryengritësit nga Fieri. Kështu, pa zbardhur mëngjezi i 15 gushtit, forcat kryengritëse u shpërndanë duke dorzuar armët dhe një pjesë e tyre u arrestuan, kurse disa nga krerët kryesorë të kryengritjes, si Musa Kranja dhe Kostë Çekrezi, u arratisën me një anije të vogël për në Itali, nëpërmjet bregdetit të Semanit.

Në ditët në vijim, përveç krerëve kryesorë të kryengritjes që ishin në qytetin e Fierit, forcat qeveritare të ardhura nga Tirana arrestuan dhe një numër të madh kryengritësish (numri i tyre nuk është i saktë, pasi historiografia zyrtare e para viteve ’90-të e ka të ekzagjeruar numrin e tyre), ku pjesa më e madhe u izoluan në burgun e qytetit të Fierit. Përveç këtyre, pas disa ditësh u arrestuan në Tiranë edhe disa ish-ushtarakë të lartë që nuk ishin më nën armë, si Ali Shefqet Shkupi, (ish-shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë në qeverinë e Ismail Qemlait), Ramiz Dibra, Ramiz Omari, Mustafa Kaçaçi etj., të cilët u akuzuan si krerët kryesorë të Kryengritjes së Fierit, pasi që një vit më parë, në 1934-ën, ata kishin themeluar një organizatë të fshehtë me qëndër në Tiranë dhe degët e saj në disa rrethe e cila kishte për qëllim rrëzimin e Mbretit Zog.

Pas disa kohë hetimesh ata dolën në gjyq para Gjykatës së Lartë Ushtarake të kryesuar nga nënkolonel Ali Riza Topalli dhe pjesa kryesore e krerëve të kryengritjes u dënuan me vdekje, me pushkatim, ndërsa të tjerët me burgime të gjata sipas fajeve që kishin kryer. Por gjyqi ndaj tyre si dhe dënimet me vdekje të dhëna nga ajo gjykatë, patën një reaksion të madh jo vetëm brenda vëndit, por edhe në arenën ndërkombëtare, ku pati disa protesta, madje edhe nga personalitetet të njohura të politikës, shkencës dhe artit. Si rezulat i kësaj, por edhe të zemrëgjerësisë së Zogut, të dënuarëve me vdekje me dekret të Zogut iu fal jeta dhe fillimisht atyre iu bë dënimi me 101 vite burg. Por nga disa amnisti të dhëna që atë vit, asnjë nga të dënuarit nuk bëri më shumë se tre vite burg. Ndërsa i vetmi që u dënua me vdekje dhe nuk iu fal jeta, ishte Hekuran Mëneku, personi që qëlloi dhe vrau gjenaral Gjilardin dhe ordinancën e tij, i cili u var në litar në qëndër të qytetit të Fierit, pikërisht në atë vënd ku ai kishte kryer krimin e tij.

Të gjitha sa më sipër tashmë janë ngjarje dhe fakte të njohura që nga periudha e regjimit komunist, pasi historiografia zyrtare i ka kushtuar shumë vënd kësaj kryengritje, duke e paraqitur shtypjen e saj nga Mbreti Zog, sikur ajo u bë me ashpërsinë më të madhe dhe që krerët kryesorë të saj i janë nënshtruar torturave më mizore në burgun e qytetit të Fierit, ku ata mbaheshin të izoluar deri sa dolën në gjyq. Por a qëndron ky fakt, pra torturat që janë bërë ndaj krerëve kryesorë të asaj kryengritje? Veç të tjerash, përgjigjien më të saktë rreth kësaj ngjarjeje, na e japin disa foto të rralla dhe unike duhet thënë, të cilat Memorie.al i bën publike për herë të parë, ku duken disa nga krerët kryesorë të Kryengritjes së Fierit dhe antizogistë të njohur si: Ali Shefqet Shkupi, Ramiz Dibra, Beqir Sulo Agalliu, Ramiz Omari, Mustafa Kaçaçi, etj., që janë të izoluar në burgun e Fierit.

Siç duken dhe në fotot në fjalë, personat sa më sipër cituam dhe të gjithë krerët kryesorë të asaj kryengritje, që ndodhen në atë burg në pritje të ekzekutimit të vendimit për dënimin me vdekje, janë të veshur me veshje të shtrenjta. Po ashtu ata duken mjaft të shëndetshëm me humor dhe të qeshur, duke luajtur tavëll e duke biseduar me njëri tjetrin, ku ndonjë prej tyre ka pranë dhe mbesën e vogël. Pra kjo është pamja që ekzistonte në atë kohë në burgjet e “satrapit” Zog, imazhe të cilat flasin shumë, pasi aty nuk shihen shenja burgu, ( aty nuk ndodhet asnjë polic apo xhandar), siç jemi mësuar t’i shohim në ato pak foto apo filmime që na ka sërvirur periudha e komunizmit. Por ndryshe nga këto foto, në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës të dënuarit politik duken si kufoma të gjalla dhe ata që prisnin dënimin me vdekje, mbaheshin të lidhur me litar, dhe me kaska në kokë.

Memorie.al

12 komente në “FOTOT e panjohura të të burgosurve politik, të dënuar me vdekje nga “satrapi” Zog”

  1. fati says:

    Po cfare thua ore gazetar, po si ka mundesi qe te presesh vdekjen me buzeqeshje dhe gaz??? Po ajo goca e vogerl e denuar me varje eshte??? Me siguri per politike sepse duhet te kete marre pjese me arme ne dore ne kryengritje kunder zogut. Po c’jane keto budallalleqe more???

    1. Aliu says:

      Fati, vertet budallalleqe por te perziera me shtremberime dhelparake. Kur ben edhe Dashnor Kaloci gazetarin c’presim ne nga gazetaria?

      1. BON says:

        Zogu i mesoj Enverit zanatin.

  2. Buda says:

    Trimat e Kryengritjes se Fierit shkuan ne plumb dhe litar;
    keta qe nxjerr kaloci jane lepuj qe hajduti, krimineli dhe tradhtari i popullit shqiptar Ahmet Bej Zogollovici
    here i fuste ne uje, here i thante ne diell; sepse parate i kishte derguar me kohe ne bankat e Zvicres, Londres dhe Ney Yorkut.

  3. Baba Aliu says:

    Perse e ve ne thonjeza Satraoin o Kaloc? Nuk te eshte mbushur mendja qe eshte vertet Satrap?

  4. Aules says:

    Një pyetje kam për gazekar “Kaloqe-n”:
    Ali Riza Topalli ishte MAJOR apo NënKOLONEL????

  5. Poplat - per popullin says:

    Pse nuk pyesni popullin per burgjet e Zogut, e sidomos ate te Gjirokastres?

  6. GJINOJA says:

    Krahasoni tashti “satrapin”, Mbretin Zog, me kriminelin sadist komunist, sh. Enver, kur i pari, pasi shtypi një kryengritje, gjatë së cilës iu vra dhe kryeinspektori i ushtrisë, vrau vetëm një person, atë që vrau kryeinspektorin e ushtrisë, dhe i dyti, pasi iu vra një komisar politik në Mirditë vrau gjashtëmbëdhjetë persona që s’kishin fare lidhje me atë vrasje. Ky kriminel komunist ia kaloi edhe nazistëve që për një ushtarak të vrarë në luftë, vritnin dhjetë persona që nuk kishin lidhje me atë vrasje.

  7. Tin Tin says:

    Mos e shani mbretin or komuniste kelyshe te sllavit se Mbreti luftoi dhe e beri shtetin ,,juve bete rradhet per nje dore barrishte.Zogu ishte me demokrst dhe me evropiane se te gjitha funderinat nga maj I 1944 deri me sot.mbreti kishte ligje dhe litar e plumb jo gjykates me leke si juve.Shqiptaret respektohehshin ne kohen e mbretit dhe nuk bridhnin neper evrope duke shitur grate.rrofte Princ Leka I poshte kolera e muzhikeve sllav.

  8. DS says:

    Vetem ne BishtPalle sa te denuar me 101 vjet ka pas majt Zogolli, te cilet paten fatin me fitu lirene vetem pas pushtimit nga Italia Fashiste. Ky Pseudohistorian Kaloci po pergatitet te kerkoj azil si Agron Tufa. Haaaaaha sharlatane te neveritshme. Gjergj Fishta do ti thonte “ Rriqa t’nyt” qe i jeni fut ne trup kesaj Shqypnie…..

  9. demokrati says:

    Jashar Cakrani per pak u mbeti ne dore mercenareve mirditas.

  10. emigranti says:

    Eshte teper veshtire ti mbushesh mendjen nje populli te mashtruar e mbushur me genjeshtra per 45 vjet dhe duke u lejuar keto shtremberime edhe 30 vjet ku historiane me prirje te theksuara proenveriste vazhdojne te helmatisin me brockulla mendjet e ketij populli te mjere.
    Kur ende vazhdon te quhet intelektual e udheheqes i madh nje i paafte te perfundonte nje shkolle dhe i katapultuar ne pushtet nga sherbimet e huaja qe mesoi vetem frengjisht ne bordellot e Frances dhe satrap nje patriot, zoterues i 5 gjuheve te huaja, pro perendimor,arkitekti i shtetit modern shqiptar dhe zbatues i ideve te rilindasve tane.
    Vitet 1924-1939 jane vitet me te sukseseshme te shtetit shqiptar e te zhvillimit te vendit, ku vendin e bejlereve e zene tregtaret , ku te pareve u mbeti vetem titulli, aq sa ne popull quheshin ” bejlere ferrash “.
    Ky perparim i vendit erdhi ne kohen e krizes se madhe 1929-1932 qe kish perfshire boten mbare, por ishte pushtimi fashist i ndjekur nga ai komunist qe vazhdon ne nje forme me te zbutur e kamufluar edhe sot , qe ndalen zhvillimin e vrullshem.
    Ne kohen e ” satrapit ” qytetaret shqiptare udhetonin pa viza kudo ne Europe, jo si ne burgun enverist, ku mesuesit ishin nder me te paguarit e te respektuarit.
    Vetem kur me deshiren e politikes historianet tane do te thone te verteten te pakten per regjimin diktatorial komunist dhe ate zogist deri me tani te demonitizuar ( sepse nuk mundet qe keta politikane te thone te verteten e ardhjes se tyre ne politike ) , do te kemi nje kuptim me te qarte te historise sone te periudhes se post-pavaresise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje